Çfarë do të thotë municion inteligjent?
4 Dhjetor 2008Bombat dispersive hapen në ajër dhe mund të shpërndajnë shumë ngarkesa shpërthyese në një territor të madh. Gjermania është obliguar që prej vitit 2006 për mospërdorimin e këtij municioni dhe për shkatërrimin e të gjitha rezervave ekzistuese.
Së pari lajmi i mirë. Gjermania ka nisur prej kohësh, të shkatërrojë të gjithë arsenalin e saj të bombave dispersive, të cilat janë ndaluar me marrëveshjen e Oslo-s. Shkatërrimi do të zgjasë së paku tetë vjet. „Unë e kam parë vetë shkatërrimin e municionit në afërsi të Berlinit. Nuk është i thjeshtë. Nevojiten makineri për t´i shkatërruar, e gjitha nuk duhet të ndotë ambjentin, kushton shtrenjtë, milionë euro dhe ushtria gjermane ka filluar heret me shkatërrimin e tyre."
… thotë Vera Bohle dhe kjo grua e di mirë se për çfarë flet. Ajo është pastruese minash dhe ka çaktivuar shumë bomba dispersive të pashpërthyera. Sot Vera Bohle punon në qëndrën ndërkombëtare për largimin e minave në Gjenevë dhe ka kontribuar në përpilimin e tekstit të Oslo-s. Marrëveshja ndalon bombat dispersive, që shpërndahen në sipërfaqe të tëra, që vrasin kë t´i dalë përpara dhe kanë një kuotë të lartë të mungesës së shpërthimit.
„Nuk është njëlloj, nëse një bombë ka psh 100, apo biles 1.000 nënbomba të vogla, apo nëse brenda janë vetëm 10. Dhe ky është kompromisi që duhej gjetur."
I përjashtuar nga marrëveshja e Oslo-s është municioni, që përmban më pak se 10 koka të veçanta shpërthyese. Çdo eksploziv duhet të peshojë më shumë se katër kilogramë, të sulmojë objektiva të caktuara dhe të jetë në gjendje, të shkatërrojë vetveten. Për kryetaren e të gjelbërve Claudia Roth ky është një neglizhim i padurueshëm i ndalimit të bombave dispersive. „Ka qenë pikërisht Gjermania, e cila ka arritur të realizojë përjashtimet, që përbëjnë probleme të mëdha."
Ndërmarrjet gjermane të armatimit si Rheinmetall apo Diehl janë prodhuesit kryesorë në botë të municionit të ashtuquajtur intelligjent dhe ata pajisin Bundesverin dhe partnerë të tjerë të NATO-s. Së bashku Diehl dhe Rheinmetall prodhojnë psh projektilin Smart 155, në lëvozhgën e të cilit ndodhen dy eksplozivë. Të dy sipërmarrjet kanë refuzuar kërkesën tonë për intervistë, duke pohuar se Smart 155 nuk përfshihet nga marrëveshja e Oslo-s dhe se ata nuk prodhojnë municion dispersiv. Se si funksionon Smart 155, mund të mësohet në një komunikatë për shtyp të Rheinmetall në faqen e internetit të sipërmarrjes: „E pajisur me sensorë me fuqi të lartë dhe me një kapje intelligjente të sinjalit muncioni kërkon vetë objektivin e tij, pavarësisht nga moti dhe në çdo kohë natën dhe ditën. Kjo kursen municion dhe redukton rrezikun e dëmeve kollaterale. Nqs nuk arrihet caku, municioni vetëshkatërrohet. Mbetja e municionit të pashpërthyer përjashtohet."
Smart 155 drejtohet kundër automjeteve në lëvizje. Qeveria gjermane flet për një armë punktuale. Por edhe nqs të dy eksplozivët në lëvozhgë janë shumë inteligjentë dhe nuk janë minicion dispersiv ata nuk mund të dallojnë në se në automjetin, që lëviz ndodhen civilë apo sulmues.