Bush prezanton projektbuxhetin për vitin 2007
8 Shkurt 2006Buxheti amerikan për vitin 2007 prezantohet në formë të shtypur si një numërator telefonik i një qyteti me miliona banorë. Nuk është çudi pasi që brenda kopertinave ndodhen shpenzime që kapin shumën e 2,8 bilionë dollarëve amerikan. Sa për krahasim ky është dhjetëfishi i buxhetit federal gjerman.
Nga njëra anë ekonomia amerikane vazhdon të lulëzojë dhe ka shënuar brenda vitit një rritje prej tre përqind dhe nga ana tjetër shtohen edhe borxhet e reja. Mbi 350 miliardë dollarë pritet të financohen vitin e ardhshëm përmes kredive. Sërish një karahasim: vetëm sasia e borxheve të reja kalon qartë shumën e përgjithshme të buxhetit vjetor gjerman.
Kjo ka të bëjë para së gjithash me luftën e Irakut, ajo kushton çdo muaj gjashtë miliardë dollarë. Bush ka kërkuar që ushtrisë t'i jepet krejt çka i duhet për të luftuar terrorizmin. Projketbuxheti parasheh 440 miliardë dollarë për ushtrinë, në krahasim me këtë vit do të thotë shtatë përqind më shumë. Thënë ndryshe: vetëm pjesa shtesë e shpenzimeve ushtarake është e barabartë me tërë buxhetin ushtarak të Bundesvehrit gjerman.
Përkrah ushtrisë përfituesit më të mëdhenj gjatë vitit të ardhshëm fiskal do të jenë shërbimet e fshehta dhe ato për mbrojtjen e atdheut.
Për të mundësuar këtë është paraparë shkurtimi apo mbyllja e 141 programeve qeveritare. Shkurtime miliardëshe janë bërë në fushën e arsimit, shëndetësisë, bujqësisë dhe komunikacionit. Demokratët kritikojnë se ky projketbuxhet rëndon të moshuarit dhe ata që kanë të ardhura të pakta dhe favorizon njëkohësisht interesat e grupeve të industrisë së naftës dhe energjisë bërthamore.
42 presidentëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ju nevojiten 224 vjet kohë që borxhet e huaja të arrinin në një bilionë dollarë. Presidenti Bush ka arritur brenda pesë vitesh ta dyfishoj këtë shumë, tha Ken Konrad, përfaqësues i demokratëve në komisionin financiar të senatit amerikan.