Koment: Të luftohet për projektin e paqes dhe Europën e hapur | Evropa | DW | 01.09.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Evropa

Koment: Të luftohet për projektin e paqes dhe Europën e hapur

Këtë fundjavë përkujtohet në Poloni fillimi i Luftës së Dytë Botërore. Sidomos për gjermanët rritet sot përgjegjësia për t’u ngritur në këmbë kundër antidemokratëve, mendon Jens Thurau.

Polen Wielun Zerstörungen im zweiten Weltkrieg (picture-alliance/AP)

Sulmi mbi Vielun, 1 shtator 1939

Para 80 vjetësh Gjermania sulmoi Poloninë. Ka kaluar shumë kohë që atëherë. Para 80 vjetësh filloi me këtë sulm Lufta e Dytë Botërore. Për shkak se ajo pati kaq shumë pasoja, shumë vetë e ndjejnë shpesh sikur ka ndodhur tani afër.

Pas luftës, gjenerata, që mori pjesë aty heshti kryesisht. Fëmijët dhe nipërit shtruan pyetjet, dhe vonë, shumë vonë u dhanë përgjigje për tmerrin që kishte ndodhur, u fol për atë, se çfarë u kishin bërë gjermanët fqinjëve të tyre. Shumë gjëra janë zbardhur që atëherë, por ende ka vende bosh, lëndime, distanca të pakapërcyera deri më sot. E ato do të mbeten për një kohë të gjatë, ndoshta përgjithmonë.

Projekti i paqes në rrezik

Politikisht, koha pas luftës e parë nga ana globale nuk ishte paqësore. Kur u ulën armët në Europë, SHBA vuri në përdorim bombën atomike. Pas saj erdhën lufta e Koresë dhe e Vietnamit, luftërat në Lindjen e Afërt, regjime ushtarake në Amerikën Jugore. Edhe në Europë konfliktet e reja ishin shumë pranë: Jugosllavia u shpërbë në mënyrë të përgjakshme në shtete të vogla, sulmi në SHBA më 11 shtator 2001 e preku thellë edhe Europën. Por shumica donte edhe një kohë të gjatë pas lufte sidomos një gjë: Kurrë më shkatërrime lufte, kurrë më nacionalizëm!

Gjermania u pajtua me Francën dhe me fqinjët e tjerë perëndimorë. Willy Brandt u gjunjëzua në Varshavë. Bashkimi Europian u rrit e u zgjerua, një projekt i paqes, një titullim i përdorur kaq shpesh nga politikanët. Muri i Berlinit ra, Lufta e Ftohtë mori fund, dhe për një moment u duk, se mund të ngrihej vërtet një botë e re multilaterale. Nelson Mandela u zgjodh president i Afrikës Jugore. Bill Clinton erdhi në vitin 1994 në Berlin dhe lëshoi thirrjen: „Gjithçka është e mundur!" Po, kështu dukej, gjithçka e mundur. Shtetet lindore të Europës u bashkuan me BE në mënyrë të vetëkuptueshme. Edhe ato janë po aq europiane, si shtetet në perëndim të kontinentit.

Tani jemi në vitin 2019. 80 vjet pas Luftës së Dytë Botërore të bien në sy fytyra të frikësuara, sidomos tek të moshuarit. Nacionalizmi është rikthyer ashtu si nxitja e urrejtjes kundër njerëzve, që vijnë nga një vend tjetër ose kanë pamje ndryshe. Në Shtëpinë e Bardhë qëndron një populist, një tjetër qeveris në Londër. Politikanët e mençur luftojnë për projektin e paqes me emrin Bashkim Europian. Shpejt gjenerata e re, (nëse nuk ndodh ndonjë mrekulli) do të përjetojë, se çfarë do të thotë, kur një vend si Britania e Madhe ngre mure të rinj.

Kommentatorenfoto Jens Thurau (DW)

Jens Thurau

Arsyeja nuk duhet të heshtë

Ditë të tilla përkujtimore si tani në Poloni, bëhen gjithnjë e më të rëndësihme. Por shumë më tepër dialogu me dëshmitarët e paktë të kohës, që i kanë parë me sy tmerret e papërfytyrueshme të atyre viteve. Qendra qytetare në Europë, sidomos në Gjermani, duhet të jetë e gatshme të luftojë për arritjet e pas vitit 1945 - për demokracinë, humanitetin, ndërkombëtarizmin. Ashtu si në vitin 1989 e bënë këtë njerëzit në RDGJ. Armiq të demokracisë ka mjaft. Ata nuk vijnë me tanke, si dikur, për luftën moderne cyber nuk nevojiten ushtarë, të paktën në Europë. Nuk është e vërtetë, që populistët, ata që çirren, urrejtjenxitësit janë në shumicë. Problemi është, se të arsyeshmit heshtin. Kësaj duhet t'i jepet fund - ky është mësimi sot 80 vjet pas fillimit të luftës. E këtu bën pjesë kujtesa publike për krimet e asaj kohe.