1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hetime ndaj njësiteve speciale të SHPK-së

Bekim Shehu9 Janar 2007

Policia në Kosovë ka filluar hetimet ndaj njësiteve speciale të SHPK-së. A i kanë tejkaluar njësitet speciale kompetencat gjatë një bastisje të disa shtëpive në një fshat të banuar me serbë

https://p.dw.com/p/ArZu
Prishtina
PrishtinaFotografi: DW

Policia ka filluar hetimet ndaj veprimeve të njësiteve speciale të policisë, gjatë një bastisje të disa shtëpive një javë më parë në një fshat të banuar me serbë, Babinmost jo larg Prishtinës. Aty u konfiskua një sasi e madhe armatimi ilegal. Bastisja ndodhi kur në këtë fshat, i cili gjendet në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë, nga persona të panjohur u vra një pjesëtar shqiptar i SHPK-së. Policia akoma është duke zhvilluar hetimet për këtë rast, por nuk ka ndonjë person të arrestuar. Disa pjesëtarë të komunitetit serb, janë marrë në pyetje nga policia. Mirëpo, mediat serbe, shkruajnë se një serb Sreqko Simic, i cilësuar si i dyshuar për vrasjen e policit shqiptar është keqtrajtuar nga pjesëtarët e SHPK-së. Këto njoftime hidhen poshtë nga zyrtarë të SHPK-së, të cilët thonë se serbi Sreqko Simiq, nuk është i dyshuar për vrasje.

Mediat serbe shkruajnë poashtu se serbi, Sreqko Simiq, së bashku me familjen e tij është ftuar që të largohet nga Kosova dhe të shkojë në Beograd. Kjo ftesë thuhet se është bërë drejpërdrejt nga, kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica. Ato nuk japin detaje të tjera për arsyen e largimit të Sreqko Simiqit, nga Kosova. Vrasja e policit shqiptar në një fshat serb, ka bërë që udhëheqësit e SHPK-së, të takohen me udhëheqësit e serbëve të Kosovës dhe t'u shpjegojnë atyre nga afër procedurat e hetimit të këtj rasti. Kjo për faktin që menjëhere pas bastisjes së disa shtëpive në fshatin serb, Babinmost, në mediat serbe, filluan spekulimet për keqtrajtime të serbëve nga SHPK-ja që sipas mediave serbe kanë për qëllim frikësimin e serbëve dhe largimin e tyre nga Kosova.

Këto spekulime janë cilësuar të pavërteta nga udhëheqësit e institucioneve të Kosovës dhe zyrtarë të administratës ndërkombëtare.