Krastev: ″Corona na tregon anën e errët të globalizmit″ | Evropa | DW | 04.06.2020
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Evropa

Krastev: "Corona na tregon anën e errët të globalizmit"

Politologu bullgar Ivan Krastev përshkruan në librin e tij më të ri mësimet që duhet të nxjerrë Evropa nga COVID-19. Virusi mund t’u mësojë evropianëve se nacionalizmi nuk është ekonomikisht i qëndrueshëm.

DW: Z. Krastev, libri juaj i ri "A ka ardhur e nesërmja?" së shpejti do të botohet në 19 gjuhë. Aty ju përshkruani shtatë paradokse të pandemisë së Coronës, por në fund të fundit libri ka të bëjë me të ardhmen e globalizmit. Paradoksi i parë mund të përshkruhet si vijon: virusi është produkt i globalizmit - dhe në të njëjtën kohë e çon atë përpara. Si mund të shpjegohet kjo?

Ivan Krastev: Për mua zbulimi më i madh personal ishte se ne po ndjekim një krizë madhore që ka shumë fytyra dhe lëvizjet e së cilës po shkojnë në drejtime shumë të ndryshme. Për shembull, Corona tregon qartë anën e errët të globalizmit. Ndërvarësia, ndërvarësia ekonomike, nuk shihet më vetëm si burim sigurie, por edhe si një burim i pasigurisë. Për shembull, ne konstatojmë se jemi plotësisht të varur nga pajisje mjekësore që vijnë nga ana tjetër e botës. Dhe në momente krize ne nuk mund të mbështetemi tek fakti që furnizimet me to mund të vazhdojnë. Në të njëjtën kohë zbuluam se virusi që buroi në anën tjetër të botës mund të ndryshojë jetën e secilit prej nesh. Këto janë anët e errëta të globalizmit.

Në të njëjtën kohë ne megjithatë po përjetojmë gjithashtu një globalizim shpirtëror të çdo individi. Papritur fillojmë të jetojmë në një botë të përbashkët. Imagjinoni dikë që nuk flet gjuhë të huaj dhe jeton në një qytet ose fshat të vogël. Ky person mund të shikojë kanale të ndryshme televizive dhe të dëgjojë gjithë ato gjuhë prej të cilave nuk kupton asnjë fjalë - por ai e di saktësisht se për çfarë bëhet fjalë lajmet kryesore në secilën gjuhë, sepse bota flet vetëm për një gjë.  Ne kemi filluar të jetojmë në një botë krahasimesh globale. Deri tani njerëzit gjithmonë kanë krahasuar atë që po ndodh në vendin e tyre, çfarë po bën qeveria e tyre dhe çfarë po ndodh në vendet e tjera. Kjo hapje e mendjes në momentin kur mbyllim dyert dhe distancohemi nga shoqëria është një nga ato paradokset që më tërheq shumë.

Në librin tuaj të ri ju konstatoni se në kohën e ankthit ekonomik evropianët mund të kuptojnë se nacionalizmi nuk është ekonomikisht i qëndrueshëm. Suedia zgjodhi rrugën e saj gjatë pandemisë, por tani po përballet me të njëjtat vështirësi ekonomike si pjesa tjetër e Evropës. A do të luajë Bashkimi Evropian në krizën e ardhshme financiare të shkaktuar nga COVID-19 një rol më të fortë sesa në luftën kundër virusit vetë?

Me siguri! Dhe ne tashmë mund të shohim se në parim, propozimi Merkel-Macron është dëshmi e mirë e kësaj. Dhe Suedia është me të vërtetë një shembull klasik se çfarëdo vendimi që merr një qeveri, ajo se çfarë do të ndodhë me ekonominë e vendit të saj varet gjithmonë nga ajo që vendosin qeveritë e tjera.

Suedia ka vendosur të mos i mbyllë ndërmarrjet e saj me shpresën për të kufizuar fort kostot ekonomike të krizës. Ata nuk i mbyllën - por të tjerët i mbyllën. Prandaj të gjithë kamionët që duhet të prodhoheshin normalisht në fabrikat e Volvos në Suedi nuk mund të prodhoheshin, sepse pjesët që prodhohen në pjesë të tjera të Evropës ose botës nuk arritën më. Në fund do të gjendemi në një situatë në të cilën rënia ekonomike në Suedi do të jetë më e lartë këtë vit sesa në disa vende si Austria ose Polonia, ekonomitë e të cilave janë mbyllur plotësisht.

Nëse bota me të vërtetë shkon drejt proteksionizmit, nëse globalizimi pasohet nga rajonalizimi dhe një shkallë e caktuar e deglobalizimit kjo nuk do të shkojë mirë, sepse shumica e vendeve evropiane, madje edhe ato më të mëdhatë si Gjermania dhe Franca, janë shumë të vogla për të qenë ekonomikisht proteksioniste.

Ju e vini në dyshim pretendimin se regjimet autoritare e menaxhojnë luftën kundër COVID-19 më mirë sesa qeveritë e zgjedhura në mënyrë demokratike - dhe identifikoni dy faktorë kryesorë në luftimin me sukses të pandemisë. Cilët?

Në fillim të krizës dukej plotësisht e arsyeshme të supozohej se regjimet autoritare mund ta menaxhonin krizën më mirë sesa ato demokratike; por ajo që ne në fakt shohim është diçka krejtësisht e ndryshme: disa regjime autoritare e kanë nën kontroll Coronën - dhe të tjerët jo. Pra natyra e regjimit politik nuk është faktor vendimtar. Ka edhe tre të tjerë: së pari, besimi themelor i popullsisë tek shteti. Në këtë lloj krize nuk mund të arrestosh njerëz dhe të mendosh që kështu kapërcehet kriza. Njerëzit duhet të fillojnë të lajnë duart. Atyre u duhet një besim i caktuar për ta bërë këtë, në thelb njerëzit duhet t'i përgjigjen mesazhit të qeverisë.

Në një shoqëri si Gjermania - dhe të jemi të sinqertë edhe si Kina, ku besimi tek qeveria dhe shteti janë mjaft të lartë - disa nga masat për Coronën funksionuan mirë. Në vende si Irani, të qenit autoritar nuk ndihmoi me të vërtetë për të gjeneruar atë lloj përgjigjeje që dëshironte qeveria.

Faktori i dytë është natyrisht kapacitetet e shtetit. Jo vetëm sa para u shpenzuan për sektorin e shëndetësisë, por edhe sa mirë është i organizuar shteti, sa shpejt mund të rishpërndajë mjetet dhe si komunikon.

Faktori i tretë është përvoja me infeksione të tilla. Nuk është rastësi që disa nga vendet aziatike si Hong Kongu, Kina apo Singapori, të cilat kanë forma të ndryshme qeverisjeje, reaguan mjaft efektivisht që në fillim, pasi ata kishin përvojë me kriza të ngjashme dhjetë ose pesëmbëdhjetë vjet më parë - dhe për këtë arsye kishin më shumë maska se kushdo tjetër.

 

Intervistoi: Alexandar Detev