1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

130709 Gas Balkan

13 Korrik 2009

Ish-ministri i Jashtëm gjerman Joschka Fischer është këshilltar i projektit Nabucco dh i bën kështu konkurrencë ish-shefit të tij në kabinetin qeveritar, kancelarit Gerhard Schrëder, i cili punon për gazsjellësin rus.

https://p.dw.com/p/ImR9
Tubacione per gazsjelles
Shumë vende të Ballkanit janë të interesuara për importimin e gazit nga Azia Qendrore dhe projektin Nabucco.Fotografi: AP

Pas mosmarrëveshjeve të vitit të kaluar mes Rusisë dhe Ukrainës BE-ja është e interesuar që ta zvoglojë varësinë nga gazi rus. Vendet më të prekura ishin Hungaria, Rumania, Bullgaria, por mundësia e mungesës së gazit kërcënonte edhe Gjermaninë.

Për shumë vende të Ballkanit një alternativë ndaj gazit rus është e rëndësisë së dorës së parë, sepse fjala është për nevojat e konsumatorëve privatë dhe ekonominë e vendit. Ato janë të interesuara për importimin e gazit nga Azia Qendrore, ndonëse nuk duan të heqin dorë nga gazi rus, sepse varësia aktualisht është tepër e madhe.

Kryeministri i ardhshëm i Bullgarisë, Bojko Borisov pohon se është i interesuar për projektin Nabucco, por edhe për nënshkrimin e projektit „South Stream“, për kalimin e gazit rus përmes Detit të Zi, Greqisë, Ballkanit e deri në Itali. Marrëveshjen për këtë projekt e kanë nënshkruar deri tani Bullgaria, Serbia dhe Hungaria.

Një degë e këtij gazsjellësi duhet të kalojë edhe nëpër Austri, e cila po zhvillon negociata me Rusinë. Njëkohësisht Vjena angazhohet për projektin Nabucco. Fjala është për shumë para, ndërsa koncerni austriak OMV, është i interesuar të bëhet pjesë e tij. Para shtatë vjetësh koncerni ka nënshkruar marrëveshje me partnerë nga Hungaria, Rumania, Bullgaria dhe Turqia. Tani në Ankara duhet të jepet sinjali përfundimtar, ndërsa vendimi për investimet do të merret në fillim të vitit të ardhshëm. Ministri i Jashtëm austriak, Michael Spindelegger, sqaroi në Berlin: "Financimi është sqaruar. Gazsjellësi do të kalojë edhe nëpër Turqi, ndonëse duhet sqaruar se sa do t'i mbetet këtij vendi. Projekti duhet të realizohet deri në vitin 2013.“


Projekti Nabucco parashikohet si plotësim për gazin rus dhe jo si konkurrencë për projektet e Gazpromit, pohon qeveria në Vjenë. Përveç projektit „South Stream“ këtu bën pjesë edhe gazsjellësi përmes Detit Baltik, i cili do të fillojë me furnizimin e Gjermanisë në fund të vitit 2011. Në të marrin pjesë edhe koncernet gjermane Eon dhe BASF.

Joschka Fischer
Joschka FischerFotografi: AP

Projekti mbështetet prej ish-kancelarit Gerhard Schrëder. Ndërkohë që në projektin konkurrent Nabucco, ku bëjnë pjesë edhe koncernet OMV dhe RWE, si këshilltar është ish-bashkëpunëtori i tij i ngushtë në kabinetin qeveritar, ish-ministri i Jashtëm Joschka Fischer. Fischer është përgjegjës për konktaktet politike me vendet përmes së cilave kalon gazi. Qeveria austriake nuk ka asgjë kundër angazhimit të Fischerit.

"Besoj se me personalitete të tillë projekti Nabucco vjen automatikisht në qendër të vëmendjes, gjë që është mirë. Shumë kohë është debatuar nëse projekti do të pranohet prej palës gjermane. Ndërkohë çështja është sqaruar dhe është me rëndësi që për këtë projekt angazhohen edhe personalitete të tillë.“ - tha ministri i Jashtëm austriak, Michael Spindelegger.

Autor: Jörg Brandscheid/Bahri Cani
Redaktoi: Pandeli Pani