Aleanca në funksion të krizave | Bota | DW | 04.04.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Bota

Aleanca në funksion të krizave

70 vjet më parë, dymbëdhjetë shtete të Evropës e të Amerikës së Veriut themeluan NATO-n. Sot është para së gjithash Trumpi që mbjell dyshime, nëse ka të ardhme njëra nga aleancat ushtarake më të suksesshme të historisë.

Jens Stoltenberg në Kongresin e SHBA në Uashington, 03.04.2019

Jens Stoltenberg në Kongresin e SHBA në Uashington, 03.04.2019

NATO-ja ekziston në Evropë për t'i mbajtur "rusët jashtë, amerikanët brenda dhe gjermanët poshtë". Këtë e ka deklaruar dikur në një ambient shoqëror, sekretari i parë i Përgjithshëm i NATO-s, lordi britanik Hastings Ismay. Me këtë ai shqiptoi një pikëpamje të përhapur të viteve të para: nga Lufta e Dytë Botërore e nisur nga Gjermania kishin kaluar vetëm pak vjet, Bashkimi Sovjetik kontrollonte të gjithë gjysmën lindore të Evropës, duke përfshirë edhe pjesën lindore të Gjermanisë dhe amerikanët në fillim po mendoheshin a t'a linin sërish Evropën të merrej me veten dhe ndoshta nën një ndikim më të madh sovjetik.

Por Gjermania nuk u mbajt për shumë kohë "poshtë", të paktën jo pjesa perëndimore: në vitin 1955 Gjermania u bë anëtare e NATO-s, ndërsa RDGJ hyri në Traktatin e Varshavës të dominuar nga sovjetikët.

Lufta e Ftohtë me barazpeshën e saj të frikësimit reciprok zgjati rreth 40 vjet. Gjendja ishte e tendosur, por edhe e qëndrueshme. Në kuadër të negociatave të çarmatimit me Bashkimin Sovjetik, Presidenti i atëhershëm Roland Reagan deklaroi në vitin 1988 se "në radhë të parë qëndron për mua ruajtja e një partneriteti të fortë dhe të shëndetshëm midis Amerikës së Veriut dhe Evropën. Interesat e këtij partneriteti ne nuk do t'i sakrifikojmë asnjëherë për ndonjë marrëveshje me Bashkimin Sovjetik."

Konflikte të reja

1989/1990 gjendja ndryshoi në mënyrë radikale. Komunizmi pësoi kolaps, Bashkimi Sovjetik u shpërbë. Fuqitë fituese të Luftës së Dytë Botërore ranë dakord që Gjermania të ribashkohet si anëtare e NATO-s. Brenda pak vitesh, shumica e shteteve të Traktatit të Varshavës, si Polonia, Rumania dhe shtetet baltike u bënë anëtare të NATO-s.

Ronald Reagan dhe Michail Gorbaçov, 1988

Ronald Reagan dhe Michail Gorbaçov, 1988

Ndërkohë është kthyer një situatë e ngjashme si në luftën e ftohtë. Rusia thotë se ndihet e kërcënuar nga zgjerimi në Lindje i NATO-s dhe armatoset. Kjo e frenon një zgjerim të mëtejshëm të aleancës. Gjeorgjia dhe Ukraina për shembull mund të kenë pak shpresa për anëtarësim në NATO, sepse Aleanca nuk do konflikte të reja brenda saj.

Konflikte NATO-ja ka mjaft. Që në vitet 1990, ajo angazhohet gjithnjë e më shumë jashtë territorit të Aleancës. Në Gjermani, me historinë e saj nacionalsocialiste, kjo ngjalli në fillim diskutime të ashpra. Ndërkohë Gjermania merr pjesë në një sërë misionesh në botën e jashtme, për shembull në Ballkan dhe në Afganistan.

Një herë të vetme në historinë e saj 70 vjeçare e aktivizoi NATO-ja klauzolën e mbrojtjes reciproke, dhe kjo ndodhi pas atentateve terroriste të 11 shtatorit 2001 në SHBA. Por për pasojat u ndez një grindje e madhe, e cila e përçau NATO-n për shumë vjet.

Me Trumpin gjithçka është ndryshe

Prej marrjes së mandatit nga Presidenti i SHBA Donald Trump dy vjet më parë, NATO-ja ndodhet sërish nën presion. Trumpi i ka vënë disa herë pikëpyetje kuptimit të ekzistencës së NATO-s dhe detyrimin për mbrojtje kolektive. Në vitin 2018 ai pyeti se për se duhet të mbrojnë SHBA një vend të vogël si Mali i Zi dhe të rrezikojnë me këtë shpërthimin "e një lufte të tretë botërore". Ai ka kërcënuar edhe që mbrojtje amerikane do të ketë vetëm për ata, që paguajnë sa duhet. Para së gjithash është Gjermania, të cilën ai e ka akuzuar se shpenzon shumë pak për mbrojtjen. Në takimin më të fundit të nivelit të lartë të NATO-s në vitin 2018, Trumpi i zbuti fjalët e tij. "NATO-ja është shumë e rëndësishme, por NATO-ja e ndihmon Evropën më shumë se na ndihmon ne."

Kancelarja gjermane Angela Merkel deklaroi në të njëjtin takim se Gjermania i dedikon shumë NATO-s. "Por Gjermania edhe kontribuon shumë për NATO-n. Dhe ne vazhdojmë që deri sot të jemi shumë të angazhuar në Afganistan, dhe me këtë ne mbrojmë edhe interesat e SHBA."

Aleanca nuk është e gdhendur në gur

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg paralajmëroi pak kohë më parë: "Nuk është e gdhendur në gur që lidhja transatlantike do të ekzistojë gjithnjë". Por kjo qe më tepër nxitje për Berlinin. Stoltenbergu shtoi: "Në historinë e NATO-s kemi pasur shumë ndryshime në mendime, por i kemi kapërcyer ato herë pas here. Sepse në fund ne ramë të gjithë dakord, që Amerika e Veriut dhe Evropa janë më të sigurta së bashku."