Komunat gjermane duan rregulla më të ashpra për migracionin
3 Shtator 2024Para bisedimeve të qeverisë gjermane me Unionin e CDU/CSU dhe landet për pasojat në politikën e migracionit pas atentatit në Solingen, Shoqata e Përgjithshme e Komunave Gjermane kërkon masa dukshëm më të ashpra se janë planifikuar deri tani. Në një prononcim të revistës "Spiegel" ku janë marrë pjesë nga dokumenti i shoqatës së komunave aty thuhet se mungon deri tani "një koncept i përgjithshëm për një politikë tjetër migracioni parimisht."
Asnjë shtet nuk është i detyruar "të marrë refugjatë në ato përmasa që sjellin rreziqe akute për funksionimin e institucioneve të tij", thuhet në dokumentin e komunave para takimit të martën. Sinjalet për një mbingarkesë janë një administratë e mbingarkuar dhe mungesa e kapaciteteve për akomodimin dhe integrimin. Këtu në shumë drejtime janë arritur "kufijtë ose ndërkohë janë tejkaluar". Gjermania duhet të ketë të drejtën për një ndalim kombëtar të pranimit të refugjatëve si mjetin e fundit -ultima ratio.
Pa pasaportë nuk ka azil?
Shoqata e Përgjithshme e Komunave Gjermane kërkon më tej "që kërkesat për azil të personave identiteti i të cilëve nuk është i siguruar përmes dokumenteve të identifikimit apo dokumente të ngjashme, mund të refuzohen parimisht ndërkohë si të papranueshëm". Përveç kësaj kërkohet që Zyra Federale për Migracionin dhe Refugjatët, BAMF të reagojë ndaj përmirësimit të situatës në vendet origjinë dhe të tërheqë ndërkohë njohjet e dhëna të së drejtës së azilit. Në dokument thuhet më tej, se dëbimet në Siri "nuk duhet të kryhen vetëm tek personat rrezikues dhe ata me vepra penale po në tërësi". Landet federale duhet ndërkohë të krijojnë më shumë vende për personat e ndaluar para dëbimit.
Më tej kërkohet që refugjatëve, për të cilët përgjegjës është një vend tjetër i BE nuk duhet t'u mundësohet hyrja në Gjermani, "duke i kthyer mbrapsht që në kufirin gjerman". Nëse kjo nuk është e mundur për shkak të rregulloreve të BE, këto duhen krijuar.
Edhe kreu i CDU, Friedrich Merz kërkon reduktimin e ndjeshëm të migracionit në Gjermani. Problemi nuk është e drejta për armë apo dëbimi, tha Merz. "Problemi i vërtetë është si edhe më parë presioni i migracionit të pakontrolluar." Merz kërkoi ashtu si komunat gjermane dëbime që në kufijtë gjermanë. Edhe kreu i Konferencës së Kryeministrave të Landeve Federalë, kryeministri i Hesenit, Boris Rhein, CDU kërkon "kthesë në politikën e migracionit". Ai i forcoi të hënën kërkesat e tij. "Federata duhet të vazhdojë kontrollet në kufijtë e brendshëm, dhe të fillojë më në fund të kthejë me konsekuencë që në kufi."
E ngarkuara për migracionin: Jo dyshim i përgjithshëm
E ngarkuara e qeverisë gjermane për migracionin, Reem Alabali-Radovan, paralajmëroi para takimit të federatës dhe landeve, nga një "fokus i njëanshëm i ashëprsimit të politikës së migracionit". "Paketa e sigurisë" duhet të forcojë mbrojtjen nga terrori, dhuna dhe kriminaliteti, tha politikanja socialdemokrate për rrjetin redaksional gjerman, RND. "E rëndësishme është që kjo të kryhet pa dyshim të përgjithshëm dhe paushalizim."