1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE-Maqedoni në Samitin e qershorit

Silvera Padori/Fatos Musliu 27 Qershor 2013

Përfaqësues të politikës gjermane komentojnë për Deutsche Welle mungesën e Maqedonisë nga fokusi i Këshillit të Europës. Problemi i emrit mbetet ende një nga sfidat që pengon edhe BE për tu marrë me këtë vend ballkanik.

https://p.dw.com/p/18xDn
Fotografi: DW/S. Padori

 Në muajt e kaluar shumë politikanë nga Maqedonia qëndruan në Berlin për tu takuar me kolegë gjermanë me qëllim që Maqedonia në Samitin e qershorit të BE-së të marrë datën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Një pjesë e bashkëbiseduesve gjermanë janë shprehur optimistë, një pjesë ka manifestuar rezerva ndërsa një pjesë ka qenë pesimiste. Eskpertët, ndërkohë kanë paralajmëruar se Maqedonia nuk ka një bazament të vërtetë të mbështetjes në asnjë shtet anëtar të Unionit dhe nuk duhet të presë ndonjë sinjal pozitiv nga samiti i qershorit. Tanimë është e qartë - Maqedonia nuk arriti as në rendin e ditës në Këshillin e Evropës. Në pyetjen pse ndodhi kjo, disa përfaqësues të politikës gjermane përgjigjen:

"Zgjidhni emrin! Gjatë viteve të fundit po ndjekim reformat dhe gjithçka që po ndodh në vend. Maqedonia gjithësesi është e rëndësishme për sigurinë e Evropës dhe Ballkanit Perendimor. Nga ky aspekt, sigurisht anëtarësimi në BE është i rëndësishëm. Për këtë arsye ju lutem zgjidhni problemin e emrit”,  ka deklaruar Emili Haber, sekretare shtetërore në MInistrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë.

Emri kusht edhe për Greqinë?

"Duam të ndihmojmë që Maqedonia të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, por BE ka kushte të cilat duhet të respektohen.  Në qoftëse zhvillimi i brendshëm politik është në kundështim me këto kushte, atëherë duhet të presim. Gjermania ka durim të madh strategjik dhe është e gatshme ta ndihmojë Maqedoninë. Por, nuk mund të ndihmohet vetëm nga jashtë. Forcat shoqërore, shteti, parlamenti, opozita, partitë në pushtet, organizatat joqeveritare, duhet të mendojnë dhe të vendosin nëse dëshirojnë ta tejkalojnë qorrsokakun strategjik në të cilin ndodhen, ose dëshirojnë të humbasin edhe disa vite. Pyetja është si vijon: A po punohet që të fitohet në kohë dhe të bëhet një kalim i shpejtë në BE apo po shkohet drejt një paralize të brëndshme politike? Përgjigjen e këtyre pyetjeve e kanë në dorë vetë populli I Maqedonisë ose më saktë- përgjegjësit politikë të cilët vetë duhet të vendosin se çfarë dëshirojnë”, ka deklaruar Roderik Kizeveter, deputet në Bundestag ( CDU-CSU), i cili shpreson se Maqedonia do të gjejë forca për të bërë hapin e nevojshëm .

Europatag
Pamje nga aktiviteti "Europa është këtu" në MaqedoniFotografi: DW/S. Padori-Klenke

Në vërejtjen e DW-s se bllokimin po e bën Greqia, ndërsa Evropa përfshirë këtu edhe Gjermania nuk po ndërrmer asgjë, Kiziveter komentoi:

“Gjithësesi po tentojmë të kemi ndikim prapa kuintave. Greqia në fakt duhet patjetër të bëjë lëvizje në këtë çështje. Greqia ka investuar shumë në armatim. Greqia përfundimisht tani arriti që politikisht dhe financiarisht të lëvizë me rregullimin e tatimeve. Parlamentarët gjermanë presin lëvizje edhe në kontestin me emrin. Absolutisht! Vlerësimet e mia personale shkojnë në këtë drejtim: ndoshta është dashur që edhe Greqia të kushtëzohet me zgjidhjen e çështjes së emrit”, thotë Kiziveter.

Kur mundet Serbia pse jo edhe Maqedonia?

"Tani fokusi i bisedimeve është përqëndruar në ato me Serbinë. Kur Serbia dhe Kosova janë në gjendje ti tejkalojnë problemet të cilat realisht ende janë të pazgjidhura, por janë në rrugë të mbarë, atëherë vlerësoj se ështe e mundur që të arrihet edhe zgjidhja e problemit të emrit”, deklaron Joakim Shpac zëdhënës për politikën evropiane në grupin e deputetëve të liberalëve në Bundestag. Sipas tij, përkrahja për Maqedoninë vjen nga shumë parlamentarë, por edhe nga qeveria, puna e së cilës dallon nga karakteri dhe manifestohet në mënyra të ndryshme.

Nikola Gruevski und Stefan Füle in Brüssel
Kryeministri Nikolla Gruevski dhe Komisari për zgjerim i BE, Stefan Füle gjatë një takimi në BrukselFotografi: MIA

,,Duhet të kihet parasysh se ka edhe probleme të tjera të mëdha për zgjidhje ( Greqia, Qipro), por qëllimi i qeverisë mbetet: anëtarësimi i tërë Ballkanit përfshirë edhe Maqedoninë. Gjermania realisht dhe faktikisht qëndron pas këtij përcaktimi “,  vlerëson Joakim Shpac ( FDP).

Për Valter Kolbo, ish parlamentar i SPD-së dhe kryetar aktual i shoqatës gjermano-maqedonase, refuzimi i Evropës për tu kyçur në zgjidhjen e problemit me emrin është e lidhur me krizën financiare e cila ka mbyllur horizontin e BE-së në shumë sfera të rëndësishme në Evropë.

,,Sipas meje, një nga gabimet që nuk mund të përmirësohet për momentin dhe për të cilin vetëm mund t'na vijë keq  është që emrI nuk u zgjidh në kohën kur e gjithë vëmendja ishte e kthyer nga Greqia dhe kur ajo priste solidaritetin e madh të Unionit. Vlerësoj se pas zgjedhjeve të shtatorit për Bundestag -un dhe para zgjedhjeve për institucionet evropiane ( qershor 2014) do të duhej të inicohet debat për relativizimin e vetos greke dhe përfundimisht fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë në BE,   ndërkohë Maqedonia do të duhej me të vërtetë të punonte shumë seriozisht sa i përket zhvillimeve demokratike”, këshillon  Valter Kolmo.