1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Evropa në kërkim të planit për rindërtimin e Libisë

25 Gusht 2011

E ngarkuara e BE-së me politikën e jashtme Catherine Ashton në një konferencë shtypi në Bruksel prezantoi se si ajo e imagjinon të ardhmen e Libisë. Një qëndrim i përbashkët evropian nuk ekziston ende

https://p.dw.com/p/12N8Q
Pamje simbolike
Pamje simbolike

Ndërkohë që e ngarkuara e BE-së me politikën e jashtme është duke pritur konfirmimin zyrtar të ndryshimit të pushtetit në Libi, politikanët nga vendet anëtare të BE-së krijojnë fakte. Ministri i Jashtëm italian, Frattini është siguruar nga rebelët libianë se marrëveshjet përfituese për koncernin italian të naftës Eni, të lidhura qysh në kohën e regjimit të Gaddafit, do të vlejnë edhe më tutje. Presidenti francez, Nikolas Sarkozy krijon përshtypjen se ishte ai që e bëri të mundur revolucionin e sukseshshëm në Libi me vendimet e tij që çuan deri tek veprimet ushtarake të Natos. Gjithashtu edhe ai dëshiron të ketë garanci që firmat franceze do të kenë ende kontrata fitimprurëse në Libi. Gjermania i dha Këshillit Tranzitor të Libisë një hua prej 100 milionë eurosh para se Bashkimi Evropian të ishte këshilluar për heqjen e sanksioneve. Kompanitë gjermane shpresojnë që shumë shpejt të kthehen në Libi. Edhe ministri i Jashtëm turk, Davutoglu nuk qëndron duarkryq. Ai ishte në Bengazi dhe organizoi të enjten në Stamboll konferencën e parë të Grupit të Kontaktit për Libinë. 

Po Bashkimi Evropian? Ai njëherë ishte me pushime. Si zakonisht në Belgjikë, Komisioni Evropian dhe Këshilli i BE-së shkojnë në gusht për pushime, në detyrë mbeten vetëm rojet, pra ca zyrtarë vartës të cilët duhet të reagojnë në raste urgjente. Nga fundjava e kaluar zyrtarët përgjegjës kanë filluar të kthehen në Bruksel. Catherine Ashton i është kthyer tavolinës së saj të punës dhe telefonon shumë. Para se të dal para gazetarëve dhe të paralajmëroj për planet për rindërtim ajo duhet të ketë rënë dakord me ministrat më të rëndësishëm të Bashkimit Evropian, më së miri me të 27-ët.

Ministrat po ashtu kanë pushimet e tyre. Takimi i tyre i rregullt i radhës është planifikuar për 12 shtator. Më herët mbahet takimi jozyrtar tradicional i ministrave të Jashtëm në vendin që mban presidencën e radhës së BE-së, kësaj radhe më 2 shtator në Poloni. Catherine Ashton dëshiron që drejtimin e procesit të rindërtimit ta marrin përsipër Kombet e Bashkuara të cilat këtë të premte (26.8.) takohen një samit në Nju Jork. 

Bernd Riegert
Bernd RiegertFotografi: DW

Fillimisht BE-ja tani dëshiron që të arrijë lirimin e të gjitha llogarive të ngrira bankare libiane në mbarë botën. Këto para duhet t'i kalohen Këshillit Tranzitor. Mbështetja financiare për Libinë  e pasur nuk është e nevojshme, tha baronesha Ashton. Përveç kësaj në Bruksel duan që të fillohet tani me zhvillimin e një plani për mënyrën e organizimit  për ndërtimin e  një shteti demokratik, tha Ashton. Por çfarë ka ndodhur në të vërtetë në gjashtë muajt e fundit në shtabin e zonjës Ashton? Pse një plan i tillë nuk është tashmë në sirtar? Deri tani BE-ja ka hapur vetëm  një zyrë të vogël ndërlidhëse në Bengazi, si shumë shtete anëtare të BE-së. Tani ajo do të shpërngulet në Tripoli dhe do të jetë një ambasadë e BE-së në Libi. Detyrë e BE-së është që të koordinojë masat ndihmëse të 27 vendeve të saj anëtare. Por qysh tani vërehet ashtu si në rastet e ngjashme në Afganistan apo në Irak që shumë shtete e bëjnë atë që mendojnë se është e duhur, pa dakordim me BE-në. Posaçërisht Italia si fuqi koloniale dhe Franca si partnere e rëndësishme ekonomike e regjimit të vjetër duan të sigurojnë ndikimin e tyre në Libi. Përveç kësaj Bashkimi Evropian dhe vendet e Mesdheut kanë një interes jetik që Libia të sigurojë shpejt kufinjët e saj. Refugjatët nga Afrika nuk duhet të përdorin Libinë si rrugë shpëtimi për në veri për të ardhur në Evropë. Regjimi i Gaddafit në marrëveshje me Italinë e kishte mbyllur bregdetin e saj dhe refugjatët i fuste në kampet e Libisë. Diçka të ngjashme përpiqen të arrijnë tani edhe shtetet evropiane dhe ato të Detit Mesdhe.

Bashkimi Evropian është aktiv me organizatën e tij humanitare ECHO në një mision humanitar në kufirin libiano-tunizian. Atje nën përkujdesje janë rreth 90 mijë refugjatë. Bashkimi Evropian ka ndihmuar ndërkohë në riatdhesimin e 24 mijë punëtorëve nga Misrata. Së bashku me Kryqin e Kuq dhe Organizatën e refugjatëve të Kombeve të Bashkuara, Bashkimi Evropian ka gjashtë muaj që ndihmon financiarisht në këtë rajon. Kjo ndihmë duhet të vazhdojë. Gjithsejt deri tani BE dhe vendet e tij anëtare kanë shpenzuar 150 milionë euro për ndihma humanitare dhe masat e evakuimit.

 

Autor: Bernd Riegert

Redaktoi: Mimoza Kelmendi