Berlini politik mes dy palëve në krizën e Iranit | Gjermania | DW | 07.01.2020
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Gjermania

Berlini politik mes dy palëve në krizën e Iranit

Tensionet mes Iranit dhe SHBA rrezikojnë të shkallëzohen. Europa dhe Gjermania kanë shumë pak në dorë për t'i dalë ballë kësaj krize.

Bundeskanzleramt Symbolbild (imago/IPON)

Zyra e kancelares gjermane

"Çtensionim" është fjala magjike këto ditë në Berlinin politik. Edhe në deklaratën e përbashkët të kancelares Merkel, presidentit MAcron dhe kryeministrit, Boris Johnson të dielën kërkohet çtensionimi i situatës. Apelohet ndaj "të gjithë aktorëve", "të ushtrojnë vetëpërmbajtje të madhe dhe të tregojnë përgjegjësi". Po, por si të arrihet ky çtensionim?

Përgjigjja e Europës: Përmes bisedimeve. Europianët, theksoi ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas të hënën në radion gjermane, DLF, kanë "tek dyja palët kanale të hapura bisedimesh dhe funksionuese që po përdoren këtë moment. Ne do të japim ndihmesën tonë që të mos ketë në Irak një luftë me prokurë të vendeve të tjera."

SHBA kritikojnë mungesën e mbështetjes

Bisedimet zhvillohen me SHBA, që me vrasjen e gjeneralit iranian, Khasem Soleimani në Bagdad, kryeqytetin irakian të enjten e kaluar e ashpërsoi fort krizën. Ministri i Jashtëm amerikan, Mike Pompeo u shpreh i zhgënjyer për mungesën e mbështetjes nga europianët. SHBA e argumentuan vrasjen me drone të Soleimanit me sulmet konkrete të planifikuara nga gjenerali iranian. Prova për këtë pretendim nuk janë dhënë, konfirmoi një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë të hënën. "Ne e kemi parë arsyetimin e SHBA. Nga mungojnë informacionet për t'i kuptuar këto arsyetime", tha Rainer Breul i pyetur në një konferencë shtypi të qeverisë.

Europa ka filluar diplomacinë e ecejakeve me shpërndarje rolesh: Macron mban kontakt me presidentin e Iranit, Hasan Rohani; Boris Johnson me presidentin amerikan, Donald Trump. Angela Merkel takohet në fundjavë me presidentin rus, Vladimir Putin për të biseduar për krizën e Gjirit. Edhe Rusia, ashtu si Kina është nënshkruese e marrëveshjes atomike me Iranin në vitin 2015.

Ushtarë gjermanë në Irak

Qeveria gjermane zhvillon bisedime edhe me Bagdadin. Të dielën, (05.01) parlamenti irakian, i zemëruar për sulmin me drone në territorin e tij, kërkoi fundin e stacionimit të të gjithë trupave të huaja që marrin pjesë në luftën kundër të ashtuquajturit "Shteti Islamik", IS. Në Irak janë edhe 120 ushtarë gjermanë, kryesisht për trajnim. Sipas zëdhënësit Rainer Breul tani po bisedohet, "se si mendon të veprojë qeveria me këtë vendim të parlamentit dhe si e dëshiron marrëdhënien e mëtejshme me partnerët."

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas ishte shprehur më parë, se kundër vullnetit të Irakut askush nuk do një angazhim ushtarak. Maas i vlerësoi kërcënimet për sanksione të amerikanëve si  "jo ndihmuese". Aktualisht ushtarët gjermanë për shkak të gjendjes së sigurisë qëndrojnë në kazermat ushtarake. Heiko Maas parashikon shpejt bisedime edhe homologun iranian, Javad Sarif.

Ndërmjetësues të pafuqishëm

Megjithatë e hapur mbetet pyetja: Çfarë ka për t'iu ofruar partnerëve në bisedime Berlini dhe Europa veç apeleve dhe këshillave? Ka më shumë se një vit e gjysmë që europianët përpiqen pa sukses të ndërmjetësojnë mes Teheranit dhe Uashingtonit. ata angazhohen për shpëtimin e marrëveshjes atomike me Iranin, të cilën Trump e hodhi poshtë njëanshëm në maj 2018.

Iran Trauerzeremonie für getöteten General Soleimani in Teheran (picture-alliance/AP Photo/E. Noroozi)

Ceremonia mortore për Soleimanin e vrarë

Përpjekjet e Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe për t'i ofruar avantazhe ekonomike Iranit, të premtuara në marrëveshjen atomike, nuk kanë qenë të suksesshme deri më tani. Shumica e firmave europiane për shkak të presionit amerikan janë larguar nga Irani. INSTEX, shoqëria e krijuar qëllimisht për këtë nga Berlini, Parisi dhe Londra për t'i mënjanuar sanksionet nuk po bën përpara.

Për shkak se Teherani nuk shikon më avantazhe nga kjo marrëveshje, nga maji i vitit 2019, ai po tërhiqet hap pas hapi prej saj. Të dielën Irani bëri të ditur shfuqizimin e një pike në marrëveshje, kufizimet për centrifugat e pasurimit të uranit. Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme gjermane, Rainer Breul kjo "është një shkelje tjetër e rëndë e marrëveshjes".

Europa - "tigër prej letre"

Europa nuk mund të bëjë shumë në konfliktin e Gjirit, konstaton ish-ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel në një opinion për gazetën gjermane, "Tagesspiegel". Shumë shpesh Bashkimi Europian në dy vitet e fundit ka treguar, "se është një tigër prej letre, kur puna bëhet serioze." Ish-ministri i Jashtëm është i mendimit, se për ta ndryshuar këtë situatë të tensionuar, Europa duhet të jetë e guximshme dhe të marrë parasysh rreziqet. "Në rast nevoje të rrezikojë edhe një konflikt më të madh politik me presidentin e tanishëm të SHBA." Për ta penguar Teheranin të vazhdojë ngjitjen në spiralen e tensioneve, Gabriel ka një ofertë: Kredi dyshifrore miliardëshe të Bankës Qendrore Europiane dhe bankave kombëtare europiane për kthimin e Iranit në marrëveshjen atomike dhe në rastin më të keq reagim "të kufizuar" për atentatin kundër Soleimanit. Sipas Sigmar Gabriel me këtë ofertë, Europa do të kthente besueshmërinë në Teheran dhe nuk do të ishte më një tigër në letër.