Landet federale gjermane përgatiten për pranimin e afganëve | Gjermania | DW | 18.08.2021
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Gjermania

Landet federale gjermane përgatiten për pranimin e afganëve

Ministri Seehofer ka kërkuar një programi pranimi për refugjatët nga Afganistani. Disa lande të tjera federale duan të marrin qindra refugjatë së shpejti.

Ministria e Brendshme e Gjermanisë nuk ka parashikime të sakta për flukset e mundshme të refugjatëve. Fokusi gjerman në pranime është aktualisht të stafi lokal, te familjet e tyre si dhe te njerëz të tjerë në rrezik, tha një zëdhënës. Shumica e refugjatëve do të qëndrojnë në rajon. Për shkak të kësaj duhet të mbështeten vendet përreth Afganistanit si dhe organizatat e ndihmës që punojnë atje.

Në takimin e ministrave të Brendshëm të landeve federale Ministri Federal i Brendshëm, Horst Seehofer (CSU) ka kërkuar një programi pranimi për refugjatët nga Afganistani. "Një program federal i pranimit është tani zgjidja më e shpejtë dhe më efektive se sa programe individuale të pranimit të landeve të veçanta," tha Ministri i Brendshëm i Saksonisë së Poshtme, Boris Pistorius. Bëhet fjalë për afganët që punojnë për gjermanët, agjencitë e zhvillimit, organizatat joqeveritare dhe iniciativa të ngjashme, por edhe për gazetarët dhe njerëz që mbrojnë të drejtat e njeriut dhe të grave.

"Ne nuk kemi nevojë për një garë politike për shifra tani, por një zgjidhje të përbashkët, të besueshme për ata që kërcënohen drejtpërdrejt nga talibanët".

Nga ana tjetër, sipas zyrës kancelarore të landit federal në Dyseldorf, landi federal i Rinit Verior-Vestfalisë dëshiron të pranojë 1.800 vetë. Midis tyre janë 800 punonjës lokalë afganë që kanë punuar për organizatat gjermane vitet e fundit. 1000 vende të tjera strehimi do të jenë kryesisht të hapura për gratë që punojnë në fushat e të drejtave civile, të të drejtave të njeriut, të artit dhe gazetarisë dhe që janë veçanërisht të kërcënuara.

Vazhdojnë evakuiimet nga Kabuli

Sipas një sondazhi të Agjencisë Gjermane të Shtypit dpa, edhe disa lande të tjera federale duan të marrin qindra refugjatë së shpejti.

Ndërkohë, kanë vazhduar nga kryeqyteti afgan fluturimet të tjera të evakuimit. Me avionë ushtarakë të Bundeswehrit tani kanë dalë nga Afganistani më shumë se 450 vetë. Sipas Ministrisë Federale të Mbrojtjes, fluturime të tjera do të pasojnë. Sipas informacioneve nga vëzhguesit, pistat në Aeroportin e Kabulit janë përsëri pa njerëz, kështu që aeroplanët të mund të ngrihen të papenguar.

Sidoqoftë, mijëra vetë ende po presin jashtë portave të aeroportit, dhe shumë prej tyre gjithashtu kanë kaluar natën atje. Shkaku me sa duket janë zërat se kushdo që arrin në aeroport, do të nxirret me avionë jashtë Afganistanit. Kaosi në vend e bën të vështirë evakuimin e shumë punonjësve afganë vendas, që kanë punuar për ushtritë perëndimore dhe për këtë arsye kanë frikë për jetën e tyre.

Nga shtete të tjera të botës, Britania e Madhe njoftoi pranimin e një numri të përgjithshëm prej 20.000 afganësh gjatë disa viteve. Këtë vit, Britania e Madhe do të pranojë 5.000 vetë, tha kryeministri Johnson në Londër. Austria dhe Greqia janë shprehur  kundër pranimit të refugjatëve nga Afganistani. Ministrat e Brendshëm të BE po merren gjithashtu me këtë çështje në një takim sot.

aud (dpa, br, dlf)