Brukseli merr frymë i lehtësuar | Evropa | DW | 07.11.2012
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Brukseli merr frymë i lehtësuar

Reagimet e përfaqësuesve të lartë evropianë tregojnë edhe zhgënjimin për dashurinë e pakthyer dhe shpresën, që herën e dytë do të jetë më mirë.

Obama, Van Rompuy dhe Barroso në të majtë e të djathtë të presidentit amerikan

Obama, Van Rompuy dhe Barroso në të majtë e të djathtë të presidentit amerikan

Megjithë zhgënjimin e evropianëve Barak Obama nuk ka qenë kurrë i interesuar sa duhet për Bashkimin Evropian. Obama i ka reduktuar në minimum takimet me përfaqësuesit kryesorë të BE-së. Ai nuk erdhi kurrë në Bruksel në mandatin e tij të parë, ndryshe nga paraardhësi i tij republikan Xhorxh W. Bush. Por divergjencat përmbajtësore mes BE dhe Bushit ishin shumë më të mëdha, nga ç'janë ato të Obamës. Por gjithsesi Obama dërgoi menjëherë pas marrjes së detyrës zëvendëspresidentin Joseph Biden dhe sekretaren e Shtetit Hillari Klinton në Bruksel. Të dy u mirëpritën me përzemërsi të madhe. Një Mitt Romney si president, të paktën ashtu siç u paraqit në fushatën zgjedhore, shumë evropianë do ta konsideronin një katastrofë. Kështu që në këtë 7 nëntor 2012 në Bruksel ndjehet qartë lehtësimi për rizgjedhjen e Obamës. Përfaqësuesit zyrtarë të BE me siguri do të kishin uruar edhe një president Romney, këtë e kërkon prokokolli diplomatik. Por në formulimin e reagimeve vërehet ndryshimi. Megjithatë ndjehet, që evropianët presin nga Obama më shumë interes për çështjet evropiane, se deri tani.

Frika e Europës nga braktisja prej SHBA-së

Eështë interesante se presidenti i Këshillit të BE Herman Van Rompuy dhe presidenti i komisionit José Manuel Barroso lëshuan një deklaratë të përbashkët me shkrim, në vend të dy të veçantave si zakonisht. Me sa duket duan të dërgojnë një mesazh uniteti. Në të thuhet: "SHBA janë një partner i strategjik kyç i BE dhe ne gëzohemi për vazhdimin e kooperimit të ngushtë." Por bashkëpunimi sipas fjalëve të tyre ka nevojë për përmirësim. Van Rompuy dhe Barroso duan të "forcojnë kontaktet bilaterale", pikërisht në sfondin e krizës ekonomike, që prek të dy kontinentet. BE do të dëshironte të krijonte një treg të brendshëm me SHBA, për të dalë së bashku nga kriza. Por evropianët kanë dëgjuar me shqetësim në fushatën elektorale amerikane tonet proteksioniste si të Romney ashtu edhe të Obamës. Dhe ata vështrojnë me shqetësim kthimin e SHBA vetëm nga një anë, në Azi. Martin Callanan, kryetari i grupit parlamentar të konservatorëve dhe reformistëve në Parlamentin Evropian porosit në reagimin e tij ndaj rezultatit të zgjedhjeve. "BE duhet të sigurojë, se SHBA nuk do të kthehet nga Paqësori ekonomikisht dhe gjeopolitikisht në kurrizin tonë." Edhe Van Rompuy dhe Barroso shpresojnë në shkresën e tyre: "Se do ta takojnë Presidentin Obama në një moment të afërt, për të forcuar prioritetet tona dhe për t'i dhënë një hov të ri veprimit sonë të përbashkët." Këtu është përsëri ndjenja e dashurisë së zhgënjyer.

Obama pritet të përfundojë tërheqjen nga Afganistani

Shumë i kënaqur dhe jo i qartë shprehet Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen në reagimin e tij. Por pozita e tij është krejt tjetër. Ai është në krye të një aleance ushtarake, në të cilën SHBA luajnë pa diskutim violinën e parë. Rasmusen duhet të marrë në konsideratë gjëra krejt të tjera. "Lidhjet midis Evropës dhe Amerikës së Veriut," shkruan Rasmusen "mbeten aq të forta dhe të rëndësishme për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë euroatlantike si gjithmonë". Dhe më tej: "Presidenti Obama ka treguar fuqi të jashtëzakonshme drejtuese, duke i ruajtuar këto lidhje jetike." Ai gëzohet për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ", në mënyrë që NATO të mbetet efektive në një botë, që ndryshon me shpejtësi." Një hap veçanërisht i rëndësishëm i NATO-s do të kryhet nga rizgjedhja e Obamës në mandatin e tij të dytë: tërheqja nga Afganistani. Por për evropianët vlen gjithashtu: Kërkesa amerikane për më shumë përgjegjësi evropiane dhe shpenzime më të larta ushtarake do të mbetet.