De Maiziere kërkon që Turqia të garantojë lirinë fetare
24 Shtator 2010Për dy ditë me radhë foli në Bosfor, ministri federal i Brendshëm, Thomas de Maiziere me përfaqësues të minoriteteve të atjeshme turke. Përfundimi i tij pas bisedave me përfaqësues të kishave greke-ortodokse, siriane-ortodokse si dhe protestante përmban elementë të përzier. Qeveria turke nën kryeministrin Taip Erdogan vërtet që po përpiqet t'i forcojë të drejtat e minoriteteve. Megjithatë - këtë e deklaroi ministri federal i Brendshëm për radion gjermane në Stamboll - duhen ndërmarrë edhe hapa të tjerë:
Përparime janë bërë, por...
"Tani, të gjithë partnerët e bisedimeve thanë se ka përparime. Këtë ne e dëgjojmë me dëshirë. Megjithatë, ne dëshirojmë që të pasojnë edhe veprat, si për shembull hapja e seminarit të priftërinjve, më saktë rihapja e seminarit të priftërinjve - diçka që ka shumë kohë, që ndodhet në rrugën e vendimmarrjes. Dhe unë do të gëzohesha, nëse së shpejti të merret me të vërtetë një vendim pozitiv. Pra, përparime ka, por mund të pasojnë përparime të tjera", theksoi ai.
Seminari i priftërinjve në ishullin e Detit Marmara, Heybeli u mbyll në vitin 1971. Megjithatë, murgjit grekë ortodoksë të atjeshëm i kanë ruajtur shumë mirë objektet e nevojshme, sa që në rast se merret një vendim përkatës nga Ankaraja, seminari mund ta fillonte punën brenda e shumta një gjysme viti. Kjo të paktën është shpresa dhe vlerësimi i kreut të kishave ortodokse, patriarkut Bartolomeus, të vendosur në Stamboll, të cilin gjithashtu e takoi ministri i Brendshëm gjerman.
...duhet zgjeruar liria e fesë
Në këtë kuadër, Thomas de Maiziere e lëvdoi kishën aktuale të grekëve në Bosfor si vendimtare për traditën e madhe të krishterë të Evropës. Njëkohësisht ai kërkoi një zgjerim të lirisë fetare në Turqi. "Këtu nuk bën pjesë vetëm ushtrimi individual i fesë, por edhe ushtrimi institucional i fesë, themelimi i kishave, ndërtimi i kishave, mësimi i fesë, dialogu ndërfetar, mundësia për të qenë pronarë të ndërtesave, të gjitha këto duhet të jenë të vetëkuptueshme për shtete, të cilat duan të jenë pjesë e familjes evropiane."
Sot (24.09), ministri federal i Brendshëm do të takohet me presidentin e Zyrës turke për çështje fetare. Ali Barakoglu ka bërë emër si njeri i moderuar. Para pak javësh ai pati kërkuar që kisha e vjetër në Tarsus, në vendlindjen e apostullit Paulus, të shndërrohet sërish nga muze në një kishë të krishterë. Veç kësaj ai tërhoqi vëmendjen, kur tha se nuk do të kishte gjë kundër, sikur të krishterët në disa raste të kishin mundësi të mbanin mesha të shenjta në kishën Hagia Sophia të Stambollit. Ish-kisha ortodokse, e cila për shekuj të tërë konsiderohej si shtëpia më e madhe e Zotit në tokë, u kthye pas pushtimit osman në xhami dhe sot është muze.
Autor: Ulrih Pick/Auron Dodi
Redaktoi: Bahri Cani