1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Konflikti për gazin mes Ukrainës dhe Rusisë vazhdon

Hermann Krause29 Dhjetor 2005

Putin në rolin e ndërmjetësit

https://p.dw.com/p/ArMo
Demonstratë proteste në Moskë për konfliktin mbi gazin mes Rusisë dhe Ukrainës
Demonstratë proteste në Moskë për konfliktin mbi gazin mes Rusisë dhe UkrainësFotografi: AP

Rusia dhe Ukraina nuk kanë arritur asnjë marrëveshje në konfliktin për gazin as në bisedimet e fundit të mbajtura të enjten në Moskë. Presidenti rus Vladimir Putin i ka ofruar megjithatë Ukrainës një kredi për të financuar çmimin e rritur të gazit nga Gazprom.

Presidenti rus u mbajti thuajse një fjalim qortues të enjten pasdite në Moskë partnerëve në bisedime. Në tryezë ndodheshin ministri ukrainas i energjitikës Ivan Platshkov, homologu i tij rus Viktor Krishtenko, ministri rus i financave Aleksej Kudrin dhe përfaqësues të Gazpromit dhe sipërmarrjeve ukrainase të gazit. Putin tha: "Ka patur kohë të mjaftueshme për të parashikuar kalimin në ekonominë e tregut. Që prej marsit të gjithë dinin gjithçka. Por ju keni shkaktuar një krizë reale jo vetëm në sektorin energjitik por edhe mes dy shteteve tona dhe kjo është shumë e rëndë."

Vetë Putin gjatë javëve të fundit ka përfaqësuar vazhdimisht pozicionin e Gazpromit por tani u prezantua si pajtues në konfliktin energjitik: "Ajo çka më shqetëson më shumë është pyetja: çdo të bëjmë me furnizimin me gaz? Jam plotësisht dakort me presidentin Viktor Jushçenko që problemi duhet depolitizuar. Vetëm kjo të çon në marrëdhënie normale", ka thënë Putin.

Presidenti rus është shprehur se tregon megjithatë mirëkuptim për nevojën e Ukrainës për një periudhë tranzicioni. Prandaj propozimi i tij ishte:"Ukraina do të marrë një kredi nga Rusia në shumë prej 3,6 miliardë dollarësh. Për mundësitë ruse kjo është një shumë e konsiderueshme. Por Rusia do ti sigurojë këto para. Kredia mund të livrohet njëherësh apo me këste me terma të ekonomisë së tregut."

Presidenti Putin ka shtuar se të njëjtën gjë Rusia e praktikon edhe me Bjellorusinë. Minsku e merr gazin rus me çmimin prej 47 dollarësh, diferenca financohet nga një kredi që Rusia i ka dhënë Bjellorusisë. Sipas propozimeve të Putinit çmimi i gazit për Ukrainën mund të ngrihet kështu hap pas hapi dhe humbja që do t'i shkaktohet Gazpromit do të shlyhet nga kredia ruse. Pala ukrainase ka kërkuar kohë për t'u menduar deri në muajin prill.
Pas ndërhyrjes së presidentit rus nuk është më e qartë nëse koncerni Gazprom do të guxojë vërtet t'i ndërpresë furnizimin Ukrainës të dielën më 1 janar siç kishte deklaruar.