1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania: Kosovës i duhen institucione funksionale

6 Mars 2026

Pas krizës së re institucionale në Kosovë qeveria gjermane thekson rëndësinë e institucioneve për integrimin e vendit në BE

https://p.dw.com/p/59vVf
Kosovë – Johann Wadephul dhe Vjosa Osmani shtrëngojnë duart në Prishtinë
Foto nga arkivi: Kosovë – Takimi i ministrit të Jashtëm të Gjermanisë Johann Wadephul me presidenten Vjosa Osmani në Prishtinë (2025)Fotografi: Bekim Shehu/DW

Gjermania reagoi ndaj krizës së re institucionale në Kosovë. Në Konferencën Federale të Shtypit në Berlin, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane, Martin Giese, theksoi rëndësinë e institucioneve funksionale në vend. "Kosovës i duhen institucione funksionale”, tha ai. Sipas qeverisë gjermane, kjo është e rëndësishme edhe për vazhdimin e dialogut të normalizimit të udhëhequr nga Bashkimi Evropian mes Kosovës dhe Serbisë. "Integrimi i Serbisë dhe Kosovës në BE mund të arrihet vetëm përmes këtij dialogu të normalizimit”, u shpreh Giese.

Reagimi vjen pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shpërndau Kuvendin e Kosovës. Më parë, Parlamenti i Kosovës dështoi ta zgjedhte presidentin e vendit. Situata institucionale tani pritet të sqarohet përmes vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Nëse Gjykata Kushtetuese konfirmon vendimin e presidentes, Kosova mund të përballet me zgjedhjet e treta parlamentare brenda pak më shumë se një viti.

Gjermania ka interes politik për një Kosovë të qëndrueshme, sepse siguria në Ballkanin Perëndimor konsiderohet strategjikisht e rëndësishme për Evropën. Që nga viti 1999, Gjermania merr pjesë në misionin e NATO-s Kosovo Force (KFOR) dhe aktualisht mund të dislokojë deri në 400 ushtarë të Bundeswehr-it në vend në rast nevoje.