Është koha për transparencë dhe veprim | Politika | DW | 09.12.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Është koha për transparencë dhe veprim

Tirana në Ditën ndërkombëtare të luftës kundër korrupsionit hap panairin me moton" Transparencë dhe veprim"

Kushton ndershmëria?

Kushton ndershmëria?

Jo protesta në rrugë apo sheshe. Kjo mënyrë i duket e konsumuar Koalicionit shqiptar të luftës kundër korrupsionit. Prandaj sot në Ditën ndërkombëtare të kësaj lufte ky koalicion ka gjetur një mënyrë origjinale për të ndërgjegjesuar publikun për një rol më aktiv në kauzën e përbashkët.

Një panair me moton" Transparencë dhe veprim" të 40 organizatave jo fitimprurëse, në përbëje të këtij koalicioni, është hapur në Hotel Tirana. Pjeter Marku, drejtor ekzekutibv i ketij koalicioni shpjegon: "Sivjet, ndryshe nga vitet e tjera, vendosëm të mos ketë dalje apo protesta publike. Të gjithë e dinë që në Shqipëri ka korrupsion dhe nuk është më koha t´i themi korrupsionit "STOP" me fjale apo parrulla. Është koha për veprim. Koalicioni ka vendosur të luftojë për të detyruar qeverinë të jetë sa më transparente ne raport me shoqërinë civile. Kjo shpjegon edhe moton e këtij aktiviteti sot në Ditën Ndërkombëtare të Luftes kundër korrupsionit"
Por në panair do të ketë edhe shifra konkrete për të dhënë mundësi qytetarit të përfytyrojë përmasat e korrupsionit. Në të do të shpallen rezultatet e nje sondazhi që ka kryer ky koalicion.

Qytetarët e intervistuar u kane dhënë përgjigje pyetjeve të tilla thelbësore si: sa paguajnë ata për të fituar një çështje gjyqësore; me çfarë arsyetimi ata japin ryshfet; pse nuk ngurojnë të bëhen palë në korrupsionin e zytarëve, mjekëve, gjyqtarëve etj? Një risi tjetër që ky panair sjell do të jetë edhe shpallja e njeriut me integritet moral, te cilit do t´i jepet edhe një çmim. Emri i tij ose i saj është votuar nga të 40 organizatat që janë në përbërje të koalicionit. Motoja e ketij panairi shpall edhe menyrën se si koaliocioni mendon te luftojë korrupsionin në Shqipëri.
"Vetëm përmes transparencës dhe veprimit- thote z. Marku. Nëse një organizëm shtetëror ka transparencë kjo është dëshmi e mungesës së korrupsionit. Por ne jemi të ndërgjegjshëm që korrupsioni nuk luftohet vetëm me një ditë si kjo. Por përmes një lufte të vazhdueshme. Ne koordinojmë përpjekjet e të gjitha organizatave në këtë luftë të përbashkët."

Niveli i lartë i korrupsionit në Shqipëri është bërë publik edhe nga sondazhet e organizmave ndërkombëtare. Rezultatet konkrete në luftën kundër tij janë një parakusht i BE- së për përparimin e proceseve integruese europiane të Shqipërisë.

Qeveria e kryeministrit Berisha e ka përcaktuar luftën kundër korrupsionit si një prioritet te qeverisjes. Kohët e fundit qeveria ka firmosur një pakt moral me koalicionin shqiptar të luftës kundër korrupsionit ku pranon transparencë dhe kontroll nga ana e shoqërisë civile.

  • Data 09.12.2005
  • Autor Ani Ruci
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqs2
  • Data 09.12.2005
  • Autor Ani Ruci
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqs2