Ende 2 000 persona të zhdukur dhe 400 trupa të paidentifikuara
18 Mars 2009400 trupa të pajetë, të vrarë gjatë luftës në Kosovë qëndrojnë prej dhjetë vitesh të paidentifikuar në morgun e Prishtinës. Për shumë organizata që merren me zbardhjen e fatit të personave të zhdukur është e pakuptueshme dhe e papranueshme që prej kaq vitesh nuk bërë identifikimi i mbetjeve mortore.
Nysrete Kumnova, është njëra ndër shumë nënat kosovare që kërkon të dijë për fatin e birit të saj i zhdukur gjatë luftës në Kosovë. “Ne duam që të dashurit tanë tu kthehen familjeve të tyre. Janë qindra kufoma në morgun e Prishtinës të paidentifikuar dhe ne nuk e kuptojmë se pse ato trupa nuk identifikohen. Në kërkojmë nga qeveria që të jetë e përgjegjshme ndaj qytetarëve të saj dhe të gjejë rrugën që të bëjë identifikimin e këtyre trupave të pajetë, por edhe të gjejë mënyra që të zbulohen edhe mijëra të tjerë që figurojnë akoma të zhdukur,” thotë Kumnova.
I ngarkuar që të bëjë identifikimin e mbetjeve mortore është Instituti i Mjekësisë Ligjore. Arsim Gerxhaliu, udhëheqës i këtij instituti, thotë se ekzistojnë një varg problemesh të trashëguara, që pengojnë procesin e identifikimit të trupave që ndodhën në këtë institut. “Ne si institut shpresojmë që qeveria më në fund të krijojë një grup punues, i cili do të angazhohet në mbledhjen e informatave nga secili aktor në këtë valle. Ne si institut që i mbajmë qindra mbetje mortore nuk mund të bëjmë asgjë në identifikimin e tyre sepse nuk kemi laborator që do ta kryente provën e ADN-së. Ne thjeshtë i ruajmë ato kufoma dhe asgjë më shumë,” thotë Gerxhaliu.
Procesi më i saktë i identifikimit të këtyre mbetjeve mortore është prova e ADN-së. Kosova nuk ka ndonjë institut që mund ta kryej këtë proces. Identifikimi me provën e ADN-së është i mundur të bëhet vetëm jashtë Kosovës. Qeveria e Kosovës, thotë se ky proces është shumë kompleks sepse me vite të tëra identifikimi i kufomave është bërë pa provën e ADN-së, që lë dyshime për mungesë saktësie ndërsa, tash që po kërkohet të fillohet me procesin e ADN-së, paraqitet nevoja e zhvarrimit të mijëra trupave të tjerë. “Afro dy mijë persona të vrarë, që nga përfundimi i luftës janë varrosur pa provën e ADN-së dhe pa analizë mjekësore, sepse kështu pati kërkuar edhe Tribunali i Hagës për krime lufte. Është e vërtetë që 400 trupa qëndrojnë me vite në morgun e Prishtinës të paidentifikuar, por problemi qëndron se atyre duhet bërë testi i ADN-së me gjasë edhe të mijëra të tjerëve të varrosur në mënyrë që të dihet saktë se kush janë," thotë Manaj.
Zëvëndëskryeministri Ramë Manaj, thotë se qeveria e Kosovës është e gatshme të ndajë mjete financiare në mënyrë që në Kosovë të themelohet një institut i posaçëm ku do të kryheshin provat e ADN-së. Mirëpo, kjo sipas tij, nuk mund të bëhet shumë shpejtë sepse akoma nevojiten informata shtesë nga autoritetet e Beogradit, sepse shumë persona akoma figurojnë të zhdukur dhe nuk dihet se u janë. Kosova doli nga lufta me mbi 5 mijë të zhdukur, ndërsa edhe dhjetë vjet pas saj numëron edhe 1 918 persona të pagjetur. Në këtë numër ka edhe pjesëtar të komunitetit serb, por pjesa më e madhe janë shqiptarë të Kosovës. Një pjesë e këtyre trupave të pajetë janë zbuluar në varreza masive në Serbi. Komiteti Ndërkombëtarë i Kryqit të Kuq pati filluar katër vjetë më parë ndërmjetësimin e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për çështjen e të zhdukurve, por edhe më tej rezultatet janë të pakta.
Autor: Bekim Shehu
Redaktoi: Aida Cama