1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Replika në distancë për marrëveshjen e Uashingtonit

Bekim Shehu
9 Shtator 2020

Lideri i Vetëvendosjes Kurti paralajmëron, se nëse rikthehet në qeveri, nuk do ta zbatojë marrëveshjen Kosovë-Serbi të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë. Grennell kundërpërgjigjet, se Albin Kurti është kundër SHBA-së.

https://p.dw.com/p/3iDET
Kombobild | Richard Grenell und Albin Kurti

Po zhvillohen replika në distancë ndërmjet të ngarkuarit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell dhe liderit të lëvizjes Vetëvendosja, Albin Kurti. Ky i fundit e qeverisi Kosovën vetëm 50 ditë dhe kishte mospajtime të thella me ndërmjetësuesin amerikan, Richard Grenell përsa i përket dialogut dhe reciprocitetit me Serbinë. Albin Kurti, pas nënshkrimit të marrëveshjes për normalizimin ekonomik Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, tha se nëse "nëse ai do ta rimarrë sërish udhëheqjen e qeverisë, nuk do të jetë i obliguar ta zbatojë marrëveshjen e Uashingtonit”, sepse sipas tij ajo "është e dëmshme për Kosovën”.

"Ne nuk kemi detyrime për zotimet e kryeministrit të paligjshëm të Kosovës kur të kthehemi në detyrë. Nënshkrimi i tij poshtë teksteve jo koherente dhe jo transparente është kundër vullnetit të popullit, rendit demokratik dhe shkel kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Ato nuk do të ratifikohen në Parlamentin tonë. Ndërmjetësit duhet të përmbahen nga nxitja e marrëveshjeve që shkaktojnë përçarje të mëtejshme midis Kosovës dhe Serbisë. Vetëm dialogu parimor dhe i përgatitur mirë çon në marrëveshje të drejta dhe të qëndrueshme”, shkroi Albin Kurti në Twitter.

USA will Sonderwirtschaftszone für Serbien und Kosovo
Nënshkrimi i marrëveshjes ekonomike, Kosovë-SErbiFotografi: picture-alliance/AP Photo/E. Vucci

Grenell: Albin Kurti kundër SHBA-së

Nuk vonoi shumë  dhe erdhi reagimi i emisarit amerikan, Richard Grenell, i cili Albin Kurtin e cilësoi një politikan që është kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. "Një gjë është e sigurt, gjithmonë mund të llogarisni që Albin Kurti do jetë kundër Shteteve të Bashkuara. Ai ishte kundër ideve të Obama's, si dhe ato të Bushit. Simbolizmi nuk paguan qiranë; vendet e punës e bëjnë", shkroi Grenell në Twitter, duke i reaguar Kurtit.

Partia e Albin Kurtit Vetëvendosja, e cila në zgjedhjet e fundit doli e para, por, nuk arriti të mbajë qeverinë më shumë se 50 ditë, sërish ju përgjigj Richard Grenellit, duke thënë se "kritikat e Grenellit se "Kurti ka qenë gjithmonë kundër SHBA-së”, tregojnë për mënyrën se si ai negocion dhe partnerët që i dëshiron ai”.

"Ka qenë fat i mirë që Qeveria Kurti ishte në pozitë edhe për shkurt aq sa të pengonte projektet e Thaçit për ndarjen e Kosovës. Duket se Grenellit i pëlqen të ketë negociatorë si Hoti e Vuçiqi që ia bëjnë aminin pa marrë parasysh, cilat janë interesat e Republikës së Kosovës”, deklaroi në një konferencë për Media për këtë cështje, Arbërie Nagavci nga Vetëvendosja, e cila është edhe nënkryetare e parlamentit. Sipas saj, "marrëveshja e Uashingtonit duhet të shihet me sy shqetësues sepse, "ajo hap tema që ngjajnë në bombë të kurdisur”. Ndërkohë Vetëvendosja e ka inicuar edhe një mocion mosbesimi për qeverinë e Kosovës e udhëhequr nga Avdullah Hoti, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, por akoma nuk ka arritur të sigurojë të gjitha nënshkrimet e nevojshme të deputetëve.

Belgien | Dialog Kosovo in Brüssel
Fotografi: DW/A. Bajrami

"Simbolizëm dhe fjalë për 21 vjet"

Kryeministri, Avdullah Hoti nga ana e tij, vazhdon ta mbrojë marrëveshjen e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, duke e cilësuar historike. "Marrëveshja është hap i madh drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Synimi ynë është arritja e njohjes reciproke dhe marrëveshja e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë me karakter ekonomik, është një hap shumë i rëndësishëm drejt arritjes së njohjes reciproke”, tha Hoti.  

Edhe i dërguari amerikan në dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, marrëveshjen e cilëson po ashtu historike, duke thënë se "me hapjen e vendeve të reja të punës në dy vendet, luftërat politike të viteve të fundit do të lihen anash.” Kështu është shprehur Richard Grenell në një intervistë për mediumin "ACLJ.org”. "Kjo marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë është historike. Ne kemi qenë duke luftuar për simbolizëm dhe fjalë për 21 vjet. Këtë e quajnë proces politik. Vendet nuk kanë qenë në gjendje të lëvizin para në ekonomi. Donald Trump më ka thënë t'i bëjmë bashkë për normalizim ekonomik, të tentojmë të punojmë së bashku për punë të mira për të rinjtë, kjo ka qenë ideja. Injorimi i luftërave të fjalëve dhe simbolizimit. Të tentojmë të shtyjmë palët të ulin barrierat sa më poshtë që të munden në aspektin ekonomik”, tha Grenell, duke qenë i bindur se "Kosova e Serbia nuk do të shohin më nga Rusia e Kina, por nga SHBA-ja”.

"Të dy shtetet janë pajtuar t'i zgjerojnë burimet e tyre të energjisë që do të thotë se, për Serbinë është shumë e rëndësishme pasi 100 për qind e energjisë së saj vjen nga Rusia dhe ata janë pajtuar që ta zgjerojnë burimin e tyre të energjisë e që do të thotë të largohen nga Rusia”, tha Grenelli.

Megjithatë në Kosovë marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike Kosovë-Serbi, e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë  vazhdon të kritikohet nga partitë opozitare. Ato kanë kërkuar raportim në Kuvend të kryeministrit Avdullah Hoti. E ky i fundit tashmë ka bërë kërkesë formale për raportim në kuvend "Në bazë të kompetencave dhe përgjegjësive të mia kushtetuese e ligjore, jam i gatshëm që në njërën nga seancat e radhës të Kuvendit të Republikës së Kosovës të raportoj para deputetëve për marrëveshjen në fjalë, si dhe për procesin e dialogut në përgjithësi”, shkroi Hoti, i cili ende nuk ka një përgjigje nga Kuvendi për seancën e raportimit.