Franca dhe Gjermania - raund përfundimtar negociatash për Brexitin | Evropa | DW | 23.08.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Evropa

Franca dhe Gjermania - raund përfundimtar negociatash për Brexitin

Franca dhe Gjermania duan një raund përfundimtar negociatash për Brexitin. Se çfarë mund të sjellë ai, mbetet e hapur. Boris Johnson e përsërit dëshirën e tij për t'u larguar nga BE me marrëveshje - por koha po mbaron.

Presidenti francez Emmanuel Macron e ka mbështetur propozimin për një raund tjetër prej një muaji negociatash të reja, për daljen e Britanisë së Madhe nga BE. Por negociatat e reja nga e para, në të njëjtën kohë ai i kundërshton. Në vizitën e prezantimit të Kryeministrit të ri britanik Boris Johnson në Pallatin Elysée në Paris ai tha: "Duhet të përpiqemi të kemi një muaj të dobishëm".   

Një ditë më parë, kancelarja Angela Merkel e priti Johnsonin në Berlin dhe hodhi idenë e një muaji tjetër për negociatat. Ndërkohë, megjithatë, Merkeli e ka zbutur propozimin e saj: ajo tha në Hagë se ky afat u tha vetëm në mënyrë simbolike dhe synimi i saj kishte qenë që të bënte të qartë se një zgjidhje mund të kërkohej në një periudhë të shkurtër kohe.

Johnsoni u shpreh në Paris në mbështetje të negociatave të mëtejshme, në mënyrë që të mos dilte nga BE-në pa marrëveshje: "Unë dua një marrëveshje", tha ai në konferencën e përbashkët të shtypit me Macron. Biseda me Merkelin e kishte "inkurajuar shumë” atë.

Tema e vazhdueshme Backstop

Sidoqoftë, është ende e paqartë se si mund të arrihet këtë herë sukses. Johnsoni përsëriti se pas largimit të Mbretërisë së Bashkuar nga BE nuk duhet të ketë kontrolle kufitare midis Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës, anëtare e BE-së. Zgjidhjet për të shmangur rojet kufitare janë "prej kohësh gati", tha ai duke iu referuar dokumenteve digjitale të doganave. Negociatorët e BE-së e kanë refuzuar këtë me këmbëngulje - kështu që paraardhësja e Johnsonit, Theresa May më në fund u pajtua me të ashtuquajturin "backstop", sipas së cilës Britania do të mbetet në tregun e përbashkët edhe pasi të largohet nga BE, deri sa të gjendet një zgjidhje përfundimtare për kufirin irlandez.

Macroni i mësoi Johnsonit se "backstop"-i nuk është vetëm një masë teknike, por e pazëvendësueshme "për të ruajtur stabilitetin në Irlandë, për integritetin e tregut të përbashkët".

A do të vijë gjithsesi "dalja pa marrëveshje"?

Me afatin prej 30 ditësh, qeverisë së Johnsonit do t'i mbetej vetëm një pjesë e kohës, që do t'i ishte nevojitur May-t për negociatat me BE: "Unë dua të jem i qartë", tha Macroni në prani të Johnson-it. "Muajin tjetër, ne nuk do të negociojmë një marrëveshje të re për daljen", e cila e kalon atë të negociuar.

Deri tani është thënë se Macroni dhe Johnsoni kanë pak simpati për njëri-tjetrin. Macroni gjithashtu e bëri të qartë se kë  konsideron përgjegjës, në rast të një ndarjeje pa marrëveshje. Skenari i daljes pa marrëveshje është një vendim politik i Johnson-it, tha ai. "Ky nuk është vendimi ynë."

Jo hapur diplomatët francezë tashmë flasin për një ndarje pa marrëveshje si skenari "më i mundshëm". Ekonomia britanike druhet se do të dëmtohet në mënyrë masive; një dokument i brendshëm i qeverisë parashikon kohët e fundit madje mungesa në furnizim për disa mallra të rëndësishëm.

aud/ehl/(dpa, rtr, afp)