Kosovë - Serbi: Zhbllokohen tërësisht pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak | Ballkani | DW | 03.10.2021
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Kosovë - Serbi: Zhbllokohen tërësisht pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak

Nga e diela (03.10) fillon zbatimi i marrëveshjes për targat  e automjeteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. KFOR-i po siguron dy pikat kufitare në veri të Kosovës për qarkullim të lirë. 

Gjatë fundjavës u zbllokuan tërësisht rrugët që qojnë në dy pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, pika këto në veri që lidhin Kosovën dhe Serbinë. Për 13 ditë këto dy rrugë u bllokuan me protestues, me automjete të rënda  dhe të lehta, në shenjë proteste nga serbët lokal kundër vendimit të qeverisë së Kosovës për reciprocitet me Serbinë lidhur me targat  e automjeteve. Pas arritjes së marrëveshjes në Bruksel (30.09)ndërmjet Kosovës dhe Serbisë rreth përdorimit në mënyrë të barabartë të targave të makinave nga të dyja vendet, serbët hoqën barrikadat dhe po ashtu  u tërhoq nga veriu edhe njësia speciale e Kosovës, që ishte kërkesë e Beogradit. Policia e Kosovës përmes një njoftimi tha të dielën se "rrugët në drejtim të pikave kufitare Jarinje dhe Bërnjak janë liruar për qarkullim dhe se gjendja është kthyer në normalitet”.

"Gjendja e sigurisë në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, pas largimit të pengesave, lirimit të rrugëve për qarkullim dhe lëvizje të lirë i është kthyer normalitetit, përderisa njësitet policore patrulluese përfshirë ato kufitare vazhdojnë me realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore”, thuhet në njoftim. Pas largimit të njësisë speciale të policisë së Kosovës nga veriu, mbikqyrjen e situatës së sigurisë do ta bëjnë forcat paqeruajtëse KFOR, për dy javët e ardhshme. Trupat e KFOR-it të vendosura nga dy pikat kifitare Jarinje dhe Bërnjak, të dielën u vizituan nga Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Franco Federici. Ai tha se "njësitet e KFOR-it janë plotësisht të gatshme për të kryer këtë detyrë të rëndësishme në mbështetje të stabilitetit lokal dhe rajonal” dhe "falënderoi institucionet në Kosovës, kryetarët e komunave veriore dhe të gjithë aktorët që kanë kontribuar në shtensionimin e situatës”.

"Misioni i KFOR -it luan një rol themelor për të siguruar zbatimin efektiv të marrëveshjes së arritur dhe se NATO mbetet fuqimisht e përkushtuar ndaj stabilitetit të rajonit të Ballkanit Perëndimor”, tha gjenerali Federici.

"NATO mbështet fuqimisht dialogun e lehtësuar nga BE dhe përpjekjet e tjera që synojnë normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës si rruga e vetme drejt arritjes së një marrëveshjeje të qëndrueshme politike dhe stabilitetit për rajonin”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.

KFOR -i është i mandatuar me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 për të siguruar një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

Zbatimin e marrëveshjes për targat e përshëndeti edhe i ngarkuari me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Nicholas J.Giacobbe të cilën e quajti "përparim të mirë nga Kosova dhe Serbia”.

"Prezenca e KFOR-it është e përkohshme, në dy javë ne presim që operacionet kufitare të kthehen në normalitet. Është koha për të shfrytëzuar këtë momentum dhe për të rifilluar dialogun”, ka shkruar Giacobbe.

Çfarë parashikon Marrëveshja për shtensionim të situatës në veri të Kosovës?

Njësitet speciale policore të vendosura në pikëkalimet e përbashkëta kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, do të largohen bashkë me barrikadat, duke nisur nga 2 tetori, ora 08:00 deri në orën 16:00 të asaj dite. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, do të angazhohet në këto dy pika në Jarinjë dhe Bërnjak, para nisjes së tërheqjes të zyrtarëve policorë dhe barrikadave, dhe do të mbetet aty për dy javë për të garantuar sigurinë.

Nga 4 tetori, do të nisë së zbatuari përkohësisht regjimi i letrave ngjitëse, në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.

Më 21 tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje të përhershme. Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajturi Grup Punues, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë. Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë janë shprehur të kënaqur me atë që kanë arritur delegacionet e tyre, ndërsa faktori ndërkombëtar tash pret rifillimin  e dialogut me synimin final arritjen e një marrëveshjeje gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.