Greqi: Refugjatёt e harruar nё Lesbos | Ballkani | DW | 21.12.2017
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Greqi: Refugjatёt e harruar nё Lesbos

Ishulli Lesbos njё hotspot pёr refugjatёt, ku jetojnё rreth 3000 syresh. Ata nuk mund tё lёvizin askund tjetёr dhe jetojnё nё kushte katastrifke. Situata precipiton nga dita nё ditё. Banorёve po u humbet durimi.

Irakiani Ahmed al Majeed pёr tё pirё njё çaj tё ngrohtё nё mёngjes pas njё natё tё ftohtё nё ishull, i duhet tё ndezё njё copё karton, sepse prej kohёsh ai dhe shokёt e tij nuk kanё mё asnjё copё dru pёr zjarr. Që prej dy muajsh irakiani Ahmed al Majeed ka mbetur i bllokuar në një strehimore të improvizuar pranë strehimores zyrtare të refugjatëve Moria. „Ne nuk kemi energji elektrike, as banjë. Po ashtu ne nuk kemi as ujë për t'u larë apo për të larë rrobat. Shumë refugjatë janë të sëmurë, por ne nuk na jepet ndihmë mjekësore, vetëm në raste emergjence."

Strehimorja Moria aty pranё i ngjan një zone të sigurisë së lartë - e krijuar për qendrimin e refugjatëve në ishull derisa të shqyrtohet kërkesa e tyre për azil. Këtu ndalohet rreptësisht xhirimi me kamera. Po ashtu ndalohet edhe hyrja për gazetarët.

Kushte të mjerueshme jetese

Ahmed al Majeed na tregon, se ҁfarë ndodh brenda strehimores: Anë e mbanë vjen erë tym, mbeturinash dhe fekalesh. Sekretariati i OKB-së për refugjatët, UNHCR, e ka cilёsuar së fundi të rrezikshme strehimoren Moria për gratë dhe fëmijët - e pikërisht atyre u duhet të qendrojnë të ngujuar këtu. Shumë prej tyre ndodhen me muaj në strehmore.

Refugjat: „Ne nuk na japin dokumenta për t'u larguar nga strehimorja. Policia nuk kujdeset për sigurinë tonë. Eshtë lagështirë dhe ne nuk kemi energji."

Banorët po e humbasin durimin

Për t'u ngrohur secili përpiqet të gjejë mënyrën e vet, sepse po bëhet gjithnjë e më ftohtë. Disa djegin pemët e ullinjve, për të bërë zjarr. Por ata kanë dëmtuar ulishtat e pronarëve si Stelios Kathiotis. Kur ai vjen te ullishtat e tij indinjohet e mezi e mbledh mendjen. Në këtë ullishtë ai ka investuar gjithë jetën e tij, por tashmë nuk ka mbetur shumë gjë prej saj. Me breza në familjen e tij kanë kultivuar ullinj. Disa pemë janë deri në 300 vjeçare.

Stelios Kathiotis: „Të gjtiha këto pemë janë djegur. Nuk ka mbetur më asgjë prej tyre. Ato nuk do të rriten më, janë shkatërruar tërësisht. Këtu dikur ka pasur 120 pemë ulliri. Tani kanë mbetur vetëm katër. Askush nuk na zhdëmton ne, apo as nuk kujdeset për t'i ndaluar refugjatët."

Stelios Kathiotis tregon, se si refugjatёt hyjnë e dalin në ullishtë përmes një të çare në gardh. Të gjitha përpjekjet për t'i denoncuar refugjatët në polici kanë qenë pa sukses. Madje edhe për këtë arsye refugjatët i janë vërsulur tani edhe bagëtisë së tij. Ata që kanë qenë së fundi kanë lënë këtu madje edhe veglat me të cilat kanë shkaktuar dëmin, thotë bujku. Këtë ai tani e tregon si një trofe. Një çantë shpine e sekretariatit të OKB-së për refugjatët dhe një thikë - për të një dëshmi e qartë, se këtu kanë qenë refugjatët. Përse refugjatët i therin delet e tij, për këtë bujku ka një teori të vetën. „Ato nuk e vjedhin bagëtinë, prej urisë. Por ata i therin delet për t'i shitur ato më tej. Një apo dy vetë nuk mund të hanë shtatë apo dhjetë dele. Ne i kemi parë vet. Ata ua kanë shitur ato refugjatëve të tjerë. E pastaj ato i pjekin në hell delet këtu tek ullishtet tona."

Fshati Moria ndodhet në gjendje alarmi - Stelios Kathiotis dhe banorët e tjerë takohen rregullisht këtu për të gjetur rrugëdalje nga kriza. Kryetari i fshatit Nikos Trakellis sapo është kthyer nga Athina dhe njofton për bisedimet që ka pasur atje me qeverinë greke - ai nuk mund t'u japë shumë shpresa njerëzve këtu.  „Nëse situata mbetet kështu siç është tani dikur do të ketë dhunë mes refugjatëve dhe vendasve. Deri tani ne i kemi toleruar plaçkitjet dhe për fat gjendja deri më sot ka qenë paqësore. Por është vetëm çështje kohe, derisa kjo të ndryshojë."

Shpresa humbet e fundit

Ahmed al Majeed është arratisur nga vendi i tij prej dhunës. Ai nuk do të vihet në një kandar me ata që nuk i respektojnë ligjet. Ai do që të largohet nga ishulli Lesbos. Por një biletë për në Athinë është për të tani një ëndërr e largët. „Unë tani po pres të shqyrtohet kërkesa ime për azil. Por refugjatë të tjerë presin qysh prej tetë muajsh. Ata nuk na lejojnë ne të udhëtojmë më tej. Kështu disa mendojnë të arratisen nga Lesbos."

Ai ende e bluan në mendje arratinë, ndërsa të tjerët kanë një plan konkret. Çdo mbrëmje ata përpiqen pa rënë në sy që kalojnë gardhin për të hipur në traget. Rrugëdalja e fundit nga ishulli, i cili u duket tani atyre si burg.