1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet në Austri - Shumicë e ngushtë për koalicionin e gjerë

(dpa, afp, rtre)/Vilma Filaj-Ballvora1 Tetor 2013

Në Austri partitë e koalicionit qeverisës SPÖ dhe ÖVP i kanë fituar zgjedhjet parlamentare. Në bazë të rezultateve paraprake të dyja partitë kanë pësuar humbje, por koalicioni mund të vazhdojë ta qeverisë vendin.

https://p.dw.com/p/19qKN
Fotografi: picture alliance/AP Photo

Pavarësisht humbjeve partitë e koalicionit të gjerë, që qeveris në Austri, në zgjedhjet parlamentare arritën të fitojnë me një shumicë të ngushtë. Socialdemokratët (SPÖ) e kancelarit Werner Faymann dhe konservatorët (ÖVP) në bazë të rezultateteve paraprake kanë marrë pak mbi 50% të votave. Në Këshillin Kombëtar me gjithsej 183 vende deputetësh të dyja partitë kanë fituar së bashku 98 mandate, gjashtë më shumë nga 92 mandatet e domosdoshme për krijimin e mazhorancës. Megjithatë të dyja partitë popullore kanë shënuar rezultatin më të keq elektoral në historinë e tyre.

Partia më e fortë, pavarësisht një humbjeje të thellë historike duke marrë vetëm 26,5%, mbetet partia socialdemokrate e kancelarit Werner Faymann. Partia popullore konservatore bazuar në rezultatet paraprake ka humbur me 2,3% duke fituar gjithsej 23,7% të votave. Kësisoj konservatorët kryesojnë me fare pak direfencë kundrejt partisë së djathtë FPÖ (Partia e Lirisë), e cila me 22,0% është forca e tretë në parlament. FPÖ ka shënuar rritje të elektoratit të vet me 4,5% krahasuar me zgjedhjet e katër vjetëve më parë. Ekologjistët kanë fituar 11,5% duke pasur një rritje të vogël prej 1,1%.

Wahlen in Österreich - NEOS Matthias Strolz
Fotografi: picture-alliance/dpa

Sondazhet parashikonin vazhdimin e koalicionit të gjerë

Qysh në sondazhet e kryera me elektoratin pak para zgjedhjeve rezultonte një fitore e ngushtë e partive të koalicionit të gjerë. Të dyja partitë popullore në luftën elektorale i referoheshin faktit që Austria e përballoi thuajse e padëmtuar krizën e euros dhe se vendi ka kuotën më të ulët të papunësisë në BE.

SPÖ-ja në vitin 2008 fitoi 29,3% të votave, ndërsa ÖVP arriti të marrë vetëm 26 %. Përpara zgjedhjeve për Këshillin Kombëtar nuk ishte përjashtuar mundësia e humbjes së shumicës absolute të koalicionit nga dy partitë popullore prej nga për herë të parë për qeverisjen në pesë vitet e ardhshme duhej të gjendej një partner i tretë koalicioni. Në Austri qysh prej 68 vjetësh ka rotacion pushteti mes partisë popullore SPÖ dhe ÖVP, por disa herë ato kanë qeverisur edhe në koalicion. Temat kryesore të fushatës elektorale ishin taksat, pensionet dhe papunësia.

Strache provokon

Në fushatën elektorale partia e djathtë FPÖ ngjalli një debat kontrovers, kur kryetari i saj Heinz-Christian Strache citatin e Biblës „duaje tjetrin“ ua adresonte ekskluzivisht austriakëve në vendin e tij. Si SPÖ, ashtu edhe ÖVP e refuzuan qysh në fillim të fushatës elektorale bashkëpunimin me FPÖ.

Rreth 6,4 milionë austriakëve u ishte bërë thirrje të dalin në votime. Si i vetmi vend në Europë, Austria lejon të rinjtë qysh nga mosha 16 vjeç që të votojnë. Rreth 14% e zgjedhësve kanë votuar kësaj here me postë, një kuotë e lartë kjo në këtë kategori votuesish. Meqënëse një pjesë e këtyre votave do të numërohen gjatë së hënës, mund të priten edhe devijime të vogla nga rezultatet paraprake të publikuara të dielën.