1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lührmann: Procesi i Berlinit mbetet prioritet i lartë

18 Janar 2022

Ministrja gjermane e shtetit për Europën dhe Klimën, Anna Lührmann, në vizitën e saj të parë në Tiranë solli mesazhin e angazhimit të Gjermanisë për "nisjen sa më parë të negociatave të anëtarësimit në BE.”

https://p.dw.com/p/45iLJ
 Anna Lührmann Europa Albanien
Anna Lührmann, ministre gjermane e shtetit për Europën dhe KlimënFotografi: Ani Ruci/DW

Anna Lührmann, ministre e shtetit për Europën dhe Klimën përfundoi vizitën e saj të parë në Tiranë (18.01) duke theksuar, se: "Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor, perspektiva e tyre e integrimit europian janë strategjike për qeverinë e re federale. Gjermania angazhohet që kjo të ndodhë as më shpejt, kjo ka rëndësi për stabilitetin e rajonit. Ballkani është i rëndësishëm për Europën", tha Ministrja e Shtetit, Lührmann në konferencën e përbashkët për shtyp me zv/kryeministrin Arben Ahmetaj.

Vizitat në rajon, në Tiranë dhe një ditë më parë (17.01) në Maqedoninë e Veriut e ministres gjermane të shtetit, Lührman, zv/kryeministri Ahmetaj i vlerësoi si „një sinjal tejet domethënës për rëndësinë që i kushton qeveria e re gjermane integrimit europian të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”.

Në përgjgje të pyetjes së DW lidhur me drejtimet, se ku do të angazhohet konkretisht qeveria e re federale për të mundësuar nisjen sa më parë formale të negociatave të anëtarësimit, të bllokuara edhe për Shqipërinë nga Bullgaria për shkak të mosmarrëveshjeve mes saj dhe Maqedonisë së Veriut për çështje të gjuhës dhe historisë, Ministrja Lührmann bëri me dije në konferencën për shtyp: „Po punojmë fuqishëm që procesi i anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE të bëhet një çështje me rëndësi qendrore. Të ecim përpara për të finalizuar bisedimet për Maqedoninë e Veriut që mosmarrëveshjet të zgjidhen në nivel bilateral. Kemi pritshmëri optimiste për hedhjen e hapave përpara. Kemi marrë sinjale pozitive nga Bullgaria për të gjetur një zgjidhje", theksoi Lührmann për DW.

Procesi i Berlinit prioritet i lartë

Lidhur me nismat për afrimin e Ballkanit Perëndimor me BE-në, ministrja e shtetit , Lührmann tha, se për qeverinë e re gjermane, "Procesi i Berlinit mbetet prioritet i lartë”,duke risjellë në vëmendje nismën diplomatike të verës 2014 të ish-kancelares Angela Merkel, për t'i dhënë impulse të reja procesit të integrimit europian të Ballkanin Perëndimor që mori emrin ”Procesi i Berlinit.”

"Me rëndësi për të gjithë rajonin është progresi në krijimin e Tregut të Përbashkët Rajonal. Është e qartë që rruga për bashkëpunimin nrajonal duhet të jetë ajo e një bashëpunimi të hapur dhe gjithëpërfshirës për gjashtë vendet e këtij rajoni”, theksoi ajo.

Zv/kryeministri Ahmetaj e vlerësoi Procesin e Berlinit si një proces „që ka mbjellë fara pozitive tek rinia e Ballkanit Perëndimor". "Diskursi politik para 19 vitesh ishte i ashpër, sot ky diskurs përqendrohet tekhapja e rajonit, investimet, nismat e përbashkëta rajonale”, tha ai.

 Anna Lührmann Europa Albanien  Arben Ahmetaj
Ministrja gjermane e Shtetit Anna Lührmann dhe zv/kryeministri shqiptar Arben AhmetajFotografi: Ani Ruci/DW

Rruga e Shqipërisë drejt BE - Çuarja përpara e reformave

Ministrja gjermane e shtetit, Anna Lührmann vlerësoi arritjet e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, vënien para drejtësisë të zyrtarëve të lartë dhe pjesëtarëve në krimin e organizuar si edhe procesin e vettingut. "Hapat pas do të dëmtonin procesin e reformave”, vuri ajo në dukje. Zv/kryeminisri Ahmetaj tha, se "Shqipëria i ka bërë të gjitha detyrat e shtëpisë dhe se nuk ka asnjë vend anëtar të BE-së që të ngre problematika që pengojnë hapjen formale të negociatave”. "Vetë procesi i integrimit presupozon reforma të thella në të gjithë sektorët e jetës së vendit, theksoi ai.

Duke falenderuar për kontributin e qeverisë gjermanë në hapjen e negociatave të anëtarësimit zv/kryeministri Ahmetaj tha, se i kërkon qeverisë së re federale të Gjermanisë angazhimin e saj që "Ballkani Perëndimor të mos lihet një vakuum për shkak të aktorëve të tretë që nuk ndajnë të njëjtat parime si partnerët strategjikë të Shqipërisë, BE dhe SHBA”.

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana