1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ballkani në BE: Nevojiten më shumë histori suksesi

22 Nëntor 2018

Diskutimi për publikun në Institutin Aspen në Berlin me përfaqësues të Ballkanit e BE-së e Gjermanisë u bë nën hijen e acarimit të marrëdhënieve për shkak të taksave të Kosovës ndaj Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.

https://p.dw.com/p/38hF9
Deutschland - Podiumsdiskussion des Aspen Instituts in Berlin
Fotografi: DW/N. Kreizer

Kur në vitin 2003, në Selanik, Ballkanit Perëndimor iu ofrua perspektiva Europiane, qëllimi ishte qëndrueshmëria afatgjatë e rajonit. Por që nga ajo kohë kanë kaluar 15 vjet dhe përparimet e arritura në këtë proces janë të vogla. Marrëveshja mes Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit, e cila ende nuk është përmbyllur përfundimisht, ka gjasë të jetë një histori e tillë suksesi.

"Por na nevojiten më shumë të tilla", kërkoi Christian Hellbach, i ngarkuari i Gjermanisë për Europën Juglindore, Turqinë dhe vendet EFTA-s, të mërkurën në Berlin, në aktivitetin e Instituti Aspen. Argumenti i tij: Pa histori suksesi, është e vështirë të binden qeveritë dhe parlamentet e vendeve anëtare të BE-së që të angazhohen për zgjerimin. Edhe pse në fakt, siç do të thoshte diplomati me përvojë - ndër të tjera ish-ambasador në Sarajevë - Ballkani Perëndimor nuk është në skaj, por në mes të Europës dhe angazhimi për të është në interes të drejtpërdrejtë të sigurisë së BE-së.

Debat për taksat ndaj Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës

Por vendime të tilla, si ai i qeverisë së Kosovës për t'u vënë taksa prodhimeve nga Serbia dhe Bosnja-Hercegovina, e vështirësojnë shumë punën bindëse me skeptikët ndaj Ballkanit, siç mësoi DW nga qarqet diplomatike të mërkurën në Berlin. Hapi i Kosovës, si përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj fushatës së Serbisë kundër kandidaturës së Kosovës në Interpol, sipas mendimit të diplomatëve, është i nxituar dhe nuk e nxjerr Kosovën aspak në një dritë pozitive, sidomos tani që ajo ka kryesinë e CeftA-s. "Çështjet tregtare duhen zgjidhur brenda CeftA-s," - tha edhe ambasadori Hellbach gjatë bisedës në Aspen.

Zëvendësministri i Bosnjë-Hercegovinës, Josip Brkiç, e quajti vendimin e qeverisë Haradinaj për taksat ndaj vendit të vet "luftë tregtare që nuk përputhet me mekanizmin e Cefta-s". Unë nuk e di se si mund të flasim për bashkëpunim dhe stabilitet në këto kushte, u ankua ai. Për kryenegociatoren e Serbisë me BE-në, Tanja Miščević, vendimi i taksave vetëm sa e vështirëson dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë.

Christian Hellbach Staatsminister Auswärtiges Amt
Christian HellbachFotografi: Deutsche Botschaft/Tirana

Kosova dhe Shqipëria kritikojnë Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën

Zëvendësministri i Kosovës për integrim, Lirak Çelaj, e mori në mbrojtje vendimin e qeverisë së vet për rritjen e taksave : "Si Serbia, ashtu edhe Bosnja – Hercegovina kanë kaq vite që po na vënë pengesa. Kjo nuk është fqinjësi e mirë dhe nuk na lejon të jemi të barabartë. Me këtë hap, që u detyruam ta bëjmë, shpresojmë që Serbia dhe Bosnja –Hercegovina të ndryshojnë sjelljen e tyre ndaj Kosovës", tha Çelaj.

Zëvendësministri i jashtëm i Shqipërisë dhe njëherazi kryenegociatori i Shqipërisë me BE-në, Gent Cakaj, kujtoi në këtë kontekst qëndrimin bllokues të Serbisë në marrëveshjen për tarifat roaming të celularëve, që është një nga pikat kryesore të agjendës digjitale të BE-së për Ballkanin Perëndimor. Sipas Cakajt, Serbia jep shkaqe teknike, por në fakt bllokada është vendim politik, për të penguar kështu pjesëmarrjen e Kosovës në këtë marrëveshje. Gent Cakaj, vetë 28 vjeçar, që ka kaluar një pjesë të jetës në Kosovë, tha se qytetarët e Kosovës e kanë më të lehtë të shkojnë në New York se në Sarajevë, për shkak të regjimit të vizave kundër tyre. Cakaj, si përfaqësues i Shqipërisë, nuk donte të komentonte vendimin e qeverisë së Kosovës, por kërkoi më shumë sinqeritet në komunikim mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Deutschland - Podiumsdiskussion des Aspen Instituts in Berlin
Fotografi: DW/N. Kreizer

Në pritje të zgjedhjeve për Parlamentin Europian

Siç mëson DW nga qarqet politike dhe diplomatike nga Berlini, çështja e liberalizimit të vizave, sikurse edhe ajo e zgjerimit të Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit, është e vështirë t'i ofrohet elektoratit, së paku deri në zgjedhjet e Parlamentit Evropian, në maj të vitit 2019.

Kjo është data që po presin të gjitha vendet për të vazhduar edhe zyrtarisht procesin e integrimit në BE. Objektivat ndryshojnë nga vendi në vend: Shqipëria dhe Maqedonia duan të çelin negociatat, Kosova të shijojë heqjen e vizave, Mali i Zi dhe Serbia të hapin kapitujt e rinj, Bosnja-Hercegovina të fitojë statusin e kandidatit.

Por a mund të garantojë Komisioni Europian që kjo agjendë do të mbetet e tillë? Genoveva Ruiz Calavera, drejtoreshë e drejtorisë së Komisionit të BE-së për politikat ndaj vendeve fqinje dhe për negociatat e zgjerimit, është e qetë dhe optimiste, se politika nuk ka për të ndryshuar: Tekefundit, agjenda europiane ka mbijetuar tre legjislatura, tre komisione, kujton ajo. Calvera thotë se do t'i duhet sërish ta bindë shefin e saj të ri për domosdoshmërinë e kësaj agjende

Instituti Aspen organizon çdo vit një konferencë me përfaqësues nga rajoni i Ballkanit, Gjermania dhe BE-ja në Berlin për të diskutuar në atmosferë të qetë për çështjet aktuale politike. Konferenca zakonisht është me dyer të mbyllura, ndërsa tradicionalisht njëri prej paneleve hapet edhe për publikun e gjerë.