A do të mbyllet rrjeti Telegram?
13 Janar 2022Ministria e Brendshme gjermane duket se po e humb durimin me shërbimin për komunikim, Telegram.Duket se në Ministri po mendohet seriozisht edhe për ndalimin e shërbimeve të Telegramit në Gjermani. "Ne nuk mund ta përjashtojmë këtë mundësi", tha ministrja e Brendshme, Nancy Faeser, në një intervistë për gazetën javore "Die Zeit". Por mbyllja do të ishte "shumë serioze dhe vetëm zgjidhja e fundit". Kjo mundësi do të shikohet vetëm në qoftë se dështojnë të gjitha përpjekjet e tjera.
Mungesa e suksesit
Është e qartë që masat e mëparshme, përfshirë këtu edhe një letër paralajmëruese të dërguar nga Ministria e Drejtësisë, nuk kanë çuar në ndonjë rezultat pozitiv, tha Faeser. "Nëse themi se në fund do ta mbyllim këtë shërbim, për përdoruesit dhe ata që ofrojnë këtë shërbim do të ishte një veprim i ndjeshëm dhe i keq".
Ekstremistët në Telegram kanë qenë deri tani në gjendje të përhapin urrejtje dhe të bëjnë plane për sulme, pa pasur frikë se operatori do të ndërhyjë. Ligji për rrjetet sociale detyron ofruesit që pas ndonjë ankese të heqin shpejt përmbajtjen dukshëm të paligjshme. Mendoj se kjo është një nga pikat më të rëndësishme për të zbatuar ligjin”, tha ministrja e Brendshme.
Faeser kërkon zgjidhje evropiane
Faeser angazhohet që kjo çështje të zgjidhet në nivelin evropian, në mënyrë që Telegrami të detyrohet të bashkëpunojë. "Telegrami e ka sot selinë në Dubai, e nesër ndoshta do ta ketë në Ishujt Cayman”, theksoi ministrja. "Ne do të kemi nevojë për shumë forcë për të zbatuar ligjin. Vetëm Gjermania nuk do të mund ta zgjidhë këtë problem." Ministrja Faeser thotë se ajo është në kontakt të përhershëm dhe në konsultime intensive me homologët e saj evropianë për zgjidhjen e kësaj çështjeje.
bc/nob/fab (afp, rtr)