1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Jeta mes frikës nga shqiptarët dhe presionit të brendshëm

23 Tetor 2010

Për dhjetë vjet me radhë gazetari nga Berlini Thomas Franke ka vizituar herë pas here një fshat serb në Kosovë. Filmi i tij "Slava". Banda familiare është një rrëfim i qetë për një jetë absurde në natyrë përrallore.

https://p.dw.com/p/Pm1i
Thomas FrankeFotografi: DW

Gorazhdevci, një fshat serb, pranë Pejës. Para pavarësisë së Kosovës. Në oborrin e Miljanko Jeremiçit, ngrihet avulli i nxehtë i kumbullave. Ritualin vjetor të përgatitjes së slivovicës, (raki prej kumbulle) e vëzhgon derrkuci nga një gardh i vogël. Në afërsi të kazanit, aty ku dielli është më i fortë, janë shtrirë një qen i madh bezhë dhe një mace laramane bardhë e zi.

“Ti të vije këtu kur shqiptarët dhe serbët ishin të gjithë ulur bashkë me njëri-tjetrin rreth kazanit, dhe pinim së bashku raki”, i drejtohet Miljanko dokumentaristit mbas kamerës. “Ato ishin kohë të lumtura”. Miljanko është njëri nga afro 300 serbët e mbetur në Gorazhdevc. Gazetari nga Berlini Thomas Franke i ka vizituar ata shumë shpesh gjatë këtyre dhjetë viteve të fundit.

Szene aus dem Film Slava
Skena nga filmi "Slava".Fotografi: D.Witt-Schleuer, bildfang medien produktion, Berlin, 2010

“Për herë të parë shkova në vitin 2000", rrëfen ai për Deutsche Wellen. "Më pas kam shkuar për raste të ndryshme, si ngjarje politike, por edhe për festa familjare”.

Njëra nga këto festa quhet “Slava” - një rit ortodoks për mbrojtjen e shenjtorëve të familjes”.

"Slava" titullohet edhe filmi që Thomas Franke dhe firma e tij "texte und toene" në bashkëpunim me producentin "bildfang" e prezantuan të enjten (21.10.10) në Berlin. Harkun dramaturgjik të dokumentarit që zgjat gati një orë e mban të tendosur një pyetje: Çdo të ndodhë mbas pavarësisë? A do të largohen Ranko dhe Pero e të tjerët? Të gjithë janë bujq, familjet e tyre jetojnë që prej gati 500 vjetësh në Kosovë, në Serbi e gjetkë, ata e ndjejnë veten të huaj. Por as në Kosovë nuk mund të jetojnë më: “Shihni se si rrojmë”, thotë Ratko. “Lëvizim vetëm në dy kilometra hapësirë, me KFOR dhe bashkësi ndërkombëtare”.

Një vrasje e pazbardhur

Thomas Franke ndërhyn shumë pak vetë në histori, pjesën më të madhe të jetës së tyre, në këtë ishull serb në mes të popullsisë shqiptare e tregojnë vetë banorët. Njëri prej tyre kalon përditë nga varrezat ku të bie në sy një monument i madh: Në mermerin e zi janë fotografitë e dy të rinjve, të vrarë në gushtin e vitit 2003.

"Falë zotit, ishin vetëm dy nga 80 fëmijë gjithsej. Ata ishin duke u larë në lum, po të ishin vrarë më shumë? As nuk dua të shkoj nëpër mend” - thotë banori dhe bën kryqin.

Ngjarja ka ndodhur në verën e vitit 2003. “Në Grazhdevc sapo kishin filluar afrimet e para mes serbëve dhe shqiptarëve, ishin nisur disa projekte të përbashkëta me gra dhe të rinj, me kopshte fëmijësh. Fillimi ishte shumë i vështirë, por ishin hapat e para. Pikërisht në këtë moment vriten fëmijët”, thotë Franke.

Szene aus dem Film Slava
Skena nga filmi.Fotografi: D.Witt-Schleuer, bildfang medien produktion, Berlin, 2010

Kush ishte vrasësi? Për këtë shqiptarët akuzojnë serbët, serbët akuzojnë shqiptarët. "Nga të dyja palët dëgjohet e njëjta gjë: Ne nuk vrasim fëmijë”, thotë ai.

Presion kundër integrimit

Përderisa këto krime nuk sqarohen, urrejtja mes dy etnive mbahet e gjallë. Ajo ushqehet edhe nga persona të dërguar enkas nga Beogradi, si për shembull Milislav Petroviç.

“Nuk ka popull më të keq se “shiptari”, thotë i dërguari zyrtar i Beogradit në Gorazhdevc. "Ata janë si insekte dëmprurës". Milislav Petrovic ankohet: “Si mundet të lihet në baltë Serbia që gjithmonë ka luftuar për një Evropë moderne, e gjithë perëndimi të ndihmojë këta "shiptari" të pavlerë?”

Franke thotë se banorët e fshatit zakonisht distancohen nga thënie të tilla radikale, por ata nuk merren as me shkaqet që sollën deri tek lufta: “Ata nuk mund të integrohen në shoqërinë kosovare pa u konfrontuar me krimet e bëra në emër të Serbisë”, gjykon gazetari gjerman. Por edhe integrimi i të rinjve, të cilët nuk kanë lidhje me luftën, është shumë i vështirë. “Presioni brenda komunitetit serb është shumë i madh”, rrëfen Franke. Shumë të rinj që shkonin të mësonin shqip në Pejë nuk pranonin të dilnin para kamerave. As kryetari i bashkisë që paguhej nga OKB-ja nuk pranon të dalë në intervistë.


Bashkëjetesë e pasigurt

Szene aus dem Film Slava
Jeta nën presion.Fotografi: D.Witt-Schleuer, bildfang medien produktion, Berlin, 2010

Gorazhdevci pas pavarësisë së Kosovës. Ranko del në Pejë për t'u takuar me gazetarin. Gjendja në fshatin e tij është shumë e tensionuar. Në sfond duken varrezat serbe, të braktisura dhe të lëna pas dore. Pastaj dëgjohen thirrje njerëzish: Shqiptarë? Ranko nuk flet më serbisht, largohet menjëherë në një drejtim tjetër, për të humbur gjurmët.

Filmi i Thomas Frankes është një prodhim i pavarur dhe i xhiruar me qetësi, pa presionin e prodhimeve televizive. Ai rrëfen shtruar dhe me anë të pamjeve gjithë kontradiktat dhe absurditetin e jetesës në një botë me natyrë idilike, ku edhe macja me qenin arrijnë të merren vesh për ta shfrytëzuar bashkërisht atë copë toke me më shumë diell, ndërsa njerëzit jo.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Bahri Cani