1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bullgarët votojnë për stabilitetin

Aleksandër Andrev23 Tetor 2006

Pavarësisht nga suksesi relativ i populistit Siderov, Bullgaria i përmbahet kursit të BE-së

https://p.dw.com/p/Arbk
Georgi Parvanov dhe Volen Siderov
Georgi Parvanov dhe Volen SiderovFotografi: picture-alliance/dpa

Mos vallë rezultati në votime i Siderovit është një sinjal për radikalizimin dhe për rritjen e armiqësisë ndaj Evropës në vendin, që bashkë me Rumaninë më 1 janar 2007 do të antarësohet në BE? Apo populizmi në Bullgari është vetëm një efekt anësor?

Ultranacionalisti Volen Siderov ia doli që të fitojë një të pestën e votave duke garantuar pjesëmarrjen e vet në balotazh, por suksesi i tij nuk do ta influencojë politikën bullgare. Rezultati i mirë për Siderovin ka të bëjë në radhë të parë me pjesëmarrjen e ulët në votime me vetëm 42%. Përçarja e partive të qendrës së djathtë, që hynë në garë me një kandidat që s´mund të zgjidhej, fjala është për presidentin e gjykatës kushtetuese, Nedeltsho Beronov, ka mbajtur larg kutive të votimit mbi njëmilionë zgjedhës.

Volen Siderov dhe partia e tij "Ataka" e përfaqësuar në parlament kanë aktivizuar me sukses përkrahësit duke shfrytëzuar praktikisht të gjithë potencialin e tyre elektoral. Sepse nacionalistët kanë hyrë në zgjedhje me një parrullë shumë të thjeshtë por mjaft të efektshme: "Ne përfaqësojmë ata, që pas kthesës kanë dalë të humbur." Këta janë bullgarët e hidhëruar dhe të deziluzionuar, të papunët dhe ata me të ardhura të pakta, njerëzit që pa kualifikim dhe pa mundësi lëvizjeje s´kanë shanse dhe për këtë arësye janë joshur prej parrullave të Siderovit dhe strategëve të tij.

Megjithatë retorika antievropiane e Siderovit, e përdorur gjithësesi me tone më të ulëta kohët e fundit, gjen jehonë pozitive tek ky grup zgjedhësish. Shumë prej tyre kanë frikë nga rritja e çmimeve dhe presioni i konkurrencës pas anëtarësimit të Bullgarisë në BE më 1 janar 2007. Edhe niveli faktik (e kryesisht ai që ndjehet) i korrupsionit dhe kriminalitetit në Bullgari ka qenë një as i rëndësishëm në duart e populistëve, që të gjithë klasën politike në Bullgari e damkosin si të korruptuar, plaçkitëse dhe kriminale.

Shumica më e madhe e zgjedhësve sidoqoftë ka votuar për ruajtjen e status quo-së politike dhe për orientimin evropian të Bullgarisë. Ndonëse presidenti i Bullgarisë në bazë të kushtetutës ka pak influencë në politikën e përditshme, janë të shumtë ata që tek Georgi Parvanov shohin një garanci për koalicionin qeverisës dhe kursin e BE-së të vendit. E pra s´është çudi përse Parvanovi suksesin e tij në radhë të parë e cilëson si një votë pro-evropiane.

Në fakt rezultati bindës i tij nuk ka të bëjë aq me euforinë e reformave dhe të BE-së, por me qëndrimin e disiplinuar të elektoratit socialist. Edhe votat e minoritet turk prej 10% në Bullgari kanë shkuar në favor të Parvanovit. Kjo pasi presidenti i vjetër dhe i ri ka mbështetur vazhdimisht me këmbëngulje pjesëmarrjen e partisë së minoritetit në qeveri dhe u është kundërvënë me vendosmëri parrullave armiqësore të Siderovit sipas të cilit "po avancon islamizimi i Bullgarisë".

Çfarë do të thotë rezultati i zgjedhjeve të 22 tetorit në Bullgari për të ardhmen e afërt dhe të largët të vendit? Së pari: mbajtësi i postit Georgi Parvanov do t´i fitojë pa u lodhur zgjedhjet e balotazhit dhe do të mbetet në post. Së dyti: qeveria e koalicionit do të forcohet prej kësaj dhe ka shumë gjasa që ta çojë deri në fund legjislaturën. Së treti: partitë e qendrës së djathtë do të mbeten në krizën më të thellë qysh pas kthesës politike në vitet 1989-1990, që mund të përballohet vetëm me zëvendësimin e personelit të sotëm dhe me një konsolidim gradual. Së katërti: reformat dhe aëntarësimi në BE i Bulgarisë do të vazhdojnë të kenë mbështetjen e shumicës si nga elektorati aktiv ashtu edhe nga ai pasiv.

Ultranacionalistët e Siderovit kanë arritur një sukses, që jep shkas për shqetësim, por që nuk ka pasojë për stabilitetin e këtij vendi evropiano-lindor. Sidoqoftë prej kësaj mund të vuajë disi imazhi i vendit të ardhshëm anëtar në BE.