1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE hap gjyq ndaj AstraZeneca për problemet me furnizimin

27 Prill 2021

Komisioni i BE-së duket se e ka humbur durimin. Për mungesë të furnizimeve me vaksina autoriteti i Brukselit ndërmori hapat juridikë kundër sipërmarrjes farmaceutike britaniko-suedeze.

https://p.dw.com/p/3sbzw
AstraZeneca Pharmakonzern Logo
Fotografi: STR/AFP/Getty Images

Në një gjykatë belge është hapur procesi në emër të 27 vendeve anëtare, vuri në dukje zëdhënësi i Komisionit në Bruksel. Prodhuesi britaniko-suedez i vaksinës AstraZeneca i ka shkurtuar në mënyrë të njëanshme herë pas here muajt e fundit furnizimet me vaksina. Tremujorin e parë në vend të 120 milionë dozave të kontraktuara janë furnizuar vetëm 30 milionë në 27 vendet anëtare. Për tremujorin e dytë, sipas të dhënave të fundit priten 70 milionë doza. Ndërkohë që sipas marrëveshjes fillestare duhej të furnizoheshin 180 milionë doza.

Prej kohësh raportet janë të tensionuara

Sipas këndvështrimit të Komisionit të BE-së prodhuesi është duke shkelur marrëveshjen kuadër me BE-në të vendosur në gusht të vitit 2020. Komisioni i BE-së ka porositur gjithsej 300 milionë doza vaksina tek AstraZeneca. Raportet mes Komisionit të BE-së dhe sipërmarrjes farmaceutike janë të tensionuara edhe sepse Britania e Madhe nuk është prekur aspak prej problemeve me furnizimin e vaksinave. BE për këtë arsye aplikoi mekanizmin e kontrollit të eksporteve. Një furnizim me 250.000 doza AstraZeneca u bllokua.

Komisioni i BE-së pati hapur një proces arbitrazhi me sipërmarrjen. Padia ka kaluar tani në hapin pasues. Por kjo nuk ndikon në mungesën edhe më tej të furnizimeve me vaksina.

Coronavirus - Astrazeneca Impfstoff
Fotografi: Gareth Fuller/PA Wire/dpa/picture alliance

AstraZeneca justifikohet

Duke reguar ndaj njoftimit të Komisionit për proces gjyqësor AstraZeneca komunikoi, se i është përmbajtur marrëveshjes me Komisionin e BE-së dhe se do të mbrohet në gjyq. "Ne besojmë, që ky proces është i paargumentuar dhe përshëndesim mundësinë për ta zgjidhur sa më shpejt të jetë e mundur këtë mosmarrëveshje." Sipas prodhuesit farmaceutik deri në fund të prillit po punohet për furnizimin e 50 milionë dozave si dhe për ta intensifikuar prodhimin. 

Vaksina me përdorim të kufizuar

Një pjesë e madhe e vaksinës, që përdoret në vendet e BE-së, vjen nga prodhuesi gjermano-amerikan BioNtech/Pfizer. Krahas AstraZeneca edhe vaksinat Moderna dhe  Johnson & Johnson janë licencuar në BE. Ndërkohë vaksina AstraZeneca po përdoret me kufizime në vendet e BE-së, sepse janë shfaqur disa raste të trombozave cerebrale që dyshohet se lidhen me këtë përbërës. Sidoqoftë vaksina AstraZeneca është e lejuar të përdoret sipas udhëzimit të autoritetit europian për kontrollin e meidkamenteve, EMA.

 

 

nob/uh (dpa, afp, rtr)