″Ende larg fazës përfundimtare të procesit të zgjidhjes së statusit te Kosovës″ | Ballkani | DW | 26.09.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

"Ende larg fazës përfundimtare të procesit të zgjidhjes së statusit te Kosovës"

Stefan Lehne, përgjegjësi i BE-së për zgjidhjen e statusit të Kosovës në intervistë ekskluzive me Deutsche Wellen

default

DW: Sapo u kthyet nga Nju Jorku. Çfarë përshtypjesh sollët prej andej?

Lehne: Ka qënë një javë shumë e tensionuar. Por patëm bisedime të suksesshme për Kosovën.

DW: Arritët ndonjë vendim të ri, për shembull se kur do të zgjidhet çështja e statusit të Kosovës?

Lehne: Mendoj se duhet të dini se jemi ende larg fazës përfundimtare të këtij procesi. Aktualisht Marti Ahtisari dhe bashkëpunëtorët e tij po hartojnë propozime të ndryshme në lidhje me zgjidhjen e çështjes së statusit. Ky është një proces që nuk po zhvillohet i izoluar, por në bashkëpunim të ngushtë me të dyja palët. Kemi pasur shumë bisedime në Vjenë. Ky proces konsultimesh ndodh si në formë zyrtare ashtu edhe jozyrtare dhe do të zgjasë edhe disa kohë. Por ky proces mund të ecë përpara vetëm pasi të jenë plotësuar të gjitha kushtet për një bashkëjetesë paqësore të të gjitha grupeve etnike në Kosovë. Dhe aty ka ende shumë punë për të bërë, si për shembull ne sektorin e decentralizimit, në fushën e mbrojtjes së objekteve fetare, në çështjet ekonomike, mbrojtjen e pakicave, etj. Ky është kapitulli kryesor, pra tema kryesore e punës sonë në këtë proces dhe vendimi përfundimtar, pra se si do të jetë statusi i ardhshëm i Kosovës, do të merret dikur më vonë.


DW: Pala kosovare ka besim se çështja e statusit do të zgjidhet brenda këtij viti. Nga ana tjetër ata nuk pranojnë asnjë zgjidhje tjetër përveç pavarësisë. Mendimin e palës serbe e njohim tashmë gjithashtu. Si quhet kompromisi juaj?


Lehne: Grupi i Kontaktit theksoi edhe njëherë se qëllimi kryesor është përfundimi i këtij procesi brenda këtij viti. Por në rradhë të parë këtu bëhet fjalë për një rezultat të kënaqshëm, dhe disa javë më shumë apo më pak nuk luajnë ndonjë rol vendimtar në këtë proces. Puna jonë është shtuar, si brenda grupit punues të Marti Ahtisarit, ashtu edhe nëpërmjet komtakteve politike dhe dialogut të Grupit të Kontaktit me të dyja palët. Sigurisht që çështja e kohës është e rëndësishme për Grupin e Kontaktit. Situata në Kosovë nuk ë shtë e kënaqshme, çështja e statusit ka 7 vite tashmë që pret të zgjidhet. Eshtë mëse e nevojshme që ky proces të përfundojë sa më parë, por këtu nuk bëhet fjalë për përcaktimin e një date.

DW: Ekzistojnë mendime se BE-ja do ta shtyjë zgjidhjen e statusit të Kosovës, deri sa të zhvillohen zgjedhjet e reja në Serbi. A është e vërtetë kjo?

Lehne: Plani i politikës së brendshme serbe është tepër i paqartë. Ne Serbi duhet të zhvillohen zgjedhje të reja brenda dhjetorit të vitit 2007. Madje shumë parti dhe grupe politike serbe flasin për zgjedhje të parakohshme. Ka një projekt mbi një kushtetutë të re, e cila do të sillte me vete sigurisht zgjedhje të reja brenda një kohe të shkurtër. Por shumica e fjalëve që qarkullojnë janë thashetheme dhe spekullime. Deri tani nuk kemi parë ndonjë strukturë të qartë të zhvillimeve politike në Serbi dhe kështu nuk mund të themi ende se, cilat pasoja do të ketë politika serbe ndaj procesit të statusit të Kosovës. Sapo të kemi një program të qartë qeveritar serb, do ta shohim se cilat do të jenë pasojat që do të ketë ky program për Kosovën.

DW: Ju thatë se Kosova duhet të përmbushë disa kushte, përpara se të debatojë mbi zgjidhjen e statusit të saj. Por disa çështje kryesore si decentralizimi dhe mbrojtja e pakicave po trajtohen me kujdes të veçantë nga institucionet kosovare. Kosovarët duan pavarësi, a kanë shanse reale për të?

Lehne: Këtu bëhet fjalë për dy gjëra: Njëra është përmirësimi i të ashtuquajturave standarte. Këtu bëhet fjalë për mbrojtjen e pakicave, të drejtat e të gjitha etnive në Kosovë, çështjet e sigurisë. Përsa i përket këtyre pikave kemi shënuar vërtet suksese. Grupi i Kontaktit ka hartuar një katalog me prioritete dhe qeveria në Prishtinë po punon për t´ju përmbajtur këtij katalogu. Pika e dytë, e cila është po aq e rëndësishme, është bashkëpunimi konstruktiv i qeverisë kosovare në procesin e zgjidhjes së statusit të saj. Dhe këtu bëhet fjalë për disa rregulla për të ardhmen: Decentralizimin, të drejtat e pakicave, mbrojtjen afatgjatë të objekteve fetare, etj. Pra jo për situatën aktuale, por për Kosovën pas statusit. Dhe Marti Ahtisari është i mendimit se Prishtina ka bashkëpunuar deri tani në mënyrë shumë konstruktive. Por ai nuk është i kënaqur me bilancin aktual mbi punën në fushën e decentralizimit dhe mbrojtjen e pakicave. Dhe kjo është edhe tema qëndrore e takimeve të shumta të Vjenës.

DW: Ju thatë se Marti Ahtisari e vlerëson punën e institucioneve kosovare, por se është gjithashtu i pakënaqur me disa zhvillime. Pala serbe nga ana tjetër, kërkon madje dorëheqjen e Ahtisarit nga detyra e tij, duke e akuzuar se ka marrë anën e `separatistëve shqiptarë`.

Lehne: Bashkësia ndërkombëtare e mbështet plotësisht Marti Ahtisarin. Por është e qartë se kur bëhet fjalë për një temë kaq të ndërlikuar dhe të rëndësishme, rriten emocionet e njërës apo tjetrës palë. Madje ndonjërit i shpëton edhe ndonjë fjalë që nuk duhet ta kishte thënë. Ne jemi shumë të pezmatuar mbi disa zëra që vijnë nga Beogradi. Marti Ahtisari u zgjodh nga Kofi Annan, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara. Ai gëzon besimin e Këshillit të Sigurimit, mbështetjen e Grupit të Kontaktit dhe mbështetjen e plotë të BE-së. Beogradi nuk mund të zgjedhë dot një person tjetër. Ai është i deleguari ndërkombëtar dhe përgjegjësi për zgjidhjen e kësaj çështjeje, dhe me presim që të dyja palët të bashkëpunojnë sa më ngushtë me të.


DW: Në rast se pala serbe nuk do të mbetet e kënaqur. Keni alternativa të tjera?

Lehne: Nuk dua të spekulloj mbi vendimin përfundimtar të kësaj çështjeje, sepse do të hiqte vëmendja nga prioritetet që kemi. Ne duam një Kosovë ku të gjitha grupet etnike dhe fetare mund të jetojnë mirë dhe të qetë. Ne duam të ndërtojmë një proces besimi, dhe që të harrohen armiqësitë dhe diferencat e mëparshme. Ky është prioriteti kryesor, pra të krijojmë rrethanat për një bashkëjetesë paqësore të grupeve të ndryshme në Kosovë.

DW: Ditët e fundit u diskutua në media mbi propozimin e Vuk Drashkoviçit, se Kosova mund të ketë pavarësi të pjesshme, por jo karrige në OKB. Ç´mendim keni ju mbi këtë propozim?

Lehne: Anëtarësimi në OKB është vetëm në duart e Këshillit të Sigurimit dhe Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Por mesa di unë, Drashkoviç mban një qëndrim shumë më të ashpër, i cili është që integriteti territorial i Serbisë të mos ndryshojë. Unë e njoh Drashkoviçin, takohem shpesh me të dhe ai do gjithashtu një zgjidhje, sipas të cilës kosovarët mund të gëzojnë më shumë autonomi por pa ndryshuar organizimin territorial të Serbisë. Por nga ana tjetër është e qartë se Grupi i Kontaktit kërkon një zgjidhje që të jetë e pranueshme nga kosovarët. Dhe qëndrimi apo kërkesa e Drashkoviçit nuk mund të jetë pjesë e zgjidhjes së statusit final të Kosovës.

  • Data 26.09.2006
  • Autor Sonila Harasani
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArcM
  • Data 26.09.2006
  • Autor Sonila Harasani
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArcM
Reklamë