Kosovë: Tensione në Veri pas kontrolleve kundër kontrabandës | Ballkani | DW | 13.10.2021
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Kosovë: Tensione në Veri pas kontrolleve kundër kontrabandës

Policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë turma të banorëve lokalë, të cilët po kundërshtojnë një aksion të policisë antikontrabandë.  

Të paktën 6 persona morën lëndime në veri të Mitrovicës gjatë kundërshtimit që po i bëhet nga banorët lokalë një aksioni të policisë dhe doganës së Kosovës kundër kontrabandës me mallra. Lëndimin e 6 personave e konfirmoi drejtori i Qendrës Shëndetësore në Mitrovicë të Veriut, Zllatan Ellek. "Lëndimet janë shkaktuar nga bombat zhurmuese, dhe pacientët aktualisht janë në departamentin e pranimit në kirurgji. Ekzaminimi është duke u zhvilluar, që do të thotë lëndime nga bomba zhurmuese dhe gaz lotsjellës”, bëri të ditur Elek.

Komunat me shumicë serbe nuk pranojnë kontrollin

Aksioni i policisë së Kosovës dhe Doganës ka përfshirë disa rajone të Kosovës, por ai po kundërshtohet nga banorët e komunave veriore të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Në veri të Mitrovicës turma të mëdha të qytetarëve tentuan të pengojnë aksionin  e policisë, që përdori gazin lotësjellës për të shpërndarë turmat. Në disa rrugë në komunën e Zveçanit, banorët kanë vendosur kamionë për të bllokuar rrugët.  Sipas policisë së Kosovës, aksioni anti-kontrabandë nisi në orët e hershme të 13 tetorit dhe po vazhdon në nivel vendi dhe deri më tani janë sekuestruar një sërë mallrash, të cilat dyshohen se janë kontrabandë.

Policia e Kosovës: Kontrollet me urdhër të autoriteteve

"Të gjitha veprimet policore janë duke u realizuar në koordinim me prokuroritë dhe gjykatat kompetente, me urdhër të të cilave janë duke u kryer kontrolle dhe bastisje në lokacione të ndryshme si shtëpi banimi, lokale biznesi, magazina të mallrave etj”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.  

"Policia e Kosovës në vazhdën e realizimit të objektivave strategjike për parandalim të veprave penale, konkretisht luftën e pa kompromis ndaj kontrabandës së mallrave, sot në orët e hershme të mëngjesit ka filluar realizimin e një operacioni policor i cili përfshin disa lokacione të ndryshme, ku bëjnë pjesë katër rajone të Kosovës si Prishtinë, Pejë, Mitrovicë Jugu dhe Mitrovicë Veri”, thuhet në njoftim.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, u bëri thirrje qytetarëve të Mitrovicës që të ruajnë qetësinë dhe maturinë dhe siç thotë "të mos bien në grackën e strukturave kriminale serbe në komunën e veriut”.

Aksioni i së mërkurës i policisë dhe doganës së Kosovës kundër kontrabandimit me mallra e që shkaktoi  ngritje tensionesh ne veri të Kosovës, po ndodh vetëm tri javë pasi serbët lokalë bllokuan për 13 ditë rrugët në veri, duke kundërshtuar kështu masën e reciprocitetit të vendosur nga qeveria e Kosovës tek targat e veturave të Serbisë. Për këtë çështje tashmë është arritur marrëveshje ndërmjet dy vendeve.