1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

050510 Holocaust Mahnmal

10 Maj 2010

Para 5 vjetësh në maj të vitit 2005 u përurua në Berlin monumenti për hebrenjtë e vrarë në Evropë. Që prej kësaj kohe ky vend përkujtimor për holokaustin është pjesë përbërëse e një vizite në Berlin.

https://p.dw.com/p/NKaB
Memoriali për hebrenjtë në Berlin
Memoriali për hebrenjtë në BerlinFotografi: AP

"Ne hapim në orën 10 dhe në këtë kohë ka shumë njerëz që janë ndërkohë këtu".

Thotë një prej kujdestarëve të monumentit, i cili u shpërndan personave të interesuar broshura me informacione rreth monumentit për hebrejtë e vrarë të Evropës.

Memoriali për hebrenjtë - pjesë e vizitave në Berlin

Çdo vit ky monument vizitohet prej disa miliona njerëzish që vizitojnë Berlinin.

"Unë sjell turistë nga e gjithë bota këtu, sidomos nga vendet anglishtfolëse. Këtë e bëj prej dy vjetësh dhe vij thuajse çdo ditë këtu" - thotë Ben, një i ri amerikan i veshur sportiv. Jashtëzakonisht i arritur, thotë ai, pa ndonjë interpretim të paracaktuar, por me shumë vend për ndjenjat individuale.

"Mbresëlënës", "E dhimbshme". "E pazakonshme. E ndjen veten ngushtë, të vogël, dhe nuk e di". "Të vijnë sërish në mendje të gjitha ato që kemi mësuar në histori, vërtet e fortë".

Kështu mendojnë këta nxënës dhe nxënëse 15-16 vjeçarë nga rrethinat e Shtutgartit. Ata kanë ardhur për ekskursion në Berlin dhe po vizitojnë edhe monumentin. Mësuesja e tyre thotë se ishin vetë të rinjtë, që kishin propozuar për të vizituar monumentin. Edhe vetë mësueses, monumenti i Peter Eisenmanit i duket shumë i efektshëm:

"Kur isha për herë të parë këtu u shokova dhe thashë o Zot ç'paska bërë ky kështu. Pastaj hyra nëpër shtyllat e monumentit dhe pata një ndjenjë të fuqishme, sikur dikush po më shtrëngonte fytin me forcë."

Shoferi i autobusit, që ka sjellë nxënësit në Berlin tregon se shpesh sjell këtu të moshuar, që e kanë përjetuar vetë terrorin nazist dhe Luftën e II Botërore.

"Ata janë fillimisht të heshtur, ndoshta sepse u kujtohen gjëra të ndryshme, dhe flasin rrallë".

'Më pëlqen që ngrenë monumente'

Fëmijët dhe të rinjtë janë ndryshe, ata bëjnë shpesh zhurmë, qeshin e bërtasin dhe thirrjet e tyre bashkohen me zhurmën e makinave, që kalojnë në rrugët përreth.

Përpara monumentit qëndron një grup tjetër turistësh dhe sërish fillojnë të dëgjohen shkrepjet e aparateve fotografikë. Amerikanë, italianë, spanjollë, francezë, secili me mbresat e veta:

"Më pëlqen që ngrenë monumente". "Impressing. Very, very impressing".

Autor: Silke Bartlick/Pandeli Pani

Redaktoi: Auron Dodi