1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Berisha: Shqipëria duhet të shqyrtojë votimin e detyrueshëm

17 Prill 2026

Protesta e thirrur nga Partia Demokratike zgjati rreth dy orë. Në fjalimin e tij Berisha u ndal te situata ekonomike në Shqipëri dhe kërkoi votim me detyrim.

https://p.dw.com/p/5CPSl
Sali Berisha duke folur
Sali Berisha propozoi votimin me detyrim në Shqipëri Fotografi: Rashela Shehu/DW

Molotovë drejt godinës së qeverisë, ujë dhe gaz lotsjellës nga policia, përplasje fizike, të lënduar dhe arrestime. Protesta e shtatë e opozitës në Tiranë nuk ndryshoi shumë nga tubimet e mëparshme, megjithëse riktheu podiumin dhe fjalimet politike. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e paraqiti forcën që drejton si "shpresën e vetme” të vendit.

Për rreth dy orë zgjati protesta e thirrur nga Partia Demokratike në bulevardin "Dëshmorët e Kombit”. Në fjalimin e tij, Berisha u ndal te situata ekonomike në vend.

"Çmimet e naftës janë ndër më të lartat në botë. Rrogat dhe pensionet më të ulëta janë në vendin tonë” - tha Berisha para demokratëve.

Berisha: Klimë frike dhe presioni

Kreu i opozitës theksoi se pakënaqësia qytetare ekziston, por sipas tij ajo frenohet nga klima e frikës. Ai akuzoi Kryeministrin Edi Rama se përdor presion administrativ dhe politik ndaj qytetarëve.

"Duke i kërcënuar me vendin e punës, duke i kërcënuar me bizneset, duke i kërcënuar me kafshatën e bukës” - tha Berisha, teksa shtoi se vetëm Partia Demokratike nuk i nënshtrohet kësaj frike.

Berisha propozon votimin me detyrim në Shqipëri

Në fjalimin e tij, Berisha u ndal edhe te zgjedhjet në Hungari, duke i paraqitur si shembull të pjesëmarrjes së lartë në votime. Sipas tij Kuvendi i Shqipërisë duhet të shqyrtojë dhe miratojë një ligj për votimin me detyrim.

Protestues në bulevardin "Dëshmorët e Kombit”
Rreth dy orë zgjati protesta e thirrur nga Partia Demokratike në bulevardin "Dëshmorët e Kombit”.Fotografi: Rashela Shehu/DW

"Një mësim që ne shqiptarët mund ta nxjerrim nga zgjedhjet në Hungari është pjesëmarrja masive në votime, mbi 80% e qytetarëve hungarezë. Kjo është arsyeja përse unë kam insistuar ligjin për votimin me detyrim, ligj të cilin e kanë një seri vendesh demokratike, sepse vetëm një pjesëmarrje e detyruar në zgjedhje në Shqipëri do të mund të çlironte qytetarët nga frika dhe të kishim rezultatet që duhen” - tha Berisha.

"Por në Shqipëri një pjesëmarrje e tillë është e ndaluar nga kërcënimet” – shtoi lideri demokrat, ndërsa akuzoi Kryeministrin Edi Rama dhe Partinë Socialiste për presion ndaj votuesve.

Të lënduar protestues dhe efektivë policie

Mbarimi i fjalimit të Berishës u pasua nga një breshëri molotovësh në drejtim të godinës qeveritare. Kundërpërgjigja e forcave të policisë ishte e menjëhershme, përmes ujit dhe gazit lotsjellës.

Opozita duke protestuar
Molotovë drejt godinës së qeverisë, ujë dhe gaz lotsjellës nga policia, përplasje fizike, të lënduar dhe arrestime. Protesta e shtatë e opozitës në Tiranë nuk ndryshoi shumë nga tubimet e mëparshmeFotografi: Rashela Shehu/DW

Nga përplasjet e mbrëmjes mbetën të lënduar disa protestues, mes tyre deputetë dhe aktivistë, si edhe një efektiv policie. Të lënduarit u dërguan për trajtim në Spitalin e Traumës.

Ndërkohë Kryeministri Edi Rama ndodhet në Spanjë, ku do të marrë pjesë në punimet e mbledhjes së katërt të samitit "Në mbrojtje të demokracisë”, që zhvillohet në Barcelonë me ftesë të homologut spanjoll, Pedro Sánchez

Një grua me flokë të gjata (Rashela Shehu) duke buzëqeshur në kamera
Rashela Shehu korrespondente nga Tirana