1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Biden: Jo furnizime me armë për ofensivën izraelite në Rafah

10 Maj 2024

Qeveria amerikane po rrit presionin ndaj Izraelit. Presidenti Joe Biden kërcënoi për herë të parë se nuk do të dërgojë armë dhe granata në rast të një ofensive të madhe izraelite në qytetin Rafah në Rripin e Gazës.

https://p.dw.com/p/4fgHv
Presidenti amerikan Joe Biden gjatë intervistës për CNN në lidhje me Izraelin
Presidenti amerikan Joe Biden gjatë intervistës për CNN në lidhje me Izraelin

Presidenti amerikan Joe Biden përdori gjatë një interviste për kanalin televiziv amerikan CNN fjalë të qarta në drejtim të Izraelit. "E kam bërë të qartë se nuk do të furnizoj më me armë, nëse ata pushtojnë Rafahun”, tha Biden.

Biden pranoi se armë dhe predha artilerie me të cilat SHBA ka furnizuar Izraelin janë përdorur për të vrarë civilë gjatë ofensivës shtatë-mujore të Izraelit kundër organizatës militante islamike palestineze Hamas.

Armë dhe predha artilerie me të cilat SHBA ka furnizuar Izraelin, janë përdorur për të vrarë civilë në Gaza
Armë dhe predha artilerie me të cilat SHBA ka furnizuar Izraelin, janë përdorur për të vrarë civilë në GazaFotografi: Israeli Ministry of Defence/AFP

Shtetet e Bashkuara të Amerikës tashmë kanë pezulluar furnizimin me 3.500 bomba për Izraelin për shkak të rezervave lidhur me ofensivën që planifikon Izraelit në Rafah. I pyetur për këtë vendim Biden tha se nga këto lloj bombash në Gazë janë vrarë civilë.

SHBA do të vazhdojë të kujdeset për sistemin "Kupola e Hekurt" për mbrojtjen ndaj raketave, në mënyrë që Izraeli të jetë "i sigurt" dhe në gjendje për t'iu përgjigjur sulmeve.

Sistemi "Kupola e Hekurt"
Sistemi "Kupola e Hekurt"Fotografi: MANDEL NGAN/AFP

Megjithatë Biden u bëri të qartë kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe kabinetit të tij të luftës "se ata nuk do të marrin mbështetjen tonë, nëse vërtetë shkojnë në qendra të populluara".

Ambasadori i Izraelit në OKB shumë i zhgënjyer

Ambasadori i Izraelit në Kombet e Bashkuara, Gilad Erdan, tha se ishte "shumë i zhgënjyer" nga kërcënimi i Bidenit. "Kjo është një deklaratë e vështirë dhe shumë zhgënjyese nga një president të cilit i kemi qenë mirënjohës që nga fillimi i luftës”, tha Erdan për median izraelite Kan.

Ambasadori i Izraelit në Kombet e Bashkuara, Gilad Erdan
Ambasadori i Izraelit në Kombet e Bashkuara, Gilad ErdanFotografi: Eduardo Munoz Alvarez/AP/picture alliance

Deklaratat e Bidenit do të interpretohet nga armiqtë e Izraelit, Irani, Hamasi dhe Hezbollahu si diçka "që u jep atyre shpresë për sukses". Nëse Izraeli pengohet të hyjë në "një zonë kaq të rëndësishme dhe qendrore si Rafahu, ku ndodhen mijëra terroristë, pengje dhe udhëheqës të Hamasit, si mund t'i arrijmë qëllimet tona," tha Erdan.