1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Franca përgatitet për refugjatët

Elisabeth Bryant22 Shtator 2015

Për të lehtësuar Gjermaninë fqinje, qeveria franceze po merr refugjatë nga Siria dhe Iraku. Organizatat bamirëse druhen se nga kjo mund të privohen azilkërkuesit, që ndodhen prej kohësh në Francë.

https://p.dw.com/p/1Ga5a
Fotografi: DW/E. Bryant

Ishte stuhi atë mëngjez, kur autoritetet shkatërruan strehimoren e 18-vjeçarit sudanez Ahmed: një kamp me çadra në qendër të Parisit, direkt në lumin Seine. Tani Ahmedit i duhet të shkojë përkohësisht në një tjetër strehim.

Por strehimpret për azilkërkuesit janë të rralla në Francë. Këtë e ka ndjerë edhe Nasrullah Daulatzia nga Kabuli. Ai thotë se muaj të tërë i ka kaluar në parqe dhe stacione hekurudhe. Vetëm prej disa javësh ai jeton në një shkollë jashtë përdorimi, bashkë me emigrantë të tjerë nga Afganistani dhe vendet afrikane. Male me mbeturina dhe rroba janë të shpërndara në territorin e shkollës. Por Nasrullah është mirënjohës për shtratin e tij të ngrohtë. "Është mrekulli, shumë më mirë se të flesh jashtë", thotë si ai në bisedë me DW.

Migrantët shpesh duhet të presin me javë ose edhe muaj për një strehë. Një situatë e cila është përkeqësuar këto ditë, sepse Franca mirëpret sirianët dhe irakianët e parë, të cilët kanë ardhur nga Gjermania. Këto janë të parët e rreth 24.000 azilkërkuesve, që dëshiron të marrë vendi në dy vitet e ardhshëm.

Irakianët dhe sirianët në qendër të interesit

Këtë shkollë të Parisit e kanë zënë emigrantët dhe mund të përzihen që andej.
Këtë shkollë të Parisit e kanë zënë emigrantët dhe mund të përzihen që andej.Fotografi: DW/E. Bryant

Organizata bamirëse shtrojnë me shqetësim pyetjen, se çfarë ndikimi ka kjo për refugjatët, që jetojnë prej shumë kohësh në vend. Disa prej tyre janë emigrantë ekonomikë, ndërsa të tjerët kanë ikur nga konflikti dhe represioni në vende si Eritrea dhe Sudani. Fati i tyre prej kohësh nuk gjen aq shumë vemendje në politikë dhe media si ai i refugjatëve, që kalojnë tani nëpër Evropë.

"Kanë përcaktuar kuota për sirianët dhe irakianët, sepse këto vende janë në luftë," thotë Hervé Ouzzane. Ai është anëtar i një grupi, që mbështet emigrantët në ish-shkollën Jean-Quarré në verilindje të Parisit. "Por për kuotat për njerëzit nga Sudani apo Eritrea kurrë nuk flitet. Kjo më zemëron."

Por vendosja e kuotave të detyrueshme në një Bashkim Evropian thellësisht të ndarë është aktualisht e vështirë. Vetëm disa vende, si Franca dhe Gjermania, mbështesin propozimin për të shpërndarë refugjatët me kuota. Kështu që autoritetet franceze përpiqen për të gjetur hapësirë për dhjetëra mijëra të sapoardhurit, të cilët vijnë tani përmes vendeve të tjera të BE-së.

Në kërkim të banesve

"Shteti dhe qyteti mobilizojnë të gjitha mjetet dhe objektet e mundshme, për të pritur refugjatët ", thotë Mathias Vicherat, drejtues shtabi i kryebashkiakes së Parisit, Anne Hidalgo. Ai ka ardhur për të shoqëruar evakuimin e kampeve në bregun e lumit, njëri prej dy evakuimeve këtë ditë në Paris. "Ata që duhet të dalin nga këto strehime, do të vendosen në vende të tjera, derisa statusi i tyre të jetë shqyrtuar", thotë ai.

