1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kushte të padurueshme burgimi dhe procese të fshehta

Tatjana Proshenka31 Mars 2006

Fati i opozitarëve të burgosur në Bjellorusi. Parlamenti gjerman i bëri thirrje të mërkurën Bjellorusisë të lirojë të gjithë të burgosurit

https://p.dw.com/p/Aqqa
Fotografi: dpa

82% e votave! Me këtë rezultat festoi fitoren në zgjedhje presidenti autoritar i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko më 19 mars. Zgjedhje që nuk kishin qenë as të ndershme dhe as të lira, kështu vlerësimi i vëzhguesve nga BE, SHBA, dhe opozita në vend. Opozitarët u mblodhën ditë me rradhë në protesta dhe demonstrata në kryeqytetin Minsk. Por protestat paqësore përfunduan me arrestimin e demonstruesve.

Aksioni i protestës të opozitarëve me 25 mars në Minsk i kushtohej 88 vjetorit të shpalljes së republikës popullore të Bjellorusisë, të njohur si "dita e vullnetit". Por vullneti i demonstruesve u thye nga rrahjet dhe arrestimet, kur policia shpërndau protestat. Të dhënat për numrin e të arrestuarve janë të ndryshme. Sipas prokurorisë së përgjithshme bjelloruse janë arrestuar gjithsej 500 vetë, ndër ta 21 të huaj. Organizatat për të drejtat e njeriut flasin për gjithsej 1000 arrestime.

Ndër të arrestuarit është edhe ish kandidati për president Alexandër Kosulin. Ai rrezikohet të burgoset deri në 6 vjet, akuza kundër tij, organizim i protestave. Avokati i Kosulinit tha, se mandanti i tij është rrahur në burg. Meqë mjeket e kanë të ndaluar të regjistrojnë demonstruesit, që kanë nevojë për ndihmë mjekësore, numri i të rrahurve mbetet i panjohur. Burgjet hezitojnë të publikojnë listat e të arrestuarve.

Ndërkohë dalin informacione për kushtet e padurueshme në burgje. Katja Zhilinskaja ka marrë pjesë në demonstratat në shtetin e tetorit në Minsk dhe është arrestuar. Por ajo mundi ta fshehë telefonin mobil nga forcat e sigurimit. Kështu që ajo mundi t´i tregojë nga burgu Deutsche Welles për fatin e saj: "Të gjitha sendet tona na i kanë marrë. Unë nuk kam fjetur. Ka njerëz që kanë kaluar tri në sheshin e tetorit. Të gjithë rrimë në dysheme. Nuk ka dyshekë, nuk ka asgjë tjetër vetëm shtretër prej hekuri. Ngrohja nuk funksionon aspak. Megjithëse kemi pallto, kemi të ftohtë, sidomos nga këmbët."

Më 27 mars janë zhvilluar proceset e para gjyqësore. Akuza është në shumicën e rasteve "pjesëmarrje në aksione masive të palejuara" dhe "vandalizëm". Ndërkohë rreth 300 persona janë dënuar me burgim nga 5 deri 15 ditë nga gjykatat e Minskut. Më shumë se gjysma e të burgosurve janë studentë nga shkollat e larta të Minskut. Nder të arrestuarit ka edhe qytetarë nga Franca, Kanadaja, Polonia, Ukraina dhe Rusia. Të gjitha proceset gjyqësore këtu zhvillohen me dyer të mbyllura.

Valentin Stefanovic punon si avokat për qendrën e të drejtave të njeriut "Vjasna": "Gjykatat punojnë si në konvejer. Zgjat 15 minuta deri sa të shpallet vendimi. Shumë brutalisht veprohet kundër grave dhe vajzave që kanë marrë 5 deri 15 ditë arrest. As dëshmitarët, as ata që kanë përpiluar protokollet, nuk ftohen në procese. Kjo është shkelje direkte e ligjit."

Sipas të dhënave të shoqatës së gazetareve bjellorusë ndër të arrestuarit janë edhe 12 gazetarë nga Rusia, Ukraina, Polonia, Franca, SHBA, Kanadaja dhe Gjeorgjia. Nëntë prej tyre u dënuan me nga 5 deri 15 ditë arrest. Organizata ndërkombetare "Reporterë pa kufinj" kerkoi nga Bjellorusia, që të lirojë menjeherë të gjithë të burgosurit. Që të arrijnë këtë kanë mundur deri tani vetëm diplomatët rusë. Njëri nga të arrestuarit ishte gazetari i televizionit rus, Pawel Sheremet. Ai është drejtuesi i seksionit për projekte speciale të kanalit të parë televiziv rus. DW - së ai i tregoi si e arrestuan: "Ky ishte një arrestim i dhunshëm. Disa policë u sulën mbi mua, dhe më vunë prangat. Më hodhën në një mikrobus, ma mbuluan fytyrën me një kapuc dhe filluan të më rrihnin."

Nderkohe Sheremet u lirua nga burgu përkundrejt një pagese të hollash. Nderkohë ambasada ukrainave në Minsk ka paraqitur padi dhe ka kërkuar lirimin e gazetarëve ukrainas. Gjykata përkatese e shpalli arrestimin të vlefshëm. Sipas zëdhënësit të ambasadës ukrainase Leonid Jasinksij po përgatitet një ekspertizë ligjore për t´u dorëzuar në gjykatën supreme të Bjellorusisë dhe në OKB.

Ambasada britanike në Minsk angazhohet për gazetarin kanadez të arrestuar Frederik Lavoie, sepse Kanadaja nuk ka ambasadë të vetën në Bjellorusi. Ministria e jashtme kanadeze ka bërë përgjegjëse për sigurinë e gazetarit qeverinë bjelloruse. Parlamenti gjerman i bëri thirrje të mërkurën Bjellorusisë të lirojë të gjithë të burgosurit.