Frid: ″Ata që sulmojnë pakicat kombëtare nuk mund të quhen patriotë por qyqarë″ | Ballkani | DW | 28.09.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Frid: "Ata që sulmojnë pakicat kombëtare nuk mund të quhen patriotë por qyqarë"

Rihapet për disa orë në Mitrovicë ura qëndrore që ndan qytetin në dy pjesë, në atë shqiptare në jug dhe serbe në veri. Përfaqësuesi amerikan në Grupin e Kontaktit, Daniell Frid, në Mitrovicë u bëri thirrje serbëve që të marrin pjesë në institucionet e Kosovës

Kfori në Mitrovicë

Kfori në Mitrovicë

Ura qendrore mbi lumin Ibër që ndanë qytetin e Mitrovicës në dy pjesë është rihapur sërish për qarkullimin e qytetarëve, por nën mbikqyrje të rreptë të forcave paqerujatëse dhe policisë ndërkombëtare. Pas afro një muaj të mbylljes së saj, ura u rihap të hënën vetëm disa orë, por u mbyll serish pasi një grup të rinjsh shqiptarë sulmuan një pjesëtar të komunitetit serb në veri të urës. Ky incident dhe shpërthimi në pjesën veriore të Mitrovicës që shkaktoi mbylljen e Urës u dënuan ashpër nga udhëheqësit e institucioneve të Kosovës dhe diplomatët ndërkombëtare.

Ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit për Evropë dhe Euroazi, Daniell Frid, gjatë një vizite në Mitrovicë, tha se, ata që sulmojnë pakicat kombëtare nuk mund të quhen patriotë por qyqarë. Daniell Frid, zhvilloi në Mitrovicë biseda me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, duke ftuar ata që të marrin pjesë në institucionet e Kosovës dhe për këtë e ka ofruar mbështetjen e SHBA-së. Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës ndërkaq, kanë shprehur shqetësimin e tyre për incidentet e fundit në Mitrovicë dhe kanë kërkuar nga të gjitha institucionet që të ndërmarrin masat e nevojshme.

I vetmi person i arrestuar si i dyshuar për shpërthimin në pjesën veriore të Mitrovicës, një i ri shqiptar është liruar nga paraburgimi në mungesë të provave, mirëpo megjithatë atij i është shqiptuar arresti shtëpiak derisa të përfundojnë hetimet. Gjendja në qytetin e Mitrovicës sipas policisë aktualisht është stabël, mirëpo, tensionet vazhdojnë të jenë të larta. Për të qetësuar gjendjen në qytetin e Mitrovicës janë angazhuar edhe udhëheqësit komunalë të këtij qyteti duke zhvilluar takime të njëpasnjëshme me qytetarët. Edhe Sadri Ferati, shef i ekzekutivit të komunës së Mitrovicës, fton qytetarët që të vetpërmbahen si edhe të mënjanojnë incidentet ndëretnike dhe t'i kontribojnë paqes.

Ndërkohë Grupi i Kontaktit në deklaratën e tij të fundit ka vënë në dukje se, incidentet e fundit që ndodhën në Kosovë janë të papranueshme për faktorin ndërkombëtar. Ata thonë se personat që shkaktojnë dhunë të çfarëdo lloji apo kushdoqofshin ata janë kundër qëllimit të qytetarëve të Kosovës dhe të ardhmes së saj.

Vetë kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ka deklaruar se ka shenja që gjatë periudhës së përcaktimit të statusit, Kosova mund të destabilizohet nga Serbia dhe siç është shprehur ai, nga argatët e saj që veprojnë në Kosovë. Megjithatë, kryeministri është shprehur se gjendja e sigurisë në esencë është stabël dhe Kosova po vazhdon me kursin e duhur në kuadër të procesit të zgjidhjes së statusit përfundimtar.

  • Data 28.09.2006
  • Autor Bekim Shehu
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArcH
  • Data 28.09.2006
  • Autor Bekim Shehu
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArcH
Reklamë