Mathias Vicherat: Në çështjen e refugjatëve ka prioritete të ndryshme
Mathias Vicherat: Në çështjen e refugjatëve ka prioritete të ndryshmeFotografi: DW/E. Bryant

Franca vuan prej kohësh nga mungesa e strehimeve të posaçme për azilkërkuesit. Megjithatë refugjatët e pranuar duket se tani mund të kenë më në fund një arsye që ky problem të trajtohet.

Autoritetet në Paris kanë njoftuar se së shpejti do të hapen një duzinë qendrash të reja. Në to do të vendosen refugjatët, që kanë ardhur së fundi së bashku me qindra emigrantë, tashmë të pranuar. Në të njëjtën kohë qeveria franceze u ofron qyteteve dhe komunave në të gjithë vendin mijëra euro për çdo strehimore të re.

Presioni i migracionit bën që të veprohet

Aktivistët që kujdesen për të drejtat e emigrantëve, reagojnë ndaj këtyre deklaratave me ndjenja të përziera. "Ne kemi konstatuar me habi se autoritetet brenda pak ditësh kanë mundur të gjejnë një mijë vende, ndërsa ne kërkojmë prej shumë vitesh vende banimi", thotë Aurélie Radisson nga organizata bamirëse Secours Catholique. "Situata në Europë e ka detyruar qeverinë tonë për të ndryshuar pozicionin e saj dhe për të kërkuar një zgjidhje."

Në periferinë e Parisit Cergy-Pontoise jetojnë qindra irakianë dhe sirianë të sapoardhur në një qendër të qetë rekreative. Ata kanë marrë dokumente të përkohshme, janë kontrolluar nga mjeku dhe kanë filluar tani të mësojnë gjuhën e vendit.

Për Leila Karaa dhe bashkëshortin e saj Fadel Adafai nga provinca irakiane Diyala strehimorja është fundi i një udhëtimi të gjatë. "I kemi shpëtuar shtetit islamik", tregon Karaa, ndërsa burri i saj vizaton flamurin francez.

Të lumtur në atdheun e ri

Si shumë të tjerë edhe çifti irakian rrëfen për një udhëtim të rrezikshëm në këmbë, me gomone, me tren dhe autobus. Sidomos qëndrimi treditor në Hungari u ka mbetur në mend. "Policia i ka ofenduar njerëzit. Ata na kanë rrahur me shkopinj elektrike dhe me shqelma", tregon Karaa për DW.

Kur ajo arriti më në fund në Paris nga Mynihu, u përqafua prej një gruaje. "Njerëzit tregojnë ndaj nesh humanizëm të madh", thotë Karaa. "Ne i jemi shumë mirënjohës Francës."

Por jo të gjithë refugjatët janë pranuar kaq ngrohtësisht në Evropë. Afgani Nasrullah Daulatzia ka jetuar për gjashtë vjet si emigrant i paligjshëm në Londër, pastaj ai u kthye me forcë në atdheun e tij. Pas disa muajsh ai u arratis përsëri, sepse, siç thotë ai, u sulmua në shtëpinë e tij në Kabul.

Duke jetuar provizorisht: Nasrullah Daulatzia
Duke jetuar provizorisht: Nasrullah DaulatziaFotografi: DW/E. Bryant

Organizatat bamirëse ndjehen të lëna vetëm

Shkolla, ku jeton Nasrullah, është menduar në fakt për 80 emigrantë dhe 80 të pastrehë parazianë, thotë aktivisti Ouzzane. "Ndërsa tani na lënë këtu vetëm me 400 emigrantë, për të cilët duhet të kujdesemi."

Mathias Vicherat nga zyra e kryetares së bashkisë së Parisit e mohon që qyteti i trajton në mënyrë të diferencuar refugjatët. "Qyteti dëshiron të ndihmojë secilin", thotë ai. "Por ka prioritete të ndryshme. Ka lloje të ndryshme të emergjencave, ndaj të cilave ne përgjigjemi ndryshe. Njerëzit që vijnë te ne si refugjatë politikë lufte, ne i trajtojmë ndryshe nga ata, të cilët kanë jetuar në rrethana veçanërisht traumatike."

Në qendrën e Parisit i riu sudanez Ahmed niset për të shkuar në strehimoren e re. Autobusi, që ai pret, vjen. Nga është rruga? "Nuk e di", thotë ai.