1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Rexhep Taip Erdogan fiton, demokracia humbet

25 Qershor 2018

Turqia votoi në zgjedhje historike presidenciale dhe parlamentare, por votat kanë ndezur debate, Erdogani shpalli fitoren. Kohët që vijnë do të jenë të vështira për opozitën dhe mbrojtësit e saj, mendon Seda Serdar.

https://p.dw.com/p/30E6L
Wahlen Türkei - Erdogan erklärt sich zum Sieger
Fotografi: picture-alliance/AA/K. Ozer

Në Turqi kemi fillimin e një epoke të re: Presidenti Erdogan e ka çimentuar pushtetin për të paktën pesë vitet e ardhshme. Sistemi i ri i qeverisjes i lejon që të emërojë direkt edhe ministra, të lëshojë dekrete presidenciale dhe të emërojë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas të gjitha gjasave, Erdogani arriti që të fitojë shumicën absolute për presidencën e tij, megjithëse AKP-ja e tij humbi vota në zgjedhjet parlamentare që u mbajtën paralelisht. Tani ajo ka vetëm 43,5 përqind të votave - këto janë shtatë pika përqindjeje më pak se në zgjedhjet e kaluara parlamentare.

Fitore e madhe për Erdoganin

Po, është një fitore e madhe për Erdoganin. Por është një fitore e madhe në një vend të polarizuar fort. Në një kohë që mbështetësit e AKP-së festojnë, në gjysmën tjetër të popullit mbizotëron zhgënjim i madh. Por te rezultati i zgjedhjeve është fundi i demokracisë, si e njohim.

Opozita arriti të rikthehet fuqishëm, por jo mjaftueshëm. Pavarësisht një numri të madh ankesash për, si thuhet, falsifikim të zgjedhjeve, AKP e deklaroi veten herët fitimtare - dhe do t'i përmbahet kësaj me çdo kusht. Turqit përjetojnë një lloj Deja-vu-je: edhe në referendumin për kushtetutën më 2017, kampi "Po" fitoi me një shumicë tepër të vogël. Zgjedhjet e djeshme ishin shansi i fundit për ta ndaluar ndryshimin e kushtetutës të vendosur atje. Opozita dhe mbështetësit e saj duhet të gjejnë tani vendin e tyre në sistemin e ri politik.

Bota perëndimore i pa për një kohë të gjatë duarlidhur zhvillimet në Turqi. Këtë ajo do ta bëjë edhe më tej, sepse Turqia është një aleate, të cilën ajo nuk mund ta humbasë pa një pa dy. Por marrëdhëniet e Turqisë me Perëndimin, veçanërisht me Evropën, do të jenë më të tensionuara se kurrë më parë: për Erdoganin, por më shumë për shefat e shteteve dhe të qeverive të Bashkimit Evropian. Sepse Presidenti turk ka siguruar legjitimitetin, për t'i zbatuar edhe juridikisht në mënyrë të sigurtë kompetencat e zgjeruara. Sepse këtë e ka bërë deri tani vetëm me ndihmën e gjendjes së jashtëzakonshme, e cila zgjat deri sot që prej puçit të vitit 2016.

GMF | Seda Serdar
Seda Serdar

Nëse BE u jep fund tani negociatave të anëtarësimit me Turqinë, kjo do të shkelte ndjenjat e gjysmës së popullit turk, i cili lufton edhe më tej për demokracinë. Po të vazhdojë më tej, ai duhet të gjejë një rrugë si ta trajtojë këtë vend, i cili shkel në mënyrë të qendrueshme pikërisht ato vlera, të cilat i përfaqëson në fakt Bashkimi Evropian. Heshtja e deritashme e krerëve ndërkombëtarë të shteteve të lë të kuptosh se në trajtimin e mëtejshëm të Turqisë ata do të tregojnë kujdesin më të madh.

Opozitë pa pushtet

Pas disfatës së opozitës, zgjedhësit e saj janë veçanërisht të zhgënjyer për këtë heshtje. Kundërshtari kryesor i Erdoganit, Muharrem Ince i CHP do të dalë sot para shtypit. Në sfondin e falsifikimit të raportuar të zgjedhjeve para dhe gjatë zgjedhjeve, zhgënjimi i mbështetësve të opozitës është më shumë se i kuptueshëm.

Në një kohë kur opozita pyet veten se çfarë duhet t'i thotë publikut, Presidenti Erdogan duhet të përveshë krahët dhe të përqendrohet në përmirësimin e gjendjes ekonomike të Turqisë. Fitorja në zgjedhje është njëra gjë, por dhënia fund krizës ekonomike do të kërkojë përpjekje më të mëdha. Kjo është sfida më e madhe e Erdoganit - megjithë pushtetin e madh që ka në duart e tij tani Presidenti i vjetër dhe i ri.