1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ekspertët: Maqedonia duhet të përmisojë politikat afatgjata ekonomike, përndryshe nga vendi mund të largohen edhe ata investues të paktë

7 Tetor 2009

Edhe pse të gjithë treguesit flasin se investimet e huaja në Maqedoni janë tejet të ulëta, qeveria mundohet që këtë fakt ta justifikojë me krizën ndërkombëtare financiare.

https://p.dw.com/p/K1Hh
Feni, industria e përpunimit të nikelit në MaqedoniFotografi: Petr Stojanovski

Maqedonia vazhdon të jetë një nga vendet me më pak investime dhe me rënie të shkëmbimit tregtar në rajon. Eksporti është zvogëluar për 42 për qind, ndërsa importi për 34 për qind. Të dhënat janë publikuar në një analizë ndërkombëtare, ku është përfshirë ambienti për investime në vendet e rajonit. Në pjesën e parë të këtij viti kanë hyrë vetëm 109 milionë euro investime dhe kjo është tregues se Maqedonia nuk ështe destinacion i dëshiruar për investitorët e huaj. Besnik Fetahu, ekspert ekonomik dhe njëherit profesor universitar, thotë se faktor negativ është jo stabiliteti politik, i cili reflekton drejtëpërsëdrejti jo stabilitet ekonomik. ëospasja e një strategjie afatgjate të zhvillimit ekonomik largon investitorët e huaj. Kompanitë e huaja janë të interesuara të kenë një pasqyrë për indikatorët fiskalë e monetarë në Maqedoni. Nëse nuk ka një politikë monetare e fiskale konsistente, investitorët e jashtëm tërhiqen menjëherë, thotë profesori Fetahu.

Mazedonien Land und Leute Textilfabrik in Stip
Fabrika e tekstilit në StipFotografi: Petr Stojanovski

“Si faktor tjetër, që ndikon në mosardhjen e investitorëve të huaj në Maqedoni janë vështirësitë gjatë fillimit të bisneseve të tyre dhe problemet, që kanë pasur kompanitë, kur kanë ardhur këtu. Kjo ka rezultuar me imazhin e keq të vendit.” thotë Besnik Fetahu, ekspert i ekonomisë.

Viktor Mizo, drejtor i agjensisë për investime të huaja, vlerëson se si rezultat i krizës financiare ndërkombëtare investimet në Maqedoni janë 50% më të ulëta në krahasim me vitin e kaluar. Maqedonia ngec në investime pas Bosnjës, Malit të Zi, Kroacisë dhe Serbisë. Por gjithnjë sipas Viktor Mizo kompanitë e huaja nuk janë tërhequr përfundimisht nga Maqedonia.

Mazedonien Land und Leute
Hidrocentrali MatkaFotografi: Petr Stojanovski

“ Momenti i realizimit të projekteve nga memorandumet e nënshkruara me kompanitë e huaja nuk varet vetëm nga kompanitë, por edhe nga zhvillimet në tregun, ku do të shiten ato prodhime”, thotë Mizo.

Për kryeministrin Nikolla Gruevski ekonomia e Maqedonisë ka shënuar rënie të ulët në dallim nga shtetet tjera të rajonit.

“Kjo është rezultat i masave të ndërmara antikrizë. Ne do të vazhdojmë të ndërmarrim masa në kontinuitet, që do të ndikojnë në ndalimin e rënies ekonomike, siç është për shembull zvogëlimi i tatimit në vlerën e shtuar për disa veprimatri ekomomike “, thotë Nikolla Gruevski.

Maqedonia duhet urgjentisht ta përmisojë edhe koordinimin e politikave midis Bankës qendrore dhe qeverisë, sepse vërehen konfliktet, që ekzistojnë midis guvernatorit dhe kryeministrit, që ndikon negativisht te investitorët për të investuar tek ne, thotë Besnik Fetahu.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Angjelina Verbica