1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Janë kritika të rënda, ato që bën Murat Kurnazi

Auron Dodi19 Tetor 2006

Shumë komentatorë gjermanë të shtypit të së enjtes ndalen në rastin e Murat Kurnazit, të riut turk të rritur në Gjermani, i cili u mbajt për një kohë të gjatë pa faj në kampin e të burgosurve amerikanë në Guantanamo, më pas edhe me dijeninë e autoriteteve gjermane.

https://p.dw.com/p/ArnP
Ish i burgosur i Guantanamos, Murat Kurnaz
Ish i burgosur i Guantanamos, Murat KurnazFotografi: AP/Radio Bremen TV

Ja se ç'shkruan për këtë rast gazeta që botohet në Kassel, HESSISCHE/NIEDERSÄCHSISCHE ALLGEMEINE:

"Si një mozaik me shumë pjesë e gjithë tablloja tani po merr formën e saj të plotë. Ende nuk dallohet çdo detaj. Ka ende shumë pjesë që mungojnë. Por e qartë tani është se ushtarët gjermanë e dinin se amerikanët mbanin të burgosur në Afganistan një gjerman. E qartë është edhe se krerët politikë nuk u informuan, ose nuk u informuan saktë për këtë rast. A nuk kishte ministri i atëhershëm i mbrojtjes, Rudolf Sharping me të vërtetë dijeni? Këtë ne nuk e mësojmë. Ne nuk mësojmë edhe nëse gjermanët e kanë marrë në pyetje të burgosurin me metoda të palejuara, ose nëse e kanë keqtrajtuar atë. Marrjet në pyetje të ushtarëve gjermanë dhe ish-ushtarëve nga largësia, të lënë përshtypjen e një mungese angazhimi për ta sqaruar këtë me të vërtetë. Ndërsa ngritjen e një komisioni hetimor e pengojnë partitë anëtare të koalicionit të madh qeveritar. Hë për hë, të paktën. Mund të gjenden edhe pjesë të tjera të mozaikut."


MAIN ECHO që del në Ashafenburg flet për kritikat e Kurnazit organeve gjermane:

"Janë kritika të rënda, ato që bën Murat Kurnazi...Që janë vështirë të përfytyrohen, për të thënë të vërtetën. Nëse rasti Kurnaz të mos kishte qenë pas rastit El Masri, i dyti rast delikat diplomatik dhe politik për politikën gjermane, kur ajo si të thuash ngriu nga frika përballë amerikanëve- kritikat e ish- të burgosurit me siguri do të qenë trajtuar si shqetësime të përkohshme posttraumatike. Por në kushte të tilla, një rast i tillë duhet të hetohet më me rreptësi, edhe në interesin e vetë Bundesverit."


Ndërsa gazeta e Zaarbrykenit, SAARBRÜCKER ZEITUNG mendon se përpjekjet që po bëhen për ta sqaruar rastin Kurnaz janë serioze:

"Duket, se po bëhen përpjekje serioze, për të sqaruar kritikat e Kurnazit - asgjë tjetër veç sqarimit të plotë nuk mund të presësh nga ministria. Në fund të fundit, është në lojë emri i Bundesverit. Fillimisht në fuqi është supozimi i pafajësisë. Por shumë dendur, në vitet e fundit, në luftë kundër terrorit janë zhvilluar gjëra, të cilat më parë nuk do t'i kishim konsideruar të mundura. Por: e konfirmuar nuk është asgjë. Përveç ndoshta faktit, që ekzistojnë deficite të konsiderueshme në komunikimin midis ushtarëve në front dhe udhëheqjes së tyre. Dhe kjo është mjaft shqetësuese."

Në mënyrë më të diferencuar e sheh këtë rast SÜDWEST PRESSE, që botohet në Ulm:

"Në rastin e Kurnazit tani qëndrojnë pohimi përballë pohimit. Pohimi i ish të burgosurit të Guantanamos nga Bremeni, se e kanë keqtrajtuar në Afganistan ushtarët gjermanë, peshon rëndë. Por deri tani nuk ka asnjë shkak, për të dyshuar në paraqitjen e ministrisë së mbrojtjes, se nuk kanë ndodhur gjëra të tilla. Megjithatë, dosjet është shumë herët që të mbyllen. Sidoqoftë qeveria gjermane pranon se ka pasur kontakte midis Kurnazit dhe ushtrisë gjermane. Nëse në to janë shkëmbyer vetëm fjalë ose ka pasur cënime fizike, kjo duhet të sqarohet më intensivisht se deri tani. Trajtimi i të burgosurve në kampet e ngritura nga amerikanët ka qenë brutalë - dyshimi se edhe gjermanët mund të kenë vepruar në to në kundërshtim me ligjin duhet sqaruar urgjentisht."

Së fundi, edhe komentatori i LEIPZIGER VOLKSZEITUNG kërkon sqarim të plotë të rastit Kurnaz:

"Ushtria gjermane nuk duhet të qetësohet, derisa prej saj të jetë larguar çdo element sado i vogël i kritikës, se disa nga anëtarët e saj e kanë humbur kontrollin në rrethana të rënda. Çdo dyshim duhet të eleminohet që ushtarët gjermanë mund të shkelin, sipas modelit të keq amerikan, në një lloj shoqërie lufte të drejtën ndërkombëtare, ligjet gjermane dhe çdo moral. Mjafton që autoritetet gjermane, në një mënyrë të papërgjegjshme dhe pa hapur gojën kanë vërejtur se si bashkëatdhetarët në botën e jashtme arrestohen, merren në pyetje dhe përpunohen nga partnerët e aleancës."