1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ekologjistët nuk duhet të rizbulojnë vetveten, por të gjejnë vetveten

Pandeli Pani28 Shtator 2005

Shumë prej temave të ekologjistëve do të vazhdojnë të mbeten në rend të ditës.

https://p.dw.com/p/Artb
Ekologjistët në kërkim të vetvetes
Ekologjistët në kërkim të vetvetesFotografi: AP


Pas shpalljes së të dhënave për shpërdorimmin e parave të mbledhura nga taksat jo vetëm Shoqata e taksapaguesve por edhe mediet kërkojnë që administrimi arbitrar i parave të mbledhura prej taksave të përfshihet në kodin penal gjerman.
Për këtë temë në gazetën "Westfalen Blatt" që botohet në Bielefeld lexojmë:
Ka vite që flitet dhe kërkohet, që shpërdorimi arbitrar i taksave të përfshihet në Kodin Penal, sepse aty ku nuk ekziston mundësia e përndjekjes penale, të gjitha premtimet shkojnë dëm. Duhet që nëpunësit e shtetit të konfrontohen me masat disiplinore ose dënimet për shlyerjen e dëmeve në rast se ata kanë vepruar me paratë e taksave kundër interesit publik. Edhe gabimet e bëra prej punës shkel e shko nuk duhet të mbulohen. Nga ne qytetarët kërkohet që ta shtrëngojmë më tepër rripin dhe të paguajmë më tepër taksa. Për këtë edhe ne kemi të drejtë të kërkojmë që paratë e mbledhura prej taksave të administrohen me kursim.


Temë tjetër dominuese e shtypit janë bisedimet për koalicion mes socialdemokratëve dhe demokristianëve si dhe zgjedhja e kryetarëve të rinj të grupit parlamentar të partisë ekologjike gjermane. Në lidhje me bisedimet mes SPD-së dhe CDU-së për mundësinë e krijimit të një koalicioni të madh në gazetën Süddeutsche Zeitung lexojmë:

"Çarmatosja e fjalimeve po shoqërohet me bërjen më objektive të debateve. Të dyja palët po përbetohen gjithnjë e më shpesh, se arritja e një marrëveshjeje nuk ka pse të dështojë prej përmbajtjes së programeve të secilës parti. Barrikadat e ngritura gjatë fushatës elektorale janë hequr tashmë dhe në qendër të vëmendjes po përqëndrohen pikat e përbashkëta. Pse? A nuk u arritën zgjidhje të përbashkëta kur ishte fjala për reformën e sistemit shëndetësor? Apo, a nuk pati ide të përbashkëta në takimin për çështjen e papunësisë në Gjermani, të cilat mund të vihen sërish në rend të ditës. Parrulla që po përhapin të dyja përtitë e mëdha të vendit është që çështjet objektive duhen gjykuar me arsye. Socialdemokratët po heqin dorë çdo ditë e më tepër prej pretendimit të Schröderit për postin e kancelarit. Tashti pritet të shihet nëse demokristianët do të vazhdojnë ta mbështesin Zonjën Merkel në rast se kancelari aktual nuk pretendon më pushtetin.

Gazëta Kölner Stadt-Anzeiger trajton zgjedhjen e kryesisë së re të grupit parlamentar të ekologjistëve. Në krye të këtij grupi parlamentar u zgjidhën sipas traditës ë kësaj partie dy persona, Renate Künast dhe Fritz Kuhn. Renate Künast kërkoi me këtë rast edhe dorëheqjen prej postit të Ministres për mbrojtjen e konsumatorëve, post që ajo e mban në kabinetin e Schröderit. Të Gjelbrit gjenden përpara një periudhe të re. Pas shtatë vitesh koalicioni qeverisës me socialdemokratët, ata duhet të rigjejnë veten në opozitë. Citojmë:

Ekologjistët nuk duhet të rizbulojnë vetveten, por të gjejnë vetveten. Shumë prej temave të tyre do të vazhdojnë të mbeten në rend të ditës. Shtatë vitet e koalicionit me socialdemokratët, të shoqëruara pjesërisht edhe me goditje përçmuese prej tyre, i kanë bërë Të gjelbrit të arrijnë në një përfundim të vetëm për të qenë të aftë politikisht: Ata duhet të hapen kundrejt demokristianëve. Ruajtja e krijesave njerëzore, kursimi, ambienti i shëndetshëm dhe atdheu i bukur janë disa nga nyjet lidhëse mes demokristinëve dhe ekologjistëve. Landi Baden Wurtemberg ofron mundësi për ta provuar një eksperiment të tillë. Në vitin 2006 aty do të zhvillohen zgjedhjet për parlamentin e landit. Bashkëkryetari aktual i Grupit parlamentar të ekologjistëve Fritz Kuhn është shprehur në favor të një alternative të tillë që në vitin 1990.

Në fund citojmë nga gazeta Finanzial Times Deutschland, që botohet në Hamburg, e cila në prag të krijimit të një qëverie të re merret me çështjen e një politike të drejtë financiare:
Në vështrim të parë pyetja se cila do të ishte politika e drejtë financiare e qeverisë së re, të lejon vetëm një përgjigje: Ka ardhur koha për një program radikal kursimi. Mëgjithatë në të vërtetë një logjikë e tillë është gjithshka tjetër por jo patjetër e domosdoshme. Falë shkurtimit të subvencioneve dhe pagesave më të ulta në sektorin publik, për vitin 2006 janë hedhur themelet e një konsolidimi të ndjeshëm të buxhetit. Një paketë e re kursimesh do ta çonte madje konjukturën në një gjendje tejet të vështirë. Ende nuk dihet, nëse sipërmarrjet do të jenë të tërhequra sa i përket investimeve nga pasiguria e qeverisë që pritet të krijohet. Po ashtu rritja e çmimit të naftës gjatë muajve të ardhshëm pritet të rëndojë edhe më tej konsumin privat.