1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Anketë: Shqetësimet për gjendjen në Gjermani në rritje

6 Shkurt 2026

Në sondazhin e fundit të ARD-Deutschlandtrend, SPD ka fituar çuditërisht simpati, ndërsa CDU dhe CSU kanë humbur disi mbështetjen e qytetarëve.

https://p.dw.com/p/58B6j
Gjermani, pamje nga Rajshtagu në Berlin
Në sondazhin e fundit të ARD-Deutschlandtrend del në pah se shqetësimet për gjendjen në Gjermani janë në rritjeFotografi: Britta Pedersen/dpa/picture alliance

Humbje të lehta për konservatorët e kancelarit Friedrich Merz, rritje e lehtë simpatie për partinë bashkëqeverisëse, social-demokratët. Këto janë gjetjet kryesore të sondazhit të emisionit ARD-Deutschlandtrend të kryer nga instituti infratest-dimap. Nga tjetër një numër gjithnjë e në rritje njerëzish në Gjermani besojnë se në vend ka padrejtësi kryesisht sepse hendeku midis të pasurve dhe të varfërve po zgjerohet.

Konservatorët po humbasin, edhe AfD-ja, ndërsa SPD po fiton terren

Edhe këtë herë pyetja e sondazhit të ARD-Deutschlandtrend ishte se për cilën parti do të votonin njerëzit nëse të dielën e ardhshme do të zhvilloheshin zgjedhjet për parlamentin. E ashtuquajtura "pyetje e së dielës" ofron një tregues të mirë se sa simpati gëzojnë partitë aktualisht. Në fillim të shkurtit, dy partitë konservatore, CDU dhe CSU, morën 26 përqind të votave, duke pësuar humbje të lehta krahasuar me fillimin e vitit. Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila konsiderohet pjesërisht ekstremiste e djathtë, humbi pak mbështetje gjithashtu, por mbeti partia e dytë më e fortë me 24 përqind. Socialdemokratët, partneri i vogël i koalicionit në qeverinë federale, fitoi çuditërisht dy përqind. Dy partitë opozitare, të Gjelbrit dhe Partia e Majtë, mbetën në nivelet e tyre të janarit.

Ministri i Financave Lars Klingbeil duke folur
Ministri i Financave Lars Klingbeil, ka një rritje të ndjeshme popullariteti në publikFotografi: Kay Nietfeld/dpa/picture alliance

Lars Klingbeil fitues i sondazhit për shkak të kritikave ndaj Trumpit?

Vlen të përmendet se kënaqësia e përgjithshme kundrejt qeverisë është rritur pak, megjithëse në një nivel i ulët. Kurse social-demokratët po përfitojnë, kryesisht sepse kreu i partisë së tyre, Ministri i Financave Lars Klingbeil, ka një rritje të ndjeshme popullariteti në publik. Politikani më i vlerësuar në Gjermani mbetet prej shumë muajsh Ministri i Mbrojtjes Boris Pistoriusi SPD-së, që vazhdon të jetë qartësisht në krye. Ai pasohet nga Ministri i Jashtëm Johann Wadephul (CDU), pastaj Klingbeil, i cili ka fituar pesë përqind. Friedrich Merz është në 25 përqind. Klingbeil kohët e fundit përdori një ton më të ashpër se Kancelari në lidhje me politikat shpesh të paparashikueshme të Presidentit të SHBA-së Donald Trump.

Shqetësimet për gjendjen në Gjermani po rriten

Në favor të social-demokratëve shkon edhe shqetësimi në rritje i popullsisë për gjendjen në Gjermani. Në shkurt, 62 përqind e të anketuarve mendonin se në Gjermani po rritet padrejtësia. Të pyetur për arsyet për këtë, shumica e njerëzve në këtë grup theksuan se hendeku midis të pasurve dhe të varfërve po zgjerohet. 13 përqind më shumë se në sondazhin e mëparshëm besojnë se barra e taksave dhe e kontributevenuk shpërndahet në mënyrë të drejtë. Por vetëm 9 përqind, më pak se në sondazhin e mëparshëm, besojnë se të huajve dhe azilkërkuesve u jepet trajtim preferencial krahasuar me gjermanët. Njëzet e katër përqind e të anketuarve u besojnë më shumë social-demokratëve që mund të sigurojnë drejtësi më të madhe sociale. Kjo është shifra më e lartë nga të gjitha partitë.

Merz polarizon me kritikat ndaj punës me kohë të pjesshme

Në fillim të vitit një komision ekspertësh i paraqiti qeverisë gjermane një katalog gjithëpërfshirës propozimesh se si shteti social mund të modernizohet në mënyrë kuptimplote. Këto kërkesa dominuan titujt kryesorë të gazetave për ditë të tëra.

Kancelari Friedrich Merz duke folur në Bundestag
Kancelari Friedrich Merz kritikon faktin se shumë njerëz në Gjermani punojnë me kohë të pjesshme.Fotografi: Liesa Johannssen/REUTERS

Nevoja për të ristrukturuar sistemin social gëzon mbështetje të gjerë: 71 përqind e të anketuarve thanë se do të ishte e dobishme nëse kërkesa për ndihma dhe përfitime sociale mund të bëhet në mënyrë digjitale. Megjithatë pati kritika të konsiderueshme për deklaratën e Kancelarit Friedrich Merz se shumë njerëz në Gjermani punojnë me kohë të pjesshme. Kërkesat nga radhët e CDU-së që njerëzit duhet të paguajnë vetë për vizitat e tyre dentare gjithashtu shkaktuan kritika të mëdha. Kjo mund të shpjegojë gjithashtu rënien e përqindjes së simpative për konservatorët.

Për anketën ARD-Deutschland Trend, infratest-Dimap intervistoi afërsisht 1,300 qytetarë në periudhën 2 dhe 4 shkurt.

 

Jens Thurau me kostum dhe kravatë duke parë në objektiv
Jens Thurau korrespondent politik i specializuar në politikën e mjedisit dhe klimës@JensThurau