1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëUkrainë

Zelenski: Situatë "e vështirë" prej vonesës së ndihmës

20 Shkurt 2024

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski vizitoi vijën e frontit lindor dhe kërkoi që dërgesat e ndihmave të huaja të vazhdojnë. Një paketë ndihme prej 60 miliardë dollarësh është bllokuar në Kongresin e SHBA.

https://p.dw.com/p/4cc5e
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski (majtas) takohet me trupat në rajonin e Kharkovit.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski (majtas) takohet me trupat në rajonin e Kharkovit.Fotografi: Ukraine Presidency/Bestimage/IMAGO

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski paralajmëroi të hënën se trupat ukrainase në vijën e frontit përballen me kushte "jashtëzakonisht të vështira". Kjo, tha ai, për shkak të vonesave në marrjen e ndihmës së premtuar ushtarake perëndimore.

Disa ditë pasi forcat ruse pushtuan qytetin Avdiivka në Ukrainën lindore, duke forcuar më tej kontrollin e tyre mbi rajonin, Zelenski bëri një vizitë të papritur në trupat ukrainase, ndërsa sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës po i afrohet përvjetorit të dytë.

Zelenski thekson vështirësitë në front

"Situata është jashtëzakonisht e vështirë në disa pjesë të vijës së frontit, ku trupat ruse kanë përqendruar rezervat maksimale," tha Zelenski pasi vizitoi ushtarët në rajonin verilindor të Harkovit.

Vizite ne Harkov, Zelenski
Fotografi: Ukraine Presidency/Bestimage/IMAGO

Ai tha se forcat ruse po "përfitonin nga vonesat për të ndihmuar Ukrainën". Ai përmendi mungesat e artilerisë, mbrojtjes ajrore të vijës së parë dhe armëve me rreze të gjatë.

Në vijën e frontit jugor, trupat ukrainase thanë se po përballeshin me "zjarr intensiv" nga forcat ruse në rajonin e Zaporizhias.

Komandanti i lartë Oleksandr Tarnavski tha se Rusia po ndërmerrte sulme të shumta në qytetin Robotyne, një nga vendet e pakta që Kievi arriti të rimarrë gjatë kundërofensivës së tij të vitit 2023.

"Këto sulme po ndalen, armiku po eliminohet në periferi të Robotynes," tha Tarnavski në një postim në Telegram.

Biden i gatshëm të takohet me zëdhënësin republikan për Ukrainën

Senati i SHBA miratoi një projektligj për ndihmën e huaj në fillim të këtij muaji që përfshinte 60 miliardë dollarë (55.7 miliardë euro) për Ukrainën, por Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson ka thënë se nuk do ta dërgojë atë në Dhomën e Përfaqësuesve.

Joe Biden me apel per Ukrainen
Joe Biden me apel per UkrainenFotografi: Evan Vucci/AP Photo/picture alliance

Të hënën, Presidenti i SHBA, Joe Biden, shprehu gatishmërinë e tij për të folur me Johnsonin, në përpjekje për të çuar përpara projektligjin.

"Sigurisht, do të isha i lumtur të takohesha me të nëse ai ka diçka për të thënë”, tha Bideni.

Kongresi do të mblidhet përsëri më 28 shkurt dhe duhet të miratojë një buxhet të ri deri më 1 mars, për të shmangur një mbyllje të qeverisë federale.

Bideni u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se ai besonte se republikanët po bënin një gabim të madh duke kundërshtuar ndihmën për Ukrainën, me argumentin se ata "po largoheshin nga kërcënimi i Rusisë". 

"Është thjesht tronditëse," tha ai. "Unë kurrë nuk kam parë diçka të tillë." Bideni tha se shpresonte se vdekja e kritikut rus të Kremlinit Alexei Navalny në një koloni penale në rajonin e Arktikut do t'i bënte republikanët më të prirur të mbështesin një paketë ndihme, megjithëse ai pranoi se nuk ishte "i sigurt" se kjo do të shënonte një ndryshim.

Ai shtoi se Uashingtoni po konsideronte vendosjen e sanksioneve shtesë ndaj Moskës për vdekjen e Navalnyt.

aud (sdi/dpa, AFP, Reuters)