Doganat e Trumpit: Kush e cënon realisht tregtinë e lirë? | Bota | DW | 06.10.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Bota

Doganat e Trumpit: Kush e cënon realisht tregtinë e lirë?

"Donald Trump" dhe "lufta e doganave" - të dy togfjalëshat sikur janë të lidhur me njëri- tjetrin. Por a është BE vërtet më i mirë në këtë drejtim? Felix Steiner heq mënjanë disa paragjykime.

A bëhet e gabuar diçka e drejtë, vetëm sepse atë e thotë personi i gabuar? Jo, natyrisht që jo. Edhe pse që nga e enjtja mund ta kesh këtë përshtypje. E gjithë Europa Perëndimore, ku presidenti amerikan, që nga fillimi i mandatit ka pak miq, zemërohet edhe njëherë për ujëratrazuesin agresiv në Shtëpinë e Bardhë. Sepse Trump në twitter - e ku tjetër- feston „fitoren e bukur", siç e quan ai, mbi BE e poshtër.

Jo fitore e Trumpit

Ndërkohë që „fitorja" nuk ka lidhje aspak me Trumpin. Më shumë bëhet fjalë për një vendim të Organizatës Botërore të Tregtisë, OBT në favor të SHBA, në një rast, të cilin qeveria amerikane e ka iniciuar që para 15 vjetësh. Presidenti i atëhershëm quhej George W. Bush, dhe ai u zemërua, si të gjithë paraardhësit e tij, për subvencionet shtetërore për prodhuesin e avionëve, Airbus. E kush do ta mohonte dot, se koncerni Airbus pa ndihmë nga shteti nuk do të ekzistonte. Por kjo vlen po kështu edhe për prodhuesin tjetër, Boeing në SHBA, prandaj europianët kanë bërë ankesë për këtë tek OBT. Edhe ata kanë fituar, por shpallja e „dënimit" nuk është bërë publike ende.

Dhe pas kësaj do të shohim, nëse europianët janë kaq të hapur ndaj tregtisë së lirë, siç hiqen gjithmonë. Se natyrisht OBT do t'i japë edhe BE të drejtën për të ngritur të ashtuquajturat „dogana ndëshkuese" kundrejt SHBA. Dhe vëmë bast? BE do të shfrytëzojë të gjitha hapësirat e mundshme për këtë.

SHBA mund të veprojë më ashpër

Diçka që nuk e ka ndërmend qeveria amerikane: OBT i lejon SHBA-së si kompensim për subvencionet e Airbus-it që për mallrat nga BE në vlerë afërsisht 7 miliardë euro të ngrejë dogana deri në 100%.Trump ka bërë të ditur përkundër kësaj, që për pjesët e këmbimit të avionëve (arsyeja e grindjes) të vendosë dogana vetëm 10%, kurse për mallra të tjerë - si djathë, verë, ullinj, etj të vendosë vetëm 25% doganë.

Një luftë ekonomike ka pamje tjetër: ajo që e bën të qartë dimensionin e grindjes - çdo muaj nga BE eksportohen mallra në vlerë më shumë se 40 miliardë euro në SHBA. Megjithë dramatikën për vreshtarët spanjollë apo prodhuesit e ullinjve: kanistra me mallra në vlerë 7 miliardë euro nuk bie aq shumë në sy.

BE proteksioniste

Betejat e vërteta për doganat zhvillohen diku tjetër: Për automjetet nga SHBA, Bashkimi Europian vendos dogana 10%, kurse amerikanët përkundër kësaj vetëm 2,5%. Produkteve kimike BE i vendos doganë afër 5%, SHBA afër 3%. Ndërsa për artikujt ushqimorë, BE vendos dogana 18%, kurse SHBA vetëm 8%. Kjo listë mund të vazhdohej më gjatë.

Steiner Felix Kommentarbild App

Felix Steiner

Pse kaq e trembur Europë? Janë kaq jo konkurruese produktet tona të industrisë dhe bujqësisë, që ne duhet t'i mbrojmë nga konkurrenca më e fortë amerikane me „dogana mbrojtëse" klasike? Kush do të preferonte në Europë djathin amerikan para atij francez? Dhe vërtet masa e njerëzve do të blinte Chrysler dhe Cadillac, në vend të Volkswagenit dhe BMW-së, nëse modelet amerikane do të ishin vetëm 10% më lirë? E pra…

Kë dëmtojnë vërtet doganat?

Donald Trump ka të drejtë në një pikë vendimtare: BE e trajton partnerin e saj tregtar SHBA shumë më keq, se sa trajtohet nga amerikanët. Me vështrim në marrëdhënien transatlantike, kjo jo vetëm që nuk është aspak e mençur, por sidomos është tallje me konsumatorët. Sepse janë ata, dhe jo eksportuesit, viktimat e para të doganave të tilla. Zigzagu politik me çmimet e kufizon zgjedhjen e tyre.

Të paktën ministri gjerman i Ekonomisë, Peter Altmaier duket se e ka kuptuar këtë dhe mendon madje për heqjen komplet të doganave për automjetet nga SHBA. Donald Trump duhet të shpresojë tani, që të mos jetë shumë i madh pasioni i votuesve të tij për djathin italian, Pecorino, që dukshëm do të shtrenjtohet. Ndryshe grindja aktuale për doganat mund ta pengojë rizgjedhjen e tij, gjë që sigurisht europianët do t'ia dëshironin atij me zemër.