1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Da capo: Komisioni i BE me plan-aksioni për minoritetin rom

9 Tetor 2020

Pas dhjetë vjetësh bilanci i politikës ndaj pakicës rome në Europë është i zymtë. Komisioni i BE-së po ndërmerr tani një nismë të dytë: Me një plan të ri për minoritetin rom synohet të përmirësohet gjendja.

https://p.dw.com/p/3jahO
EU Symbolbild Bürokratie
Fotografi: picture-alliance/dpa/I. Kjer

Strategjia e deritanishme e BE-së për integrimin e minoritetit më të madh etnik të sintive dhe romëve si dhe njerëzve me origjinë rome, ka dështuar. Pas dhjetë vjetësh të politikës se BE-së për romët, Komisionerja e BE-së për Vlerat Europiane, Vera Jourova, të mërkurën (07.10) paraqiti një bilanc deprimues. "Sinqerisht, në dhjetë vjetët e kaluar, ne nuk kemi bërë sa duhet ", tha Jourova në Bruksel. Diskriminimi i vazhdueshëm i 6,3 milionë romëve në vendet anëtare të BE-së është një vragë e shëmtuar në ndërgjegjen europiane, nënvizoi Jurova.

Këtej e tutje kjo duhet të ndryshojë, deklaroi Komisionerja e BE-së. Me një plan të ri dhjetëvjeçar Autoriteti i Brukselit do t'i detyrojë vendet anëtare që t'u garantojnë sintive dhe romëve të njëjtat kushte jetese, shanse arsimimi dhe të drejta si të gjithë qytetareve dhe qytetarëve të tjerë të BE-së. Në këtë plan nuk synohet vetëm „integrimi", por „inkluzioni" (përfshirja) dhe një pjesëmarrje me të drejta të barabarta e romëve, thuhet në dokumentin strategjik të Komisionit të BE-së. Me „romë" BE-ja përkufizon grupe të ndryshme etnike si romët, sintit, ashkalinjtë, endacakët,etj.

Përfshirja e këtij grupi etnik është kërkesë që e thekson në bisedë për DW edhe euro-parlamentari gjerman Romeo Franz: "Shtetet duhet ta luftojnë anticiganizmin, në mënyrë që planet për përfshirjen e tyre të funksionojnë. Konceptin e integrimit unë e refuzoj, sepse integrimi kuptohet nga pakicat e argjinalizuara si asimilim.

Vizepräsidentin der EU-Kommission Vera Jourova
Vera JourovaFotografi: European Union

Synimi është që atyre t'u garantohet pjesëmarrje me të drejta të barabarta", thotë Romeo Franz. Euro-deputeti ekologjist, i cili vet i përket minoritetit rom, i paraqiti BE-së një raport të detajuar për gjendjen e njerëzve me origjinë rome.

Anticiganizmi është një formë e veçantë e racizmit dhe ksenofobisë, që ende pranohet në shoqëritë europiane, ankohet Komisionerja e BE-së për Barazinë, Helena Dalli, e cila prezantoi nismën e re të Brukselit. Refuzimi i romëve, kriminalizimi dhe margjinalizimi i tyre nuk duhet të lejohet më. Në Francë p.sh. 52 përqind e francezëve nuk ndihen mirë në fqinjësi me romët ose me „endacakët". Ky është rezultati i një studimi të Agjencisë Europiane për të Drejtat Themelore.

Plan-aksionet duhet të ndihmojnë

Vendet anëtare të BE-së duhet të detyrohen, që brenda afatit të caktuar të paraqesin plan-aksionet kombëtare, që do të verifikohen në ritmin dy vjeçar nga Komisioni i BE-së, deklaroi Helena Dalli. Ky plan i ri dhjetë vjeçar duhet të jetë i më i detyrueshëm në krahasim me planin e mëparshëm. „Diskriminimi i deritanishëm është i pafalshëm", tha Dalli duke iu drejtuar vendeve anëtare të BE-së.

Si shembuj negativë u përmendën Çekia, Hungaria dhe Sllovakia, ku në shkolla fëmijët romë vendosen ndaras me fëmijët e „bardhë". Cilësia e mësimit për romët është më e dobët krahasuar me shkollat e rregullta. Ky segregacion apo ndarje racore nuk duhet toleruar. Komisoni i BE-së ndaj qeverive të këtyre vendeve ka iniciuar procedura të shkeljes së marrëveshjeve, por ato nuk kanë pasur deri tani asnjë efekt.

Bulgarien Roma Frauen
Edhe në Bullgari romët ankohen për diskriminimFotografi: Vesselina Bojilova/DW

Edhe në Rumani e Bullgari sintit dhe romët ankohen për diskriminim. Komisionerja e BE-së, Vera Jourova përshëndeti faktin që edhe vendet kandidate për anëtarësim në BE nga Ballkani Perëndimor duan t'i bashkohen kësaj strategjie të re. Ndonëse në vendet e BE-së jetojnë gjashtë milionë njerëz me perjardhje rome, por pesë milionë të tjerë jetojnë jashtë BE-së. Rreth 45 përqind e pjesëtarëve të këtij minoriteti etnik gjatë një anketimi të Agjencisë Europiane për të Drejtat Themelore në vitin 2018, deklaruan, se ata janë diskriminuar fare hapur në ndonjë restorant apo në vendin e punës.

Katër të pestat e fëmijëve romë kërcënohen nga varfëria. Papunësia tek të rinjtë në këtë grup etnik është 62 përqind krahasuar me vetëm 10 përqind që është papunësia e të rinjve të tjerë europianë. Mungesa e arsimit dhe kualifikimit profesional është një problem i jashtëzakonshëm sa i përket përmirësimit të kushteteve të jetesës, kritikon Komisioni i BE-së.

"Detyrë gjeneratash"

Komisionerja e BE-së Vera Jourova raportoi, se është tronditur gjatë vizitave në fshatrat sllovake, sepse shumë njerëz atje shpesh nuk kanë akses as tek uji i pijshëm dhe as nuk kanë tualete. "Ne kemi të bëjmë me një detyrë që do të zgjasë me gjenerata. Por ne duhet ta nisim këtë punë. Sepse tabuizimi dhe injorimi i metejshëm i anticiganizmit, ashtu sikurse po ndodh prej shekujsh në Europë, nuk sjell përmirësim të situatës", thotë për dë euro-deputeti Romeo Franz. Romeo Franz kërkon, që vendet anëtare të detyrohen ligjërisht për zbatimin e kësaj strategjie.

 

Bernd Riegert, me kostum dhe kravatë të kuqe, me kostum blu dhe këmishë bojëqielli.
Bernd Riegert Korrespondent nga Brukseli, me fokus te njerëzit, ngjarjet dhe politikat në BE