1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE dhe India nënshkruajnë një marrëveshje historike tregtare

27 Janar 2026

BE dhe India mbyllën negociatat për lehtësimin e tregtisë. Marrëveshja e arritur synon të reduktojë tarifat doganore dhe të krijojë vende pune. Ajo është edhe sinjal gjeopolitik në kohë të tensioneve globale.

https://p.dw.com/p/57YeM
Kryeministri indian Narendra Modi me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe me Presidentin e Këshillit Evropian Antonio Costa shtrengojne duart para takimit ne Hyderabad House ne New Delhi
Kryeministri indian Narendra Modi (në qendër) me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen (djathtas) dhe me Presidentin e Këshillit Evropian Antonio CostaFotografi: Altaf Hussain/REUTERS

Gati dy dekada pas negociatave të para, Bashkimi Evropian  dhe India kanë rënë dakord për një marrëveshje gjithëpërfshirëse tregtare. Këtë e njoftuan Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe Kryeministri indian, Narendra Modi, në Nju Delhi. Heqja e barrierave tregtare dhe e tarifave do të nxisë ndjeshëm shkëmbimin e mallrave dhe shërbimeve midis BE dhe Indisë. Qëllimi është të nxitet rritja dhe punësimi, duke reduktuar varësitë e padëshiruara ekonomike nga vendet e tjera.

Presidentja e Komisionit Evropian, Von der Leyen, tha: "BE-ja dhe India po shkruajnë sot histori dhe po thellojnë partneritetin midis demokracive më të mëdha të botës." Po krijohet një zonë e tregtisë së lirë me dy miliardë njerëz, nga e cila të dyja palët do të përfitojnë ekonomikisht. Von der Leyen shtoi se për më tepër, po i dërgohet një sinjal i qartë botës se bashkëpunimi i bazuar në rregulla vazhdon të japë rezultate të shkëlqyera.

Preket një e katërta e popullsisë së botës

India është, përpara Kinës, vendi me popullsinë më të madhe në botë, me më shumë se 1.45 miliardë banorë. Në Bashkimin Evropian jetojnë rreth 450 milionë njerëz. Së bashku, të dyja palët përfaqësojnë gati një të katërtën e prodhimit të brendshëm bruto të botës dhe të popullsisë së botës.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, mori pjesë që të hënën në një paradë në Nju Delhi. Von der Leyen dhe Modi me shalle festive ne qafe
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, mori pjesë që të hënën në një paradë në Nju Delhi.Fotografi: Jitender Gupta/ANI

Edhe pse marrëveshja nuk do të jetë aq gjithëpërfshirëse sa ajo që Bashkimi Evropian arriti së fundmi me vendet e Mercosur-it (Brazili, Argjentina, Uruguaji dhe Paraguaji), duke pasur parasysh madhësinë e tregut indian, ajo është një nga marrëveshjet më të rëndësishme tregtare që BE ka arritur deri më sot.

Produktet bujqësore nuk janë pjesë e marrëveshjes

Sipas të dhënave nga Brukseli, marrëveshja parashikon reduktim në pothuajse të gjitha tarifat doganore për produktet nga BE. Tarifat indiane për automjetet do të reduktohen gradualisht nga 110% aktualisht, në 10%, sipas Komisionit Evropian. Deri tani, doganat për automjetet me vlerë nën 40.000 dollarë amerikanë kanë qenë 66%, ndërsa janë aplikuar tatime shtesë deri në 110% për modelet më të shtrenjta. Veç kësaj, dhjetë vjet pasi marrëveshja të ketë hyrë në fuqi, tarifat doganore për pjesët e automjeteve do të eliminohen plotësisht.

Edhe bujqësia evropiane gjithashtu pret mundësi të reja eksporti. Prandaj, marrëveshja është shumë më pak e debatuar në Evropë sesa, për shembull, marrëveshja tregtare me vendet e Mercosur-it të Amerikës së Jugut, e cila shkaktoi protesta mes fermerëve.

Shtesat e importit për verën do të reduktohen nga 150% në 20%, ndërsa tarifat doganore për vajin e ullirit, makaronat dhe çokollatën do të eliminohen plotësisht. Megjithatë, produktet bujqësore si mishi i viçit, mishi i derrit dhe mishi i pulës, si dhe orizi dhe sheqeri, nuk janë pjesë e marrëveshjes. Sipas Komisionit Evropian, tarifat doganore për produktet farmaceutike dhe kimike gjithashtu do të reduktohen ndjeshëm.

BE: 6000 kompani evropiane operojnë në Indi

Përsa i përket potencialit për marrëdhënie tregtare të ardhshme, BE ka deklaruar se pritet që marrëveshja të dyfishojë eksportet e BE në Indi deri në vitin 2032. Kjo do të bëhet e mundur nga eliminimi ose reduktimi i tarifave për 96.6% të vlerës së eksporteve të mallrave të BE drejt Indisë. Në tërësi, reduktimet tarifore mund të kursejnë rreth 4 miliardë euro në vit taksa mbi produktet evropiane. Sipas të dhënave të BE, më shumë se 6.000 kompani evropiane janë tashmë të pranishme në Indi.

Bisedimet e delegacioneve midis Modit, Indi dhe von der Leyen-it dhe Kostas nga BE. Palet te ulura ne dy anet e nje tryeze ngjyre panje, me radhe lulesh te verdha ne mes, ne krye te tavolines nje oxhak.
Bisedimet e delegacioneve midis Modit, Indi dhe von der Leyen-it dhe Kostas nga BEFotografi: DPR PMO/ANI

Një zyrtar i BE në Bruksel tha se, deri tani, tregtia me Indinë përbën vetëm rreth 2.5% të totalit të tregtisë së BE me mallra, krahasuar me gati 15% me Kinën. Pavarësisht tarifave doganore relativisht të larta nga ana e Indisë, tregtia midis BE dhe Indisë është rritur tashmë me gati 90% në dhjetë vitet e fundit.

Merz: Gjermania është partneri më i rëndësishëm tregtar i Indisë në BE

Marrëveshja konsiderohet veçanërisht e rëndësishme në kontekstin e marrëdhënieve të tensionuara tregtare me SHBA, të cilat janë bërë gjithnjë e më të paparashikueshme për shkak të politikës së tarifave doganore të Presidentit amerikan Donald Trump. Von der Leyen deklaroi javën e kaluar: "Ne zgjedhim tregtinë e drejtë në vend të doganave, bashkëpunimin në vend të izolimit." BE dëshiron qëndrueshmëri në vend të shfrytëzimit dhe merr seriozisht reduktimin e rrezikut dhe diversifikimin e zinxhirëve të furnizimit.

Kancelari gjerman Friedrich Merz gjithashtu e mbështeti fuqishëm përfundimin e negociatave në mes të janarit. Më shumë se 2.000 kompani gjermane tashmë operojnë në Indi, dhe në të njëjtën kohë, gjithnjë e më shumë kompani indiane po investojnë në Gjermani, tha ai në një takim me Modin. Me një vëllim tregtar dypalësh prej gati 50 miliardë dollarësh amerikanë (42.2 miliardë euro) në mallra dhe shërbime, Gjermania është partneri më i rëndësishëm  tregtari Indisë brenda Bashkimit Evropian.

Shtetet e BE dhe Parlamenti duhet të japin miratimin

Megjithatë, mund të kalojë edhe pak kohë para se marrëveshja të nënshkruhet. Së pari, teksti i saj duhet të verifikohet ligjërisht dhe të përkthehet në të gjitha gjuhët zyrtare të BE-së. Më pas ai duhet të miratohet nga shtetet anëtare dhe Parlamenti Evropian.

BE dhe India negociuan fillimisht për një marrëveshje tregtare të lirë midis viteve 2007 dhe 2013. Por bisedimet dështuan në atë kohë dhe nuk u rifilluan deri në vitin 2022. Interesi për të arritur një marrëveshje ka rritur së fundmi nga të dyja palët, gjithashtu për shkak të sjelljes së qeverisë amerikane nën Presidentin Trump.

Tani SHBA aplikon tarifa doganore deri në 50% për produktet indiane, përfshirë 25% për tregtinë midis Indisë dhe Rusisë. India, e cila tradicionalisht mban marrëdhënie të mira me Moskën dhe Perëndimin, e siguron shumicën e naftës dhe gazit nga Rusia.

aud (pgr/dpa, afp, rtr)