Do të ngrijnë gjermanët në dimër? | Gjermania | DW | 11.07.2022
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Gjermania

Do të ngrijnë gjermanët në dimër?

Rusia po e furnizon me gjithnjë e më pak gaz Gjermaninë. Tani gazsjellësi Nord Stream 1 është mbyllur për shkak të punimeve, dhe askush nuk e di, nëse më pas do të vazhdojë të rrjedhë gaz drejt Gjermanisë.

Në ditët në vijim tek shumë gjermanë do të mbërrijnë letra me lajme jo të mira. Për shkak të rritjes dramatike të çmimeve, do të rritet kuota e përcaktuar mujore për gazin. Më shumë se 100% do të jetë kjo rritje për të 31.000 apartamentet që ngrohen me gaz apo vaj, nga Shoqëria për Ndërtimin e Apartamenteve në Berlin. Por nuk dihet, as nëse kjo rritje mjafton, sepse çmimet e energjisë reflektohen me vonesë tek konsumatori, për shkak se parapagesat përllogariten vetëm në fund të vitit me koston reale gjatë vitit. GdW, një shoqatë iqë bashkon 3000 sipërmarrje qiradhënësish në Gjermani ka llogaritur se çdo familje duhet të kursejë vitin e ardhshëm deri në 3.800 euro për energjinë.

Paqja sociale në rrezik

Bëhet fjalë për njerëzit me të ardhura normale, "të cilët nuk e kompesojnë dot këtë rritje çmimi me heqjen dorë nga një pushim apo tjetër", paralajmëron Shoqata Saksone e Bashkimit të Qiradhënësve. "Ne flasim për ekzistencën e familjeve. Këtë politika duhet ta kuptojë më në fund." Mbi qytetarët nuk rëndojnë vetëm çmimet e larta. Inflacioni po ashtu është rritur. Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka bërë të ditur, se asnjë shtet në botë nuk mund të kompensojë ortekun e pritshëm të çmimeve. "Ne nuk mund të subvencionojmë drejt uljes çdo rritje të çmimeve. Kurse ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck ka javë që kërkon nga gjermanët të kursejnë gaz.

Dush me ujë të ftohtë dhe vishuni ngrohtë

Vonovia, koncerni më i madh i imobilieve në Gjermani kërkon që të kursejë gaz me reduktimin e temperaturës në 17 gradë natën në apartamentet që ofron ajo. Kjo do ta ulë konsumin e energjisë me 8% thuhet. Gjatë ditës ngrohja do të jetë si më parë, deri në 20 gradë. Edhe uji i ngrohtë nuk preket nga kjo masë kursimi. Nuk ka kufizime për dushin apo vaskën. Por një qark sakson, Dipodisvalde po merr masa të tjera. Së fundmi një shoqatë imobiljesh i njoftoi qiramarrësit, se në të ardhmen ujë të ngrohtë do të ketë vetëm në mëngjes herët, në mesditë dhe në mbrëmje. Ngrohja nuk do të hapet deri në shtator, thuhet në një njoftim të saj. "Siç e dini duhet të kursejmë energji."

Pas reagimeve të forta që shkaktoi një njoftim i tillë, ministrja e Ndërtimit, Klara Geywirtz nxitoi ta quajë këtë masë si joligjore dhe Shoqata e Qiramarrësve Gjermanë u shpreh, se mungesa e ujit të ngrohtë është arsye për reduktimin e qirasë mujore. Por kjo shoqatë imobiljesh nuk do të përkulet para presionit. Madje qiramarrësit kanë dhënë një sinal të lartë gatishmërie për bashkëpunim, ka thënë një anëtar i kryesisë së shoqatës së imobiljeve. "Qytetarët kanë shkuar shumë më larg se politika."

Vështrim me frikë nga gazsjellësi Nord Stream 1

Vërtet rend pas zhvillimeve politika? Në Ministrinë e Ekonomisë kondicionerët e ngrohjes janë stakuar që para disa javësh, në vjeshtë do të ngrohet më pak. Këtë ministri i Ekonomisë, Habeck ua rekomandon edhe ministrive te landeve.

Fakt është që varësia nga gazi rus ka qenë injoruar për një kohë të gjatë nga Berlini. Pjesa më e madhe e gazit rus vinte përmes gazsjellësit Nord Stream 1, që gazin natyror e sjell drejtpërdrejt nga Deti Balltik në Gjermani. Në vitin 2021 pjesa e furnizimeve ruse përbënte 55%, aktualisht sipas Ministrisë së Ekonomisë kjo është 35%.

Vetëm punime apo ndalim furnizimi?

Dänemark | Königin Margrethe II. und Robert Habeck bei Eröffnungsveranstaltung des Flüchtlingsmuseum FLUGT

Robert Habeck

Rusia e ka reduktuar ndjeshëm furnizimin me gaz dhe e arsyeton këtë me mungesën e turbinës së gazit të Siemens Energy, që riparohet në Kanada. Për shkak të sanksioneve të vendosura kundër Rusisë, kjo turbinë duhet të qëndronte në Kanada, derisa qeveria kanadeze dha lejen për transportin e saj. Qeveria gjermane kishte ofruar që Kanadaja ta lejonte turbinën të vinte në Gjermani dhe më pas ajo të dërgohej në Rusi. Nga e hëna (11 korrik) gazsjellësi Nord Stream 1 është mbyllur për të filluar punimet. Nëse pas 14 ditësh punimesh do të vazhdojë të rrjedhë gaz drejt Gjermanisë nuk dihet. "Nëse turbina vjen, kjo lejon një rritje të sasisë", thuhet nga Kremlini, që zyrtarisht thekson, se Rusia nuk e përdor gazin si mjet presioni politik.

Të përgatitesh për më të keqen

Por kësaj i trembet qeveria gjermane, që e ka akuzuar Rusinë për shkak të reduktimit të furnizimit me gaz për "sulm ekonomik" kundër Gjermanisë. Në Berlin shpresohet të ndodhë më e mira, por ndërkohë bëhen përgatitje për më të keqen. Me shpejtësi po miratohen ligje, për të zbutur pasojat e ngushticës së furnizimit me gaz dhe rritjes së çmimeve të energjisë.  Në ligjin për sigurimin e furnizimit me energji, thuhet, se për përftimin e rrymës elektrike në të ardhmen mund të përdoren termocentralet e qymyrit, me qëllim që gazi të përdoret për ngrohjen. Deri tani për të arritur objektivat e mbrojtjes së klimës duhej të përdorëj gjithnjë e më pak energjia e qymyrit.

Nga ana tjetër qeveria do të ndihmojë sipërmarrjet e energjisë në rrezik, si Uniper që është i varur nga furnizimet me gaz rus dhe aktualisht ndodhet në rrezik falimentimi, për shkak se duhet të sigurojë gazin me çmime shumë më të larta në tregjet botërore. Bëhet fjalë për 9 miliardë euro ndihma për Uniper. Por numri i sipërmarrjeve të energjisë në krizë rritet dita-ditës. Sa e madhe duhet të jetë ombrella e shpëtimit për sipërmarrjet me relevancë të madhe për vendin, pa e mbingarkuar arkën e shtetit? Kjo në një kohë kur edhe shumë sipërmarrje nga industria me zor paguajnë faturat e gazit.

Deutschland | Generaldebatte der Haushaltswoche im Bundestag

Friedrich Merz, kreu i CDU

"Vendi ynë me gjasë po shkon drejt krizës më të madhe ekonomike që nga krijimi i Republikës Federale", ka thënë kreu i CDU-së, Friedrich Merz në Bundestag. Gjermania shënon shifrat më të larta të inflacionit prej 30 vjetësh, prej dekadash për herë të parë edhe bilanci tregtar është negativ, që do të thotë, Gjermania importon më shumë se eksporton, sipas Merz. Instituti i Ekonomisë, Prognos ka llogaritur në një studim para pak ditësh, se nëse ndërpriten furnizimet me gaz nga rusia, rënia ekonomike e Gjermanisë do të jetë e madhe, rreth 12,7%.