Ana Brnabiqi sërish në krye të qeverisë serbe | Ballkani | DW | 06.10.2020
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Ana Brnabiqi sërish në krye të qeverisë serbe

Presidenti i Serbisë Vuçiq e ka mandatuar sërish Ana Brnabiqin për kryeministre të vendit. Në Beograd thuhet se kjo do të jetë një qeveri e kontinuitetit por me figura të reja.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq bëri të ditur se ai dhe partia e tij SNS kanë vendosur që kryeministres së tanishme të Serbisë Ana Brnabiq t'i japin mandatin për krijimin e kabinetit të re qeveritar. Kryersia e SNS e ka pranuar këtë propozim njëzëri. Pas takimit të partisë u tha se në qeverinë e re të Serbisë do të ketë figura të reja dhe drejtues të rinj të posteve ministrore dhe sipërmarrjeve publike. Thuhet se në këtë takim nuk është folur konkretisht për postet ministrore, me argumentimin, se për këtë çështje do të flitet javën që vjen, kur mandatarja Brnabiq të paraqesë propozimet e veta për kabinetin e ri qeveritar. Vuçiqi ka propozuar që në qeverinë e re të ketë edhe dy ministri të reja - Ministria për të Drejtat e Njeriut, Barazinë Gjinore dhe Dialog, si dhe Ministria për Familje, Fëmijë dhe Demografi. Vuçiqi ka propozoar po ashtu që gjysma e kabinetit qeveritar të përbëhet nga gratë.

Ministri i Financave Sinisha Mali ka bërë të ditur se ndër prioritetet e qeverisë së re do të jenë ekonomia, Serbia deri në vitin 2025, ngitja e rrogave dhe pensioneve, rritja e fuqisë ushtarake të Serbisë, investimi në fuqinë mbrojtëse të ushtrisë dhe investimet në shëndetësi. Presidenti Vuçiq theksoi edhe rëndësinë e projekteve instrastruktorure rrugore dhe hekurudhore, si dhe ndërtimin e metrosë në Beograd.

Kontinuiteti i Vuçiqit

Aleksandar Vuçiq tha, se Ana Brnabiq ka dëshmuar një politikë të disiplinuar dhe të përgjegjshme, pa iu lutur qendrave të huaja të pushtetit. Ajo e ka bërë punën e saj mirë, e si dëshmi janë edhe kritikat e jashtme ndaj Serbisë, sepse Brnabiq nuk i është nënshtruar askujt, por ka punuar për interesat e vendit.

Analisti Boban Stojanoviq mendon se "qeveria e re do të jetë një qeveri e kontinuitetit të Vuçiqit, që e kemi parë në vitet e fundit".

Stojanoviq thotë për DW, se në postet ministrore janë ndryshuar në periudhën e kaluar mbi 50 persona, të cilët shpesh kanë kaluar nga një post në tjetrin, pa bërë ndryshime serioze në vend. Ndaj Vuçiqi nuk ka treguar aspak dëshirë për ndryshime, që shihet edhe nga emërimi i mandatares së re/vjetër.

Besimi i "shefit"

Presidenti i Serbisë numëroi disa arsye pse ka vendosur që t'ia besojë edhe mandatin e dytë Ana Brnabiqit. Ndërsa Stonaviq mendon, se ndër meritat e saj më të mëdha është besimi i Vuçiqit ndaj saj, sepse ajo asnjëherë nuk i ka kontestuar vendimet e "shefit". Brnabiqi i është përshtatur në tërësi edhe mënyrës së komunikimit të partisë SNS dhe Vuçiqit, thotë Stojanoviq.

Ministrat e (pa)rëndësishëm

Në Serbi kanë nisur spekulimet për postet ministrore menjëherë pas zgjedhjeve, ku SNS fitoi shumicën absolute. Por Stojanoviq thotë se nga perspektiva e qytetarëve është pothuajse e parëndësishme se kush do të jetë ministër. "Më e rrezikshmja është që ky pushtet nuk do të ketë asnjëlloj kufizimi dhe kontrolli". Ndërsa sa i përket posteve ministrore, e sigurt është që në kabinetin qeveritar do të gjenden Sinisha Mali dhe Nebojsha Stefanoviq, përkundër faktit që ndaj tij rëndojnë shumë afera korruptive.

Sfidat e mëdha

Stojanoviq thotë, se Vuçiqi në të ardhmen do të përballet për herë të parë me sfida të mëdha dhe serioze. "Përveç Kosovës, prioritet do të ketë edhe lufta kundër virusit Corona dhe shëndetësia. Por edhe më e rëndësishme do të jetë gjendja ekonomike. Vuçiqi për herë të parë do të gjendet para sfidave mjaft serioze, ku nuk mund ta ndihmojë as censura dhe kontrolli i mediave“, pohon analisti.

Stojanoviq është i bindur, që në funksionet më të larta në Serbi do të shohim sërish persona ndaj të cilëve rëndojnë afera korrupsioni, por kjo ka pak rëndësi. Ata janë vetëm figura në duart e Vuçiqit, i cili edhe më tej do të mbetet në majat e piramidës së pushtetit.