Drejtësia në Kosovë nën kthetrat e politikës | Ballkani | DW | 16.03.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Drejtësia në Kosovë nën kthetrat e politikës

Në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) mbi të Drejtat e Njeriut në botë, Kosova kritikohet për korrupsionin endemik në qeveri, dhunën e kërcënimet ndaj gazetarëve dhe ndikimin e politikës në gjyqësor.

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit mbi të Drejtat e Njeriut në botë, në pjesën për Kosovën gjen një numër jo të vogël problemesh, të cilat "po stagnojnë proceset në vend”. Gjatë vitit 2018,  problemet e theksuara në raport janë, korrupsioni në strukturat qeveritare, kërcënime e dhuna ndaj gazetarëve dhe pjesëtarëve të pakicave nga forcat e rendit. Raporti nënvizon pos tjerash edhe faktin që "strukturat e gjyqësorit mbeten "pre e ndikimeve politike dhe se sistemi është i mbingarkuar”,  gjë që ndikon negativisht tek të drejtat e të pandehurve për një gjykim të shpejtë. Departamenti i Shtetit në raportin analizues të tij,  vëren se autoritetet në Kosovë shpesh nuk venë në zbatim vendimet e gjykatave përfshirë edhe të Gjykatës Kushtetuese, sidomos në rastet kur vendimi ishte në favor të pakicave. Autoritet në Kosovë pas publikimit të raportit janë zotuar që do të adresojnë të gjitha kritikat në raport, por, nuk pajtohen me pjesën ku raporti nënvizon se "strukturat e gjyqësorit mbeten pre e ndikimeve politike”.

Abelard Tahiri (DW/A. Shuka )

Abelard Tahiri

Tahiri: Prokurorët dhe gjyqtarët të punojnë të pavarur

Ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri, thotë se "në vazhdimësi ka kërkuar nga prokurorët dhe gjyqtarët që të punojnë të pavarur dhe të mos u nënshtrohen ndikimeve nga jashtë”. "Sot i kemi prokurorët dhe gjyqtarët që paguhen më së shumti në rajon, kemi bazë ligjore shumë më të fuqishme sesa në të kaluarën për goditjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe mendoj se nuk kemi arsye për t'u frenuar e ndalur në luftë kundër kësaj dukurie negative. Kam kërkuar edhe nga prokurorët dhe gjyqtarët që mos të bien pre, viktimë e këtyre sulmeve politike që mund të bëhen nga kushdo qoftë, sepse sot kanë vërtetë kushte të mira”, thotë ministri Abelard  Tahiri, i cili zotohet se Ministria e Drejtësisë do të ndërmarrë hapa konkretë në drejtim të parandalimit të ndikimeve të mundshme politike në sistemin e drejtësisë.

Reagime pas raportit nga DASH ka pasur edhe nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. "Të gjitha ngecjet që janë identifikuar në këtë raport duhet të merren seriozisht nga institucionet e Kosovës dhe të punohet me dinamikë më të madhe në përmirësimin e tyre. Ne duhet ta vazhdojmë luftën e pakompromis kundër korrupsionit dhe t'i garantojmë të drejtat e qytetarëve të të gjitha komuniteteve tona, si vlera mbi të cilat e kemi ndërtuar shtetin tonë", shkroi Presidenti në profilin e tij në Facebook.

Kritika: Drejtësia amniston zyrtarë të caktuar

Organizatat jo qeveritare dhe institutet që merren me monitorimin e sistemit të drejtësisë, thonë se sistemi i drejtësisë në Kosovë në shumë raste amniston zyrtarë të caktuar brenda politikës dhe grupeve të interesit, ndërsa, në raste të tjera persekuton individë të caktuar në emër të luftës kundër korrupsionit. Ehat Miftaraj nga Instituti Kosovar i Drejtësisë, (IKD) i tha DW-së, se "Instituti i Kosovës për Drejtësi gjatë vitit 2017, kishte paralajmëruar institucionet përmes raporteve të publikuara si rezultat i monitorimit sistematik të institucioneve të drejtësisë, se Kosova është duke shkuar drejt kapjes së shtetit nga politika dhe grupe të interesit”.

"Raporti i Departmantit të Shtetit dëshmon se në Kosovë edhe përkundër se ka ligje të mira, të njejtat nuk vlejnë dhe nuk zbatohen në mënyrë të drejtë për të gjithë qyteratët e saj. Politika dhe grupet e interesit kanë arritur me sukses ta politizojnë sistemin e drejtësisë në Kosovë dhe ta kontrollojnë në mënyrë të plotë përmes prokurorëve apo gjykatësve që i kanë emëruar në këto pozita përmes ndikimeve politike”, thotë Ehat Miftaraj. Ai nenvizon se "Raporti  i publikuar shënon regresin e Kosovës për të siguruar shtet ligjor, për të garantuar të drejtat dhe liritë e njeriut dhe për të ofruar drejtësi në mënyrë të drejtë, barabartë dhe pavarur për të gjithë”.

Ramush Tahiri (DW)

Ramush Tahiri

Kurse analisti politik, Ramush Tahiri, thotë për mediet lokale se konstatimet e raportit janë shqetësuese për demokracinë në Kosovë. "Të gjitha çështjet e theksuara janë të rëndësishme dhe paraqesin ngecje në demokracinë dhe proceset e sundimit të ligjit dhe të rendit në Republikën e Kosovës, sidomos sulmet dhe incidentet kundër pjesëtarëve të komuniteteve, në këtë kthimi dhe pengesat në riatdhesimin në vendin e origjinës të serbëve të Kosovës, sulmet në pronat, pasurinë por edhe në objektet dhe pronat kishtare”, shprehet Ramush Tahiri. Ai thotë se "është turpshme që kjo po ndodh edhe njëzet vjet pas çlirimit të Kosovës”, ndërkohë ata që i bëjnë këto vepra mbesin të pandëshkuar.

"Krejt kjo krijon një zymti dhe një paperspektivë të zymtë tek populli i Kosovës pasi që të metat dhe të gjeturat në raportin e (DASH) bëhen nga bartësit e pushtetit”, ndërsa, menjanimi i tyre është i vështirë, sepse kjo klasë politike e  ka përkrahjen e faktorit ndërkombëtar dhe të gjithë këtë për hir të ruajtjes së qetësisë dhe të stabilitetit në Kosovë.