1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ballkani ka nevojë për perspektivë evropiane

Thomas Gerlach4 Janar 2006

Viti 2006 është një vit vendimtar për rajonin e Ballkanit

https://p.dw.com/p/AqrP
Refugjate kosovare
Refugjate kosovareFotografi: AP



Ballkani sërish ka rrezik të lëviz drejt destabilizimit. Në këtë vit pritet që të zgjidhet çështja e Kosovës dhe do të vendoset ardhmëria e Malit të Zi. Nacionalizmit nuk i duhet dhënë shanse. BE-ja duhet t'a marrë më seriozisht rajonin, nëse nuk dëshiron që më vonë të paguajë çmimin më të lartë


Ballkani para ndryshimeve

Se sa afër e ka Ballkanin, Evropa Qendrore këtë e kuptoi mirë gjatë viteve 90-të. Me qindra mijëra refugjatë i ikën vdekjes, ndërkohë që në atdheun e tyre zhvillohej shkatërrimi i përgjakshëm i Jugosllavisë, që filloi në kohën e krishtlindjeve para 15 viteve. Mirëpo, tani ky proces gjendet para përfundimit, sepse edhe pjesa e fundit e kësaj Jugosllavije do të shkatërrohet. Mali i Zi dëshiron të ndahet nga federata e pabarabartë. Fakti se malazezët, një popull me 600 mijë banorë duan të tregojnë mosinteresimin e tyre për bashkëjetesën me 10 milionë serbë, ka të bëjë edhe me frikën e tyre, se po bien në vorbullën e tatëpjetës, ku gjendet edhe partneri i padashur. Nëse çdo gjë do të shkojë siç është planifikuar, Serbia do të humbasë daljen në det duke e ndjerë veten të dëshpëruar. Kjo sërish do t'i forcojë forcat radikalët. Të rinjtë, të papunët dhe serbët e tjerë të frustruar, të cilët nuk e njohin botën e jashtme, për arsye të regjimit të rrepte të vizave, do të mund të mbështesin socialistët, radikalët, nacionalistët, të cilët më herët e sollën Serbinë në një gjendje mënxyre. Kështu ne kemi rastin të përjetojmë në kohën e papërshtatshme një spirale fatale.

Në këtë vit në rend të ditës është edhe fati i Kosovës. Atje shqiptarët e Kosovës përbëjnë më shume se 90 përqind të popullsisë.

Formalisht, provinca që për momentin është nën mandatin e OKB-së,i takon Serbisë dhe Malit të Zi dhe me shekuj është ngritur si mit dhe legjendë nga ana e serbëve. Në praktikë, si edhe më heret asnjë serb nuk dëshiron të shkojë për të jetuar në Kosovë. Beogradi nuk ka para për mbajtjen e provincës, të gjitha këto bëjnë që Serbia me dëshirë t'a shtyjë diku mënjanë këtë problem. Tek të dyja palët pikënisje në bisedime janë kërkesat maksimale.

Shqiptarët kërkojnë pavarësine. Serbia është në gjendje të ofrojë autonomi. Riforcimi i nacionalizmit serb do t'i vështirësonte bisedimet edhe ashtu të vështira. Nëse do të rezultojnë këto bisedime në fund me një pavarësi të kufizuar dhe të kontrolluar nga ndërkombëtaret, siç presin shumë vëzhgues, kjo varet nga racionalizmi i palëve në bisedime. Një gjë është e sigurtë, se BE-së do t'i bjerë përgjegjësi e posaçme, edhe pse kemi të bëjmë me bisedime të organizuara nga ana e Kombeve te Bashkuara. Konflikti shqiptaro-serb nuk mund të tejkalohet pa ndihmën e jashtme. Frontet e ashpërsuara atëherë nuk do të luanin rol nëse të dyja palëve do t'u ofrohet perspektivë evropiane. Me një fjalë: nacionalizmi nuk duhet lejuar të zhvillohet. Kjo do të thotë: Edhe nëse për zgjedhësit e saj nuk është aq shume e këndshme, BE-ja duhet të mbajë dyert hapur për raundin shtesë të zgjerimit. Sepse ajo edhe e di mirë se profili i rajonit është i zymtë.

Ballkani ka nevojë për perspektivë

Nga Ballkani nuk duhet të krijohet një zonë e rrezikshme, ku burojnë vetëm konfliktet, rrëmuja dhe kriminaliteti. Prandaj ai duhet ndihmuar. Natyrisht se kjo kërkon edhe çmimin e saj. Mirëpo, ashtu si është vënë në pah në fillim: Ballkani nuk është aspak larg. Ti kthehet shpina do të ishte jo vetëm moralisht e palejueshme, por edhe në fund do të kushtonte me shtrenjtë